“Kisha besim që do të shënoja në Gjirokastër”. Heroi i Pogradecit, Jurgen Peqini: Ja pse festova si Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 13:41

“Kisha besim që do të shënoja në Gjirokastër”. Heroi i Pogradecit, Jurgen Peqini: Ja pse festova si Ronaldo

Jurgen Peqini, sulmuesi 25-vjeçar nga Elbasani, në merkaton e janarit u afrua në Pogradec pas një aventure me skuadrën e Phoenix në Kosovë. Shtatlarti është kthyer në një lojtar që zgjidh situatat dhe një nga më rezultativët dhe këtë e tregojnë edhe statistikat.

JURGEN PEQINI POGRADECII

Në intervistën për “Panorama Sport” ai flet për ndjesinë e golit kundër Luftëtarit, festën, si dhe beson se titulli do të jetë i Pogradecit. Peqini dëshiron shumë të vazhdojë me liqenorët edhe sezonin tjetër.

Jurgen, gol dhe një pikë me aromë ngjitje për Pogradecin në sfidën me Luftëtari. Si ndiheni pas këtij suksesi?

Është një ndjenjë e veçantë kur shënon, por edhe më e veçantë kur ekipi arrin objektivin për të cilin ke luftuar gjithë sezonin. Ishte një emocion i bukur të shënosh në një ndeshje të tillë ndaj një rivali direkt. Tani ndihem i lehtësuar, sepse jemi 99% në rrugën e duhur. Vetëm një ndeshje na ndan për të shkuar në Kategorinë e Parë.

Tetë ndeshje, 3 gola dhe 4 penallti të fituara, mund të ishte nisur më mirë karriera me liqenorët?

E mira nuk ka fund, por besoj se janë statistika të mira dhe qartazi tregon se në çdo ndeshje kam lënë gjurmë.

Zgjodhët të festonit si Ronaldo me shprehjen: “Qetësohuni, unë jam  këtu”. E kishit menduar, apo erdhi në moment ai lloj festimi i golit?

Kisha besim që do të shënoja. Di të them që kam një eksperiencë të mjaftueshme për të përballuar emocione të forta. Prandaj zgjodha të festoj i qetë, gjë që tregoi që presioni tek mua nuk ishte.

A e ndienit presionin për rezultatin edhe nga tifozët në Gjirokastër?

Normalisht ishte një ndeshje me presion, pasi vendoste fatin e gjithë sezonit. Për sa i përket presionit nga tifozët, lojtarët profesionistë janë të predispozuar të përballojnë presionet në fushë.

A mund të themi që ishte ajo ndeshja dhe dita më e mirë që kur keni ardhur në Pogradec?

Nga rëndësia e ndeshjes dhe një rivali direkt, padyshim që po.

Besoni që nuk do ketë surpriza dhe do ta mbyllni të parët në grup?

Absolutisht po. Nuk ka rrugë tjetër veç Kategorisë së Parë.

Mendoni se është rritur vetëbesimi i skuadrës me barazimin në Gjirokastër, pas asaj ndeshjeje jo të mirë kundër Devollit?

Normal, këto janë ndeshje që kur del me rezultat pozitiv e ngrenë  moralin dhe vetëbesimin e të gjithëve. Diçka që do të duket dhe në fushë në vazhdim.

Të ardhmen e mendoni në Pogradec, apo këtë e vendos klubi?

Dëshira për të qëndruar në Pogradec është e madhe, por unë nuk kam  kontratë afatgjatë për të vazhduar. Kjo është diçka, të cilën do e vendosi klubi.

REDI DANDALLAKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"