Risia, themelohet “Tirana B”. Tagani: S’do të ketë largime, nuk paguajmë për Mazrekajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2013 | 13:04

Risia, themelohet “Tirana B”. Tagani: S’do të ketë largime, nuk paguajmë për Mazrekajn

Tirana-gooolTirana bën një hap cilësor në menaxhimin dhe administrimin e burimeve të veta njerëzore. Po, pasi nga ky sezon drejtuesit e klubit kanë menduar që të mos huazojnë më lojtarë në skuadrat e tjera (kryesisht në kategoritë inferiore). Këta të fundit, së bashku me disa futbollistë të tjerë që vijnë nga akademia dhe ata që nuk gjejnë hapësira në skuadrën e parë, e cila aktualisht drejtohet nga Alban Tafaji, do të krijojnë një skuadër të re, e cila do quhet “Tirana B”. Kjo e fundit do të jetë pak e shumë në formatin e simotrave europiane të tipit Barcelona B, Real Madrid B, Bajern Mynih B, etj, ekipe këto që janë krijuar posaçërisht për t’u bërë vend disa lojtarëve të tyre, të cilët nuk gjejnë hapësirat e duhura në skuadrat e para. Kështu, për të mos i humbur këta lojtarë, si edhe për t’u bërë të mundur një aktivizim më të rregullt, duke fituar edhe eksperiencën e duhur, klube të mirënjohura në botë kanë krijuar ekipet e dyta. Me të njëjtën ide dhe filozofi është themeluar edhe skuadra e dytë e bardhebluve.
Krijimi – Aktualisht Tirana ka një numër mbi 26 lojtarë në organikën e vet, nga të cilët më shumë se 7-8 mbeten gjithnjë jashtë formacionit, ose më mirë jashtë 18- shes. Përveç këtyre, Tirana ka huazuar në fillim të sezonit në skuadra të Kategorisë së Parë edhe 3-4 lojtarë, duke qenë se për ta kishte fare pak ose aspak mundësi aktivizimi. Për të bërë të mundur që të gjithë këta lojtarë të kenë mundësi jo vetëm të stërviten në fanellën bardheblu, por edhe të luajnë me të, është krijuar Tirana B. Ekipi do të drejtohet nga ish-futbollisti dhe ish-trajneri i bardhebluve, Ardian Mema (ka drejtuar edhe Kombëtaren U-17 dhe skuadrat e moshave te Tirana). Natyrisht, edhe për këtë skuadër bashkia do të ndajë një fond të veçantë, i cili kuptohet do të jetë shumë herë më i vogël sesa ai që jepet për ekipin e parë që luan në Superiore.
Regjistrimi – Ideja e drejtuesve është miratuar tashmë dhe, referuar informacioneve, skuadra do të regjistrohet në shkurt në Sektorin e Garave të Federatës Shqiptare të Futbollit sipas të gjitha rregullave dhe do të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë së Tretë. Për sqarim, duke qenë një skuadër totalisht e re, e krijuar rishtazi, atëherë në bazë të rregullores së FSHFsë skuadra duhet ta nisë aventurën në kampionatin shqiptar nga kategoria më e ulët e mundshme, e cila është pikërisht e Treta. Ndërkohë, sipas drejtuesve, “Tirana B” do të ketë pretendime për ngritje deri në Kategorinë e Parë dhe një gjë e tillë mund të arrihet minimalisht në harkun e dy sezoneve (nëse skuadra do të jetë kompetitive).
Futbollistët – Te kjo skuadër (jo zyrtarisht dhe me përafërsi) mund të luajnë lojtarë si: Françesko Pigoni, Gabriele Mezini, Dario Xhuti, Enkel Dauti (i huazuar te Dinamo), Eugen Shima (i huazuar te Mamurrasi), Mateus Levendi (i huazuar te Partizani), por pse jo edhe të tjerë nga ekipi i parë që kanë luajtur fare pak gjatë fazës së parë (Gentian Muça, Gerald Tushe dhe disa lojtarë nga skuadra U-19 e moshave). Gjithsesi, të gjithë këta të fundit do jenë pjesë edhe e skuadrës së parë, dhe trajneri do ketë mundësi që t’i marrë kurdoherë, në çfarëdo ndeshje, kur e sheh të nevojshme (mund të ndodhë që të ketë shumë të dëmtuar e të pezulluar, kësisoj për të plotësuar 18- shen mund të thirren lojtarë nga Tirana B).

