REPORTAZH/ Dy fugona për udhëtimin dhe dy dhoma zhveshjeje, Besëlidhja post-pandemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 23:26

REPORTAZH/ Dy fugona për udhëtimin dhe dy dhoma zhveshjeje, Besëlidhja post-pandemi

Nga e hëna, nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori dhe ndihmësit të tij Gledis Lani, Besëlidhja rinisi stërvitjen pas zbutjes së masave shtrënguese nga pandemia. Përveç futbollistëve lezhjanë, në Lezhë banojnë edhe 4 serbë, portieri Vukashiniviç, mesfushorët Gjorgjeviç dhe Çokiç dhe sulmuesi Jovanoviç, si dhe kavajasi Edmond Hoxha. Të tjerët, përfshirë edhe trajnerin Plori, vijnë nga qytete që mbeten zona të kuqe, si Shkodra, Tirana dhe Laçi. Nga Shkodra udhëtojnë drejt Lezhës mbrojtësit Dibra, Rustemaj dhe Ruqi, mesfushori Hepaj, sulmuesi Hajdari dhe trajneri Plori. Nga Tirana udhëtojnë Koleci, R.Hoxha, Merdini dhe Moqi, ndërsa nga Laçi Bushi. Klubi ka vendosur në dispozicion të futbollistëve që vijnë nga Shkodra e Tirana dy Sharonë, ndërsa disa futbollistë udhëtojnë me automjetet e tyre private.
BeselidhjaStadiumi “Besëlidhja” i ka plotësuar të gjitha kushtet që kërkon ligji dhe rregullorja e vendosur për këtë situatë. Dhomat e zhveshjes janë në dispozicion të futbollistëve, ata që vijnë nga rrethet kanë atë të miqve, ndërsa lezhjanët dhe ata që banojnë në qytet ata të vendësve, duke plotësuar kështu kushtin e distancimit social. Të gjithë futbollistët që vijnë nga zonat e kuqe janë të pajisur me lejen e posaçme të lëvizjes për vete dhe automjetet. Të martën skuadra u grumbullua pasdite dhe kështu do të vazhdojë gjatë gjithë kësaj jave. Stërvitja zhvillohet normalisht, me lojtarët që mundohen të ruajnë largësinë në fushë dhe kur bëjnë analizën apo edhe në dhomat e zhveshjes.

Me Besëlidhjen në stërvitje janë bashkuar edhe dy futbollistë të U-19-ës, mbrojtësi Redinel Gjikolaj dhe mesfushori Gjergj Përgjoni. Të gjithë janë të kënaqur me kushtet e krijuara nga klubi. Sulmuesi kavajas, Edmond Hoxha, i cili banon vetëm në Lezhë, është një besimtar i rregullt dhe agjëron për Ramazan. Ndonëse është kohë pandemie dhe tani ka nisur edhe stërvitjen, ai e ndien veten shumë mirë dhe këtë e shpreh për “Panorama Sport”: “Pavarësisht se është një situatë pandemie, jam besimtar i Zotit, ndaj jam në agjërim. Kam nisur stërvitjen dhe jam edhe më i qetë, sepse një pjesë të pasdites e kaloj me kolegët futbollistë. Jam stërvitur edhe individualisht, pasi banoj në Lezhë dhe kam kohë të mjaftueshme. Për objektivin po stërvitemi fort e kjo do të na ndihmojë të jemi në formë dhe t’ia dalim me sukses”.

Besëlidhja renditet ne vend të dytë, 9 pikë larg Kastriotit kryesues, por derisa është në lojë matematika, të gjithë kanë shpresa se mund ta kapin kreun, edhe pse kuptohet se shpresat më të mëdha i kanë te ndeshjet shtesë.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"