REPORTAZH/ Kale bën këngëtarin, Xhafës i “humb” Egboja. Tirana kërkon mrekullinë e dytë në Bernë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2020 | 14:06

REPORTAZH/ Kale bën këngëtarin, Xhafës i “humb” Egboja. Tirana kërkon mrekullinë e dytë në Bernë

A keni dëgjuar për mrekullinë e Bernës? Po, dhe është nga ato që i takojnë futbollit. Kështu është quajtur fitorja e Gjermanisë kundër Hungarisë (3-2) në finalen e Botërorit 1954 që është luajtur pikërisht në “Vankdorfstadion” të Bernës. Gjermanët thyen të gjitha parashikimet, pasi Hungaria e yjeve si Ferenc Pushkash konsiderohej favorite absolute. Dhe imagjinoni pak, ndeshja nisi 0-2 për hungarezët. Pikërisht për këtë u quajt mrekullia e Bernës… Po sot Tirana a mund të bëjë një mrekulli? Ka shumë arsye për t’i luajtur çmendurisht 90 minuta. Për historinë e klubit më të madh në Shqipëri apo edhe për 100- vjetorin e lavdishëm… Mjafton që në fund Tirana të kualifikohet. Themi kështu, sepse bardheblutë do të tentojnë të bëjnë sot të pamundurën të mundur.
120302180_2697092320546873_2848187463714693479_o
Ka në dorë 90 minuta për t’u ngjitur në Olimpin e më të mëdhenjve të futbollit shqiptar për të treguar se është skuadër e madhe edhe jashtë Shqipërisë, që nuk është rastësisht këtu dhe për të arritur fazën e grupeve dhe për tre milionë eurot. Rruga TiranaBernë është e mbuluar me para, ashtu siç është i pasur edhe qyteti i Bernës, “shtëpia” e bardhebluve për dy ditë. Qendra e bankave dhe qyteti që duhet të “pushtojë” Tirana dhe jo vetëm. Tirana duhet të bëjë gjëra të mëdha për të pushtuar qytetin e ëndrrave, siç është Berna.

NISJA
120234586_330883087976282_3782136392775997343_n

I përpiktë si orët zvicerane ka qenë delegacioni i Tiranës. Në aeroport të gjithë, veç Shkëlqim Hajdarit, i cili një ditë më parë është operuar, edhe pse kishte planifikuar të udhëtonte me bardheblutë. Këtë herë nuk ka pritje në aeroport, por imbarkim në avion dhe nisje të menjëhershme. Qetësi dhe kthjelltësi nga të gjithë deri në tokën e historisë.

UDHËTIMI
120464808_2696000083989430_2857447027091600108_o (1)
Në avion nuk pushon muzika. Është këngëtari Arif Dusha që ia merr këngës së bashku me Elton Kalenë, njëlloj si pas fitores me Dinamon e Tbilisit. E përpiktë në maksimum edhe linja ajrore nga Tirana në Bazel, teksa fluturimi zgjat rreth 1 orë e 20 minuta. E njëjta gjë edhe gjatë udhëtimit me makinë nga Bazeli në Bernë. Hoteli që ka zgjedhur klubi Tirana për të qëndruar delegacioni është në qendër të qytetit, në krah të parlamentit dhe Bankës së Zvicrës, mbi një kodër që dominon qytetin. Një hotel shik mes arkitekturës zvicerane dhe postmodernizmit.

HOXHALLARI
Hoxhallari

Erjon Hoxhallari është një nga lojtarët më të vjetër të skuadrës. Ka vuajtur pak dhimbjet në shpinë, por tani është mirë. Nuk do të luajë titullar në sfidën me Jang Bojsin, pasi ka një lëndim. Sikur të mos mjaftonte kjo, në avion i shqepet anësorja e xhaketës dhe detyrohet që stjuartët t’i bëjnë riparime, duke u mbyllur në tualet.

