“S’dua të mendoj gjyqe me Flamurtarin”, Veliu: Pres një zgjidhje, më ka ngelur peng…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 15:55

“S’dua të mendoj gjyqe me Flamurtarin”, Veliu: Pres një zgjidhje, më ka ngelur peng…

Franc Veliu ka pengje nga Flamurtari. Mospjesëmarrja në Kupat e Europës këtë sezon për shkak të mungesës së licencimit, si dhe titulli i “vjedhur” në vitin 2010, janë dy pengjet më të mëdha të ishkapitenit vlonjat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Veliu thotë se nuk ka ndërmend ta çojë në gjyq Flamurtarin dhe mendon se çështja e pagave do të zgjidhet. Mbrojtësi flet edhe për ofertat si dhe për gatishmërinë e tij për të qëndruar në Vlorë nëse gjërat rregullohen.

franc veliu

Veliu keni pasur oferta, por nuk keni vendosur ende për të ardhmen. Pse kjo vonesë?

Po, është e vërtetë që kam pasur oferta, por po pres për më të arsyeshmen.

Mund të na zbuloni se me cilin ekip jeni më afër?

Më afër nuk mund të them emra se me cilin ekip kanë avancuar më shumë bisedimet. Por kam dy ekipe që po bisedoj intensivisht për të arritur diçka.

Nuk jeni paguar për sezonin e shkuar. Po mendoni ta hidhni në gjyq klubin?

Unë jam me shpresë se çdo gjë do të rregullohet. Nuk e mendoj gjyqin. Uroj që kjo situatë të rregullohet, se nuk ka shumë kohë.

E shikoni të mundshëm qëndrimin në Vlorë këtë sezon?

Po, pa dyshim që nëse gjërat rregullohen, dëshira ime është që të rri në ekipin e zemrës.

Flamurtari në kaos, nuk ka ekip dhe nuk kanë nisur përgatitjet. Si e shikoni këtë situatë?

Për momentin më vjen shumë keq për situatën. Uroj me zemër që çdo gjë të kthehet në normalitet dhe ekipi të fillojë punën në çdo aspekt. Vlora meriton të ketë një ekip serioz dhe dinjitoz çdo vit. Shpresoj të bëhet më e mira sa më shpejt.

Çfarë ndieni kur e shikoni kështu Flamurtarin?

E para, ndiej keqardhje dhe e dyta mërzi. Mërzi sepse jam rritur te kjo skuadër dhe dua ta shikoj në çdo moment në majën e futbollit shqiptar, të jetë një ekip dinjitoz dhe elitar. Të ketë një akademi të shëndoshë dhe një menaxhim shembull. Uroj vërtet që gjërat të rregullohen dhe unë kam besim për këtë.

veliu

Çfarë pengu keni nga sezoni i shkuar?

Nga sezoni i shkuar kam peng faktin që arritëm të shkonim në Kupat e Europës dhe nuk morëm pjesë. Po pengu nga karriera si futbollist i Flamurtarit, cili është? Nga karriera ime si futbollist te Flamurtari, peng kam titullin që nuk arritëm ta fitonim në vitin 2010.

Ju kemi parë të stërviteni individualisht këto ditë, kjo pasi jeni në pritje të Flamurtarit?

Pa dyshim, kur ka pushime kaq të gjata, normal që një lojtar duhet të stërvitet. Këtë po bëj dhe unë. Jam në pritje për më të mirën dhe pse jo mos të jetë zgjedhja më e mirë Flamurtari.

Keni folur së fundmi me drejtuesit e Flamurtarit për këtë situatë?

Kemi folur miqësisht lidhur me situatën se si do shkojë nëse do të përmirësohet. Besoj se do ta gjejmë gjuhën për gjithçka.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"