Kthehen tifozët, ish-sulmuesi Vyshka: Elbasani të mposhtë Bylisin për prestigj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 11:42

Kthehen tifozët, ish-sulmuesi Vyshka: Elbasani të mposhtë Bylisin për prestigj

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e këtij sezoni, Elbasani është një hap larg shpalljes kampion i Kategorisë së Parë. Nëse Bylisi nuk fiton në Vorë dhe nga ana tjetër verdheblutë mposhtin Tomorin në shtëpi, atëherë sigurojnë matematikisht edhe vendin e parë, duke mos i lënë shpresat e titullit te një finale në fund me mallakastriotët.

FOTO: F.Hazisllari

FOTO: F.Hazisllari

Një lajm i mirë para ndeshjes me beratasit është edhe rikthimi i tifozëve në stadium pas katër javë mungese. Për fat të keq, nuk patën mundësi të gëzonin për arritjen në elitë, sepse ishin të dënuar, por mund të kremtojnë titullin kampion.

VYSHKA – Ajo që po tregon skuadra e Elbasanit këtë sezon, ka rikthyer entuziazmin e të gjithëve në qytet, sidomos tek ata që kanë dhënë një kontribut për këtë klub. Andi Vyshka, ish-sulmuesi, pjesë e verdhebluve në fillim të viteve 90-të, dhe numëron një Kupë dhe Superkupë me këtë skuadër, pohon për “Panorama Sport”, se Elbasani duhet të tregojë veten dhe të fitojë me Bylisin. “Ndoshta në ndeshjen e fundit me ballshiotët, Elbasani mund të shkojë si kampion apo t’i mjaftojë barazimi për të qenë i pari, por duhet të fitojnë për prestigj.

andi vyshka elbasani

Për mua janë pa diskutim ekipi më i mirë i kësaj kategorie dhe trajneri bashkë me stafin kanë bërë një punë që është e vështirë për të gjetur defekte, sepse në futboll ata që flasin më shumë janë rezultatet. Mirëpo, edhe për t’i dhënë një kënaqësi më shumë tifozëve, i duhet një fitore me Bylisin. Do të ishte kurorëzimi perfekt i një edicioni që po e rikthen Elbasanin aty ku duhet”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti elbasanas. Më tej, ai u ndal pak edhe tek Elbasani i Superiores, dhe këshilloi të qëndrojnë me këmbë në tokë, edhe pse nuk e përjashton mundësinë që të bëjnë një tjetër mrekulli edhe aty. “Të gjithë e dinë që Superiorja është tjetër gjë.

Për një ekip që sapo ngjitet në elitë është shumë e vështirë për të qenë konkurrues për titull kampion, sepse do të përballet me ekipe që aktualisht janë të konsoliduara dhe që kanë një grup kompakt. Elbasani ka nevojë për të bërë afrime dhe këta lojtarë duan kohën e vet të adaptimit, ndaj ky është një minus në krahasim me rivalët. Megjithatë, me atë që ka treguar që nga krijimi i saj, kjo skuadër mund të bëjë sërish “mrekulli” dhe të jetë në “Final 4”, duke i dhënë mundësinë vetes të shpallet edhe kampion”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish – sulmuesi i Elbasanit.

Superioren e kanë prekur 16 lojtarë

Af Elbasani do të garojë nga sezoni i ardhshëm në Superiore, teksa ka siguruar matematikisht ngjitjen. Verdheblutë kanë një organikë të pasur dhe nga një vëzhgim i thjeshtë rezulton se 16 lojtarë të grupit aktual, kanë luajtur të paktën një ndeshje të vetme në Kategorinë Superiore në karrierën e tyre. Gjithashtu pjesë e ekipit janë edhe lojtarë me eksperiencë si: Telushi, Greca, Hila apo Edon Hasani.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"