Reja i heq Hysajt shiritin e kapitenin, “gradon” Etrit Berishën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 8:57

Reja i heq Hysajt shiritin e kapitenin, “gradon” Etrit Berishën

Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Edi Reja është shoqëruar nga portieri Etrit Berisha për t’iu përgjigjur interesit të gazetarëve. Në prag të ndeshjes me Kosovën, ndonëse edhe Elseid Hysaj është në grumbullim, trajneri italian ka vendosur të prezantohet në konferencën zyrtare me portierin dhe jo me mbrojtësin e djathtë.
biseda
CILI ËSHTË KAPITENI
Qartësisht duket se atmosfera në Kombëtare nuk është më e mira e mundshme. Si për ta vërtetuar këtë, është edhe sinjali i dhënë dje në konferencë, kur Reja del përkrah Berishës dhe jo Hysajt. Për të konfirmuar se ambienti brenda në ekip nuk është ndër më të mirët e mundshëm, mjafton të lexohet biseda e bërë mes portierit dhe trajnerit. Sapo nisi konferenca zyrtare, është Etrit Berisha, i cili duke harruar se mikrofonat janë të hapur, pyet italianin nëse ky i fundit kishte folur apo jo me Hysajn për daljen e tij në konferencë. Berisha, duke kërkuar të respektojë hierarkinë në skuadër, dëgjohet në mikrofona dhe shihet në video teksa e pyet Rejan nëse e ka njoftuar Elseidin, thjeshtë për të shmangur keqkuptimet. Aty për aty, italiani i përgjigjet portierit se është diçka të cilën e ka thënë edhe herë të tjera, se për Rejan, kapiteni është ai vetë, pra portieri.

ÇFARË PO NDODH
hysaj

Një vendim i tillë i trajnerit, rrëzon edhe votimin e mëparshëm të bërë nga skuadra, për të graduar Hysajn si liderin e Kombëtares. Mirëpo, në rast se një vendim i tillë vjen si rrjedhojë e deklaratave të bëra nga kreu i FSHF-së, disa javë më parë në mediat napolitane, dhe kapitenin ta vendosë presidenti i Federatës, atëherë kjo gjë nuk shkon. Qartësisht, kuptohet që në skuadër, qoftë nga ndryshimet e shumta, afrimet e shumta të lojtarëve, rezultateve të fundit apo diskutimeve me skemën dhe vendosjen e lojtarëve në role jo specifikisht natyrale, nuk ka një soliditet për t’u admiruar. Si për ta treguar se deklarata e trajnerit nuk ka gjetur asnjëherë zbatim në fushë, mjafton të shihen ndeshjet e zhvilluara nga trajneri reja në krye të Kombëtares, ku në katër prej tyre kur në fushë kanë qenë Berisha dhe Hysaj, në asnjë ndeshje shiriti nuk është mbajtur nga portieri. Në dy prej tyre kapiten ka qenë Hysaj, në një Mavraj dhe në një tjetër Memushaj.

VIDEO/ “A ke folur me Hysajn për shiritin e kapitenit?”, Reja dhe Berisha dalin zbuluar para konferencës për shtyp

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"