Egnatia me mendjen te finalja, Tetova do të bëjë rrotacion në ndeshjet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 11:05

Egnatia me mendjen te finalja, Tetova do të bëjë rrotacion në ndeshjet e fundit

Egnatia luan të shtunën me Teutën në Durrës. Një kundërshtar ky që rrogozhinasit nuk e kanë mundur asnjëherë në 3 ndeshjet e mëparshme të këtij sezoni.

egnatia

Transferta në “Niko Dovana” vështirësohet më tepër edhe nga fakti se trajneri Tetova nuk ka të gatshëm 3 titullarë, siç janë Edison Ndreca i dëmtuar dhe Albano Aleksi e Arbenit Xhemajli të pezulluar. Rikthehet ndërkohë Alesandro Ahmetaj.

FINALJA – Përveç Teutës, kryesuesit e Superiores ndeshen edhe me Dinamon dhe Tiranën në kampionat. Atyre u duhen edhe 4 pikë për të garantuar vendin e parë, nëse rivalët i fitojnë të gjitha ndeshjet. Avantazhi prej 5 pikësh i jep komoditet Egnatias për të menaxhuar situatën dhe kuptohet që një vëmendje të veçantë merr finalja e Kupës kundër Kukësit, që luhet më 14 maj në “Air Albania”. Kjo ndeshje është vlerësuar maksimalisht, duke ditur që Kukësi ka eliminuar Tiranën dhe Partizanin, ndërkohë që për rrogozhinasit mungon Aleksi. Shpresat janë që të rikuperohet në kohë Ndreca, mbrojtësi i dëmtuar kundër Vllaznisë në Kupë.

RROTACION – Trajneri Tetova theksoi pas humbjes me Vllazninë se në 3 javët e mbetura do të aktivizohen të gjithë futbollistët për të marrë ngarkesë fizike. Në anën tjetër, krijohet mundësia për të çlodhur ata që kanë më shumë minuta në këmbë, si Fangaj, Malota, Zejnullai e Fernando. Rrogozhinasit duan të ruajnë vendin e parë, por duke bërë rotacion.

GJATA-DRAME-LUBAS – Nga lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit vetëm Dylis dhe Ibrahimoglu kanë bindur. Gjata e nisi mirë, duke shënuar 2 gola në 4 ndeshje, por dëmtimi e detyroi sulmuesin fierak të ndalej për afro 3 muaj. Për të pritshmëritë janë të mëdha, pasi konsiderohet si një alternativë e Montenegros në majën e sulmit. Drame dhe Lubas nuk kanë dhënë atë që pritej. Francezi nuk ka treguar asgjë për të merituar vendin në formacion. Edhe Lubas është zhgënjim deri tani për drejtuesit e klubit. Për këta tre lojtarë, këto 3 javë kampionati janë një moment që duhet shfrytëzuar, për të qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës sezonin e ardhshëm.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"