Qerimaj: Klubi trajton parazitët, jo kampionët e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2014 | 9:00

Qerimaj: Klubi trajton parazitët, jo kampionët e Europës

rama me QerimajnSport Klub Vllaznia i ul trajtimin ushqimor kampionit të Europës në peshëngritje Erkand Qerimaj. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Qerimajt. Kampioni absolut është rrëfyer për “Panorama Sport” në lidhje me këtë problem duke akuzuar drejtpërdrejt drejtorin e Sport Klub Vllaznia, Mark Krroqi, dhe gjithë pjesën tjetër të këtij institucioni. Qerimaj ka folur me tona të ashpra për uljen e trajtimit ushqimor. Nga ana tjetër, inspektori Kujtim Shaba ka sqaruar se pse ka ndodhur diçka e tillë. “Pse nuk ia kanë ulur trajtimin sportistëve të tjerë? Janë sportistë në klubin Vllaznia që kanë nga 2 vite që nuk kanë bërë garë dhe marrin sërish trajtim. Unë s’kam bërë ndonjë kontratë me Sport Klub Vllaznia. Të tjerëve nuk i është ulur trajtimi ushqimor. Unë vij nga Greqia, harxhoj paratë e mia për Vllazninë dhe ata u japin trajtim sportistëve që nuk bëjnë garë prej dy vitesh. Kjo është skandaloze. Edhe vjet këtë punë kanë bërë. Qysh se ka ardhur Mark Krroqi në krye të Sport Klub Vllaznia ma kanë ulur dy herë trajtimin ushqimor. Herën e parë e kanë ulur vitin e kaluar dhe tashmë e njëjta gjë ndodh edhe këtë vit. 50 mijë lekë të rinj është trajtimi ushqimor që unë marr. Këtë unë e kam me vendim të Këshillit Bashkiak. Tani këta çohen peshë dhe e ulin, nuk e kuptoj pse ndodh. U japin parà parazitëve që nuk bëjnë garë dhe na ulin ne trajtimin. Kjo ka ndodhur në Sport Klub Vllaznia, eja e dëgjoje këtë histori. Unë kampion Europe, që nuk ka parë ndonjëherë historia e Shqipërisë, më ulin trajtimin, është çmenduri ta dëgjojë njeri! Nuk kam dashur që ta prek këtë pjesë, por ata e meritojnë që t’i them se duhet të kenë turp që i japin para sportistëve që nuk bëjnë garë e nga ana tjetër merren me mua. Unë për Vllazninë në kampionatin kombëtar theva dorën, pikërisht për Vllazninë. Të tjerët nuk vijnë nga Shkodra për të garuar e u japin trajtim. Unë vij nga Greqia, harxhoj paratë e mia e kohën time për të garuar për Vllazninë në kampionat e këta më heqin trajtimin. Edhe vitin e kaluar në Elbasan e njëjta histori. Unë erdha nga Greqia e përsëri më ulën trajtimin. Kam vrarë dorën për Vllazninë duke rrezikuar kampionatin botëror. Duan veç t’më bëjnë nervoz, nuk i kuptoj. As pritje s’më kanë bërë kur u shpalla kampion Europe. Më priti kryeministri, kryetari i Parlamentit, kryetari i PD-së e gjithë Shqipëria, ndërsa në Shkodër s’më priti as Sport Klub Vllaznia e as Bashkia”.

Shaba: Askujt nuk i është ulur trajtimi
Pas akuzave të hedhura nga kampioni i Europës në peshëngritje, “Panorama Sport” mori edhe një reagim nga klubi i shumësportëshit Vllaznia. Në prononcimin e tij inspektori i klubit Kujtim Shaba u shpreh: “Nuk i është ulur askujt trajtimi ushqimor. Këta kanë qenë me një kontratë për 10 muaj dhe në dy muajt e fundit ulet pak, sepse kontrata nuk është vjetore, por vetëm për 10 muaj. Vitin tjetër them se shkon sërish njësoj. Do të zhvillohet një mbledhje për vitin e ardhshëm dhe do të diskutohet nëse do të jepen trajtimet për 10 apo për 12 muaj. Sportistëve u intereson për 10 muaj, sepse rritet shuma. Nëse duan për 12 muaj, atëherë duhet të marrim diçka më pak”.
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"