EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat, ja sa do të përfitojë Partizani nga kalimi i Asanit në Suedi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 23:53

EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat, ja sa do të përfitojë Partizani nga kalimi i Asanit në Suedi

Jasir Asanit i kanë mbetur edhe 180 minuta të mundshme për të kontribuar për Partizanin, pasi nga dje sulmuesi është zyrtarisht futbollisti i AIK Stokholm. Lajmi i transferimit të 24- vjeçarit konfirmohet nga të dyja klubet dhe vetë lojtari. Të dyja klubet thjesht kanë publikuar në parim mënyrën e kalimit, por pa përmendur terma konkretë financiarë. Partizani, nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, bëri me dije se sulmuesi nga Shkupi do të kalojë në formulën e huazimit tek AIK në merkaton e janarit, ndërkohë që klubi suedez do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit në fund të sezonit.

jasir asani 1

 “Panorama Sport” ka mësuar se Partizani do të përfitojë diçka edhe nga huazimi, ku përflitet për një arkëtim rreth 150 mijë euro deri në qershor të 2020-ës. Më pas, nëse suedezët binden për shërbimet e Asanit, i bie që të hyjë në fuqi kontrata për shitjen e lojtarit nga ana e Partizanit.

Ndonëse klubet kanë qenë hermetikë në shifra, mësohet se AIK ka të drejtën e blerjes së lojtarit për një shumë afro 400 mijë eurosh, por pritet që Partizani të mbajë edhe përqindje kartoni, nga ku mund të përfitojë në të ardhmen në rast se Asani shitet nga suedezët. Sulmuesi pritet të jetë në fushë me fanellën e kuqe edhe në dy ndeshjet e fundit të 2019-ës, me Teutën fillimisht dhe më pas me Vllazninë, por aktivizimi ndaj kuqebluve varet edhe nga transferta e Durrësit, ku nuk duhet të ndëshkohet me karton të verdhë.

jasir asani

Ndërsa në ditët e para të vitit të ri, 24-vjeçari nis aventurën në futbollin suedez. Sa i përket transferimit të Asanit nga Partizani tek AIK, në Maqedoni ka qarkulluar dje një version tjetër sa i përket kontratës së lojtarit. Menaxheri i sulmuesit, Aleksandar Jovkov, i ka konfirmuar portalit “infosport.mk” se Asani ka nënshkruar kontratë për dy vite, me opsion për të vazhduar edhe për një vit tjetër me AIK Stokholm. Megjithatë, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi vetëm gjatë muajit qershor, pasi në 6 muajt e parë do të jetë në formë huazimi te klubi suedez. Ndërsa duke filluar nga janari i vitit 2020, Asani do të luajë në formë huazimi tek AIK Stokholm.

Asani Partizani

SUEDEZËT

Pritshmëritë për Asanin janë të larta, teksa këtë gjë e tregon më së miri edhe optimizmi i drejtorit sportiv të AIK, Bjorn Uestrom, i cili për faqen zyrtare është shprehur: “Ne dëshirojmë që Jasiri ta ndihmojë sulmin tonë në disa mënyra të ndryshme dhe kështu të zhvillojmë ofensivën e ekipit, që të jemi sa më kërcënues për rivalët. Mezi presim të punojmë me të që nga fillimi në janar”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"