Sfidat e Ligës Profesioniste në pandemi, rrëfehet sekretari Kadia: Ja plani për emrin e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 20:28

Sfidat e Ligës Profesioniste në pandemi, rrëfehet sekretari Kadia: Ja plani për emrin e Superiores

Dritan Kadia, sekretar i përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, flet rreth sfidave të marketingut në kohë pandemie, pse Liga nuk arriti ta shesë emrin e Kategorisë Superiore, cilat janë planet e saj, si funksionon marketingu i saj dhe si punohet me mediat sociale. Kadia shpjegon edhe planet për emrin e Kategorisë Superiore.

Kadia Liga Profesioniste

Pothuajse një vit më parë, pandemia COVID-19 goditi Shqipërinë. Çfarë ka ndryshuar në drejtim të marketingut të futbollit që nga ajo kohë?

Ishte një situatë e paimagjinueshme. E gjithë shoqëria u ndodh para një situate krejt të pazakontë ku edhe ngjarjet sportive nuk mund të ishin të paprekshme. Deri në atë moment, kish ndodhur që ndeshjet të ishin shtyrë për një arsye apo tjetër, por gjithmonë ato janë kryer. Papritmas ndodhi që gjithçka u bllokua duke rrezikuar seriozisht zhvillimin e Kampionatit deri në fund.

Kishte një ndjenjë vakumi. Sidoqoftë, falë punës së mirë nga ana e FSHF dhe konceptit të parandalimit të përhapjes së virusit “Kategoria Superiore” ishte aktiviteti i parë sportiv që u kthye sërish në fushë. Me këtë u eliminua problemi që ekipi kampion dhe ekipet përfaqësuese në Kupat e Europës të përcaktoheshin në mënyrë josportive. Natyrisht që klubet u dëmtuan shumë nga pritshmëritë prej sponsorëve si dhe nga mungesa e spektatorëve në tribuna.

Dihet mirë se çdo krizë duhet parë si një mundësi. Cilat mundësi janë hapur në Kategorinë Superiore?

Klubet e Kategorisë Superiore ishin në gjendje të shfaqeshin si një partner i besueshëm me një pjesë të mirë të sponsorëve të tyre. Sponsorizimi i sporteve është një pjesë integrale e planit të komunikimit në shumë kompani. Pandemia solli një pasiguri të madhe të planifikimit për to. Kështu që një pjesë e tyre u lëkundën. Dhe ishte midis të tjerave një moment kur ekipet po shfaqnin një performancë mjaft të mirë sportive e cila u konkretizua edhe me kalimin e turit të parë eliminator të të gjitha ekipeve që na përfaqësonin në Kupat e Europës. Për të tjerë, klubet arritën të mbanin vlerat e tyre të sponsorizimit nëpërmjet reklamave gjë që sigurohet edhe nga pozicioni unik që ofron futbolli ynë.

Në fillim të pandemisë shpesh flitej për solidaritet, por në vjeshtë kishte zëra që sponsorëve u duhej ta ulnin masën e sponsorizimit. Ishte kjo shtysë për presidentët e klubeve që të hynin në bojkot?

Nuk ishte vetëm pandemia. Vështirësitë ekonomike që vazhdojnë të shoqërojnë klubet e futbollit si dhe perspektiva e errët si dhe një premtim i pambajtur nga politika, i mblodhi anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit që t’i drejtonin ato katër kërkesat e famshme qeverisë para datës së fillimit të kampionatit.

Tashmë i gjithë opinioni publik besoj që e ka të qartë që mungesa e përgjigjes i detyroi anëtarët e Ligës të ndërmarrin vendimin ekstrem. Një pasojë shumë e qartë është se pandemia është një çështje që do të reflektohet në çdo kontratë të re që do të nënshkruhet tani e tutje. Ka ide shumë të qarta se si do të veprohet me ndeshje që nuk luhen, etj. Në lidhje me shërbimet e sponsorizimit dhe pagesat përkatëse, shumica e sponsorëve treguan një fleksibilitet të madh dhe meritojnë falënderim.

Por a ka pasur shkurtime në kontratat ekzistuese?

Jo, në dijeninë time, jo. Klubet i kanë kryer shumë mirë shërbimet e tyre dhe në disa raste edhe i kemi tejkaluar ato. Ajo që nuk mund të kompensohej janë të ardhurat nga biletat, të cilat një pjesë e mirë e klubeve e ndiejnë shumë.

