Presidenti Syla: Me Ilirinë dua vetëm fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:35

Presidenti Syla: Me Ilirinë dua vetëm fitore

Në një analizë të përgjithshme të skuadrave të Kategorisë së Parë, shumë prej tyre kanë probleme financiare të deklaruara dhe të padeklaruara. Por skuadra e Tërbunit, e cila qëndron në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, është ndër të vetmet që ka kampionati që është korrekte me pagesat e lojtarëve dhe me grumbullimet për çdo ndeshje. Ndër të tjera, ka pasur edhe premio për fitoret e arritura si në Pukë dhe jashtë saj, gjë që deri më sot nuk e ka bërë ekip tjetër. Presidenca e Tërbunit kryesohet nga Petrit Syla, i cili zotëron 50% të aksioneve, i cili po mban peshën kryesore të skuadrës. “I jam përgjigjur çdo kërkese të ekipit, madje kam dalë dhe nga ajo që më takon mua. Skuadra ka pasur grumbullim për çdo ndeshje, madje ka bërë dhe minifazë përgatitore në Pukë gjatë zhvillimit të kampionatit. Për sa u përket pagesave, deri më sot nuk besoj se dikush ka ankesa, pasi edhe premio kam dhënë. Ekipi i ka merituar në ndeshjet jashtë ndërsa, në ato që janë luajtur në stadiumin tonë, unë ua kam dhënë për motivim dhe stimulim. Këtë herë kërkoj vetëm fitore ndaj Ilirisë dhe nuk toleroj asnjë rezultat tjetër. Kemi shanset më të mira që luajmë ndaj një rivali direkt, të cilin duhet ta eliminojmë nga rruga jonë. Kreu është shumë afër, ndaj dua ta arrijmë deri në javën e fundit të fazës së parë”, – ka deklaruar presidenti Syla.
Erjon Hamitaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"