Projekti për mbijetesën, gati “revolucion” në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2016 | 14:25

Projekti për mbijetesën, gati “revolucion” në janar

Korabi ka marrë pushimet. Fitorja në finish u dha qetësi dibranëve në këtë fundvit. Megjithatë, ai trepikësh nuk do të shmangë “revolucionin” në ekip. Pritet që në janar skuadra dibrane të pësojë ndryshime të mëdha në hyrje-dalje. Do të ketë largime, ndërsa pas bilancit që do të bëjë stafi teknik, me ata që nuk kanë bindur pritet të zyrtarizohet “divorci” i parakohshëm. Në varësi të “spastrimeve”, do të bëhen edhe afrimet.

Korabi stervitje

Megjithatë, drejtuesit, para se të mendojnë për të përforcuar ekipin, fillimisht presin garanci financiare. Në varësi të buxhetit që do të vihet në dispozicion, do të bëhet edhe merkatoja. Klubi ndërkohë ka shlyer të gjitha detyrimet e këtij viti sipas kontratës me çdo futbollist.

Skuadra dibrane ka arritur tashmë në kuotën e 11 pikëve, duke u afruar shumë ekipeve rivale që do të jenë për mbijetesën. Një meritë ka dhe trajneri Gerd Haxhiu, që solli një mentalitet të ri dhe grumbulloi pikët e premtuara. Ai në 3 ndeshjet e fundit pati kërkuar 3 pikë nga ekipi i tij, ku parashikoheshin ose tre barazime, ose një fitore, po në finish skuadra mori 4 pikë në total, duke ndalur në barazim Kukësin dhe fituar me Flamurtarin.

Ky triumf erdhi pas 12 javësh pritjeje, pasi kujtojmë që e fundit herë që fitonin ishte ndaj Teutës në fazën e parë. Korabi nuk ka në plan që të dorëzohet këtë vit, megjithatë që të realizohet ky “mision” duhen përforcime në organikë.

Punimet në stadium

Korabi pritet që nga 2017-ta të luajë në Peshkopi. Prej ditës së hënë, do të nisin punimet për rikonstruksionin e stadiumit të qytetit dhe nga sa mësohet ato do të zgjasin vetëm 25 ditë. Kështu ekipi ka shpresa të mëdha që fazën e tretë ta nisë në stadiumin e vet, duke i dhënë kështu fund “migracionit”. Ky fakt do të favorizojë ekipin në objektivin mbijetesë, pasi nuk kanë qenë të pakta rastet që në 18 javët e para është dëmtuar pikërisht nga faktori fushë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"