Si kryhet marketingu i Ligës? Cilat janë produktet e saj?

Duhet të kemi parasysh që Liga ka produkte shumë komplekse që mund t’i ofrojë. Nuk është e thënë që të kesh një katalog produktesh dhe çmime specifike. E gjitha do të jetë një bashkëbisedim me sponsorët potencial. Duke patur parasysh edhe përvojat e ligave të tjera, Liga ka bërë propozimet e saj dhe anëtarët janë në proces të miratimit të procedurës së shitjes se emrit të kampionatit të Kategorisë Superiore. Marketingu do të kryhet nga vetë Liga.

Ne do të përcaktojmë një kornizë së bashku me partnerët, por mënyra se si zbatohet integrimi mendoj se do të jetë gjithashtu një proces dinamik. Këtu kërkohet një qasje e drejtpërdrejtë, e cila funksionon më mirë sesa nëse ndërhyjmë me një palë të tretë. Deri tanimë besoj se ju ka rënë në sy që emri i Kategorisë Superiore është bërë më i dukshëm gjatë zhvillimit të ceremonive për fillimin e lojës si dhe në të gjitha publikimet e Ligës, por që përditë ndeshemi me problematika që duhen përmirësuar.

Ne jemi duke u zgjeruar masivisht në mediat sociale dhe në bashkëpunim me partnerin mediatik të Kategorisë Superiore kemi përgatitur produkte të tilla që kërkojnë bashkëveprimin e tifozëve, specialistëve të futbollit dhe lojtarëve si: goli më i bukur, lojtari apo formacioni më i mirë etj.

Të njëjtën gjë pak a shumë e kryen edhe FSHF. Çfarë efektesh kishte ky hap në marketing?

Liga Profesioniste e Futbollit është partnere e FSHF-së dhe e plotëson atë me aktivitetet që kanë të bëjnë me nivelin më të lartë të futbollit në vend atë të Kategorisë Superiore. Natyrisht që për momentin, FSHF-ja është edhe organizatore e garës dhe të gjitha aktivitet e marketingut për Kategorinë Superiore janë iniciuar dhe zbatuar nga FSHF. Liga duke marrë të gjithë atë vlerë të krijuar nga FSHF duhet ta pasurojë më tej me elementë të tjerë në interes të saj duke tërhequr më shumë partnerë dhe sponsorë.

Cili mendoni se do të jetë sponsori i emrit të kampionatit?

Dëshira e presidentëve të klubeve të Kategorisë Superiore është që të jetë një kompani që të sjellë më shumë të ardhura dhe më shumë vlerë. Unë personalisht e shoh veten si një kompani e cila është e lidhur jashtëzakonisht ngushtë me sportin. Emri i kampionatit do të jetë “Kategoria Superiore X” apo thjesht “Superiore Y”, por gjithashtu më shkon edhe “Superliga Z”. Do të më pëlqente që logoja e Kategorisë Superiore nuk do të ndryshonte rrënjësisht pasi që më pëlqen shumë. Megjithatë, është e drejta e atij që paguan të heqë vallen.

Ne u kemi propozuar presidentëve që emri i Kategorisë Superiore të shitet për një periudhë 3- vjeçare me një vlerë që vjen në rritje nga viti në vit. Jam i bindur që me realizimin e shitjes, edhe vlera e Kampionatit do të rritet akoma më shumë.

Si është kërkimi për partnerë të rinj gjatë këtyre kohërave të vështira? A ka shumë kërkesa?

Në çdo rast duhet të ketë më shumë se një ofertë, kështu që ne të mund të zgjedhim. Ky në vetvete do të ishte një sukses i madh në kohë pandemie. Pa dyshim që futbolli do të vazhdojë të ekzistojë. Ne synojmë që në sezonin e ri, të kemi një sponsor. Ne ishim gati ta shisnim emrin edhe këtë sezon. Kjo gjë nuk u realizua edhe për shkak të mungesës së përvojës nga ana jonë dhe vonesës së kryerjes së procedurave në kohë.

Nëse jepet një e drejtë madhore siç është sponsorizimi i emrit, kjo vlen edhe për disa nga të drejtat e vetë klubeve. Si do të veprohetnëse sponsori i emrit të Kategorisë Superiore do të ketë konkurrent dhe për rrjedhojë konflikt me një sponsor aktual të ndonjë klubi?

