Sekretari i klubit të Burrelit, Lleshaj: Humbëm vetëm një betejë, por lufta vazhdon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 16:07

Sekretari i klubit të Burrelit, Lleshaj: Humbëm vetëm një betejë, por lufta vazhdon

Sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj, nuk e bën dramë humbjen e pësuar ndaj Elbasanit. Në një prononcim dhënë gazetës “Panorama Sport”, mes të tjerash ai thotë: “Përballë kishim një skuadër të fortë dhe të mirorganizuar.

lleshaj burreli

Humbëm një betejë, por lufta vazhdon. Në dispozicion kemi dhe shumë javë të tjera dhe mundësitë për të rikuperuar hapin fals janë të mëdha”.  Në tre përballjet me Elbasanin, skuadra matjane nuk ka mundur të fitojë asnjërën. Në ndeshjen e fundit humbja e pësuar ishte me shifra më të thella se dy të parat, duke regjistruar dhe një golavarazh negativ 0-5. “Skuadra në ndeshjen e fundit u ndëshkua nga tre episode, që ishin të shmangshme, por ky është futbolli, ndëshkohesh edhe në momente ku skuadra shprehet mirë në fushën e lojës.

Tashmë ndeshjen e Elbasanit e konsideroj të mbyllur dhe vëmendja duhet të përqendrohet te ndeshja e radhës”, shton sekretari i klubit matjan, që vite më parë ka qenë ish-futbollist i matjanëve. Ndërprerja e kampionatit, për shkak të zhvillimit të ndeshjeve të skuadrës kombëtare, për sekretarin matjan ka ardhur në momentin e duhur. “Ndërprerja e kampionatit ka ardhur në kohën e duhur.

Kjo pauzë do të na shërbeje për të rikuperuar ndonjë dëmtim dhe që të jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjen ndaj Bylisit, të cilën do ta zhvillojmë në fushën tonë”, përfundon komentin e tij sekretari i klubit, Marjan Lleshaj. Skuadra nga e hëna pasdite ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Bylisit, që është planifikuar të zhvillohet në fundjavën e ardhshme.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"