PËRFITIMET E KLUBIT
1. Rritet imazhi i klubit, i cili tashmë do të operojë në kampionat me dy skuadra.
2. Rritet mundësia e aktivizimit të lojtarëve, kryesisht ata që kanë pak hapësira në ekipin aktual.
3. Shans për lojtarët që vijnë nga akademia dhe jo vetëm, pasi duke luajtur me “Tirana B” mund të shpërthejnë e të luajnë më pas me ekipin e parë.
4. Një mundësi më shumë për klubin për të prodhuar lojtarë dhe më pas për t’i shitur ata në klube të tjera.
5. Mundësi për një lojtar që, pas një momenti të vështirë në ekipin e parë, mund të rigjejë veten dhe të rikthehet duke luajtur te Tirana B.
6. Mundësi edhe për trajnerin, i cili në një moment të vështirë, dëmtimesh apo pezullime lojtarësh, mund ta kthejë kokën te Tirana B.

Ja me cilët mund të luajë në kampionat “Tirana B”
Tirana B do të luajë në Kategori të Tretë. Sipas formatit të garave në kampionatin shqiptar të futbollit, Kategoria e Tretë është kampionati i nivelit të katërt dhe më minimal i futbollit profesionist në Shqipëri. Në sezonin 2011-2012 morën pjesë pesë skuadra (FK Farka, FK Vora, FK Gostima, FK Belshi dhe FK Shëngjini), dhe fituesit fituan të drejtën për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë. FK Vora u shpall kampione dhe për 2012-2013 luan në Kategorinë e Dytë. Skuadrat e renditura të fundit nuk mund të bien nga kategoria, pasi nuk ekziston një kategori më e ulët sesa kjo, por mund të provojnë sezonin tjetër (këtë aktual) për t’u ngjitur një kategori më lart, ose për një renditje më të mirë. Klubet regjistrohen sikundër ato të kategorive të tjera (asaj të Dytë, të Parë dhe Superiore), teksa në mes të muajit shkurt (data nuk është përcaktuar ende) hidhet edhe shorti për kalendarin e ndeshjeve. Ato luhen me dy faza (vajtje-ardhje) në muajin mars-prill, ndërsa finalja zhvillohet në maj. Duke mos përjashtuar ndonjë surprizë edhe për këtë sezon (2012-2013), Kategoria e Tretë do të ketë pesë skuadra: FK Farka, FK Shëngjini, FK Gostima, FK Belshi dhe Tirana B.

TaganiTagani: S’do të ketë largime, nuk paguajmë për Mazrekajn
Tirana vazhdon të ketë dilema në merkato. G.Lika, Fortunat dhe Mazrekaj po mbajnë pezull grupin. Klubi e ka tashmë një “po” në parim me sulmuesin nga Haiti. Sa i përket shkodranit, kuotat e rinovimit të kontratës së tij rriten nga dita në ditë. Ndërsa për kosovarin, drejtuesi janë të vendosur që të mos paguajnë 15 mijë euro për kartonin e tij. Për këto dhe të tjera flet administratori Salih Tagani, në intervistën e dhënë një ditë më parë për “Panorama Sport”.
Merkatoja ka mbetur pezull, si po ecin bisedimet e fundit?
Deri sot (dje) jemi në vendnumëro, por me kalimin e ditëve do qartësohen shumë dilema. Grupi mendoj se do të vijë drejt konfigurimit, pasi fatmirësisht bazën e kemi.
Kur do të jepet verdikti për provën e Herbi Fortunat?
Mendoj se nesër (sot). Trajneri ka planifikuar që të zhvillohet një test me ekipin e të rinjve. Nëse ai bind totalisht, atëherë do të ulemi për të biseduar.
Keni një marrëveshje paraprake me këtë sulmues?
Jo, ende, sepse fillimisht do t’i nënshtrohej provës me grupin, më vonë do flisnim për kushtet e kontratës dhe të tjera si këto.
Me Gilmanin çfarë po ndodh?
Telenovela vazhdon (qesh). Na duhet të bisedojmë edhe për disa gjëra të vogla, por jam optimist për rinovimin e tij, derisa lojtari vazhdon të stërvitet me ekipin tonë.
Jeni të gatshëm të paguani për Mazrekajn?
Për momentin jo, me gjithë dëshirën që kemi për ta pasur në ekip. Ata ndoshta mendojnë se Tirana e ka arkën plot, aq sa mund të japë para edhe hua, mirëpo kjo nuk bëhet. I mirëkuptoj drejtuesit kosovarë, të cilët duan të përfitojnë, por është e pamundur.
Flitet shumë për afrime, po largime a do të ketë?
Jo, nuk besoj. Nuk do të ketë largime.
Po huazime?
Deri më tani nuk kemi vendosur ndonjë gjë të tillë, më vonë të shohim. Gjithsesi, kjo temë mbetet për t’u diskutuar.
Abilaliaj kërkohet nga Partizani, a jeni në dijeni?
Unë jo, të them të vërtetën.
U diskutua për një grumbullim të ekipit, kur do të ndodhë?
E kishim planifikuar për nesër (sot), por me shumë gjasa do të ndodhë të enjten.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"