Si shoqatë, Liga Profesioniste e Futbollit ka pak të drejta që mund t’i caktojë vetë. Një shembull i kësaj është sponsori i emrit. Shumica e të drejtave qëndrojnë te klubet. Në këtë rast, kjo gjë duhet negociuar me klubin dhe në rastin më të keq, Klubi do ta vazhdojë kontratën deri në përfundim të saj duke negociuar gjithsesi me Ligën si palë për kushtet e partneritetit. Në fund të fundit, kjo gjë ka të bëjë me krijimin e vlerës së shtuar për të gjitha klubet…

Aktualisht, marketingu i Ligës është përgjegjës për të drejtën e emrit, ekziston topi i Superiores. Ku ka ende potencial për fusha të mëtejshme të marketingut?

Mendoj se këtu ekziston mundësia për të patur partnerë të specializuar që t’u shërbejnë klubeve për nevojat e tyre (si për shembull në fushën e telefonisë, transportit, veshjeve sportive, furnizues të tjerë, etj.). Ajo që përmendëm më lart në partneritet me partnerin mediatik. Ajo që duhet theksuar, është e rëndësishme të krijohet vlera e shtuar për të gjitha klubet… Nga përvoja e Ligave të tjera një fushë e re që po behet modë është gjithashtu marketimi i ‘eLiga’.

Kjo gjë do të përfshinte të gjithë organizimin dhe zbatimin. Për ta financuar atë, do të duhet ndoshta të merren të drejtat e marketingut të klubeve. Pozicion unik që ka Kategoria Superiore mendoj që i jep mjaft vlerë reklamës. Por, sigurisht që është një përvojë e mirë që ne të arrijmë vlerë të lartë reklamuese edhe kur nuk luajmë. Diskutimi për futbollin vazhdon edhe kur topi pushon. Emisionet e lajmeve si dhe emisionet kushtuar futbollit vazhdojnë të flasin gjatë. Shto këtu edhe jehonën dhe bashkëveprimin me tifozët në rrjetet sociale.

Dhe kur mund të ketë kuptim të fillohet me iniciativa të reja?

Tani jemi aktualisht të zënë me konvertimin e skenarëve të ndryshëm në plane. Ne gjithashtu do të kryejmë hulumtime të gjera të tregut këtu për të zbuluar nëse ka pasur ndryshime të sjelljeve ose nëse ndjenja e sigurisë apo çështje të tjera kanë ndryshuar. Do të jetë një sfidë e madhe për t’i kthyer njerëzit në sjelljet e tyre të vjetra. Koha është jashtëzakonisht e rëndësishme këtu. Ka shumë rëndësi nëse bëhet e mundur që tifozët kthehen në stadium. Tani kemi shumë koncepte të gatshme që mund të zbatohen relativisht shpejt.

Liga u afirmua si aktor në arenën sportive nëpërmjet 4 kërkesave drejtuar kryeministrit. A besoni ende në plotësimin e tyre?

Jemi në fushatë zgjedhore dhe nuk do të doja ta cekja këtë gjë. Megjithatë, mund të them që konkretizimi i tyre do të ishte një shërbim i mirë që politika do t’i bëjë vendit. Siç është përmendur edhe në relacionin mbi 4 kërkesat drejtuar kryeministrit, sporti është një nevojë publike dhe si e tillë kërkon vëmendjen dhe financimin nga ana e organeve drejtuese të çdo shteti.

Pra, financimi në sport nuk është luks, as tekë apo kërkesë e veçantë e Ligës apo e klubeve tona sportive, por është detyrë themeltare e çdo qeverie në çdo vend të zhvilluar dhe demokratik. Fakti që kërkesat u konsideruan të drejta më bën të besoj që është vetëm çështje kohe realizimi i tyre.

Dhe së fundmi, janë më se 3 muaj që kryetari i Ligës, z.Libohova ka dhënë dorëheqjen. Çfarë bëhet me zgjedhjen e kryetarit të ri?

Po, është e vërtetë. z.Libohova ka dhënë dorëheqjen për shkak të ritmit dhe angazhimit maksimal që duhet në këto momente për t’u marrë me ligën dhe pamundësisë për të qenë i angazhuar plotësisht. Megjithatë, ai ka qenë i angazhuar maksimalisht për të gjitha temat që folëm dhe shumë më tepër. Nga ana tjetër, anëtarët kanë rënë dakord për procedurën e përzgjedhjes së kryetarit të ri. Ne kemi bërë njoftimet publike dhe presim fundin e muajit për vlerësimin e kandidaturave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"