BATUTAT
KALE

Presidenti Refik Halili dhe dy gazetarët Ylli Aga e Fatmir Mneri gjatë pritjes për të kaluar kufirin shkëmbejnë përshtypje me njëri-tjetrin. Tre tirons bashkë, dihet, kanë vetëm histori dhe batuta të këndshme. Grent Halili dhe Ilion Lika mbyllin zinxhirin e delegacionit. Nuk mund të rrinte pa thënë diçka edhe Elton Kale që mbahet për humorin e tij. Duke bërë udhërrëfyesin në aeroport, thotë: “Djathtas, djathtas e di unë rrugën, sepse këtu kam shtëpinë”. Kristi Vangjeli, që qëndron gjithmonë në fund me magazinierin Hajdar Karaj, është nga më aktivët në biseda, ndërsa për ndeshjen nuk do të flasë. Kujton vetëm sfidën mes Skënderbeut dhe Jang Bojsit dhe thotë se realisht kanë qenë shumë të fortë: “Na mbytën në atë ndeshje në fushën e tyre. Nuk e harroj”. Ai që e mbyll është presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi sheh të gjithë, thotë: “Sa shumë paskeni qenë në avion”.

DAROVITJA
Egbo

Rruga është darovitur edhe me ndonjë lek, pasi dikujt nga stafi i bardhebluve i kishin humbur 50 euro. Erjon Xhafa nga ana e tij, në hotel, kërkonte Egbonë. I kishte humbur. Gjithsesi, me ndërrime dhomash ia dilet.

MASAT
Në Zvicër të bie në sy fakti që rrallëherë sheh njerëz me maska. Në rrugë dhe kudo ka njerëz të kthjellët. Ama e detyrueshme maska ishte vetëm nëpër autobusët e linjës së qytetit që janë të gjithë elektrikë. Indiferenca e njerëzve është normale. As nuk pret më shumë. Moskokëçarës, edhe shqiptarët vazhdojnë me indiferentizmin e tyre, njëlloj si zviceranët.

BERNA
Bern_luftaufnahme

Një qytet i vizatuar me dorë, ashtu si rrugët, godinat. Standardi është shumë i lartë. Nuk ka kaos, trafik apo ndotje akustike. Biçikleta dhe pak makina. Lëvizja është e qetë, ndërsa bukuritë të papërsëritshme. E vetmja gjë që mund të shash është vetëm fakti që çdo gjë është në perfeksion, por jo. Nuk e shan dot. Në drekë askush nuk lëviz nëpër rrugë, ndërsa pasditja është shumë e këndshme. Njerëzit dhe qyteti në lartësinë e situatës dhe delegacioni bën të pamundurën për ta njohur. Kudo drita, autobusë elektrikë, tramvaje dhe sigurisht shqiptarë, që i takon ngado. Janë të gjithë të gjindshëm dhe të ndihmojnë me ç’të mundin. Egbo është i vetmi që nuk kuptohet nëse është i tensionuar apo i kthjellët, sepse e fsheh shumë mirë presionin. Të tjerët në gjemba. Nga i pari deri tek i fundit.

STËRVITJA
120312778_2696524383937000_2994177228568623793_o

Para stërvitjes së fundit, ndonjë kafe e shpejtë dhe më pas në stadium. Gjithçka perfekte dhe kudo njerëz që të ndihmojnë. Skuadra shkëlqen në fushën e lojës para syve të presidentit Refik Halili. Mësojmë se futbolli nuk është sporti kryesor i Jang Bojsit. Hokeji në akull dhe çiklizmi dominojnë tifozërinë që nuk do të jetë në stadium. Çmimet e biletave pak më të shtrenjta se në Tiranë, por ia vlen. Presidentin Halili nuk e mban vendi dhe shkon të shohë skuadrën. Shaka dhe buzëqeshje në stërvitjen e fundit të bardhebluve që njihen me fushën dhe barin sintetik. Delegatët e UEFA-s, aty në stadium si gjithnjë. Matin çdo lëvizje me shkresa. Stërvitja mbyllet e qetë dhe më pas drejt e në hotel. Nata do të jetë e gjatë dhe ëndrrat akoma më të bukura. Kualifikimi është qëllimi i Tiranës që sot luan në Bernë për mrekullinë dhe historinë.

Nga i dërguari ynë në Zvicër

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"