Bylisi shkon i plotë në transfertën e Vorës, të rinjtë prioriteti i fundsezonit për ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 12:27

Bylisi shkon i plotë në transfertën e Vorës, të rinjtë prioriteti i fundsezonit për ballshiotët

Bylisi është fokusuar te sfida që do të luajë të shtunën me Vorën në transfertë, takim që starton në orën 16:00. Ballshiotët nuk kanë pushuar pas sfidës me Flamurtarin, të luajtur të hënën në “Adush Muçaj” dhe të fituar nga skuadra e Arian Bellait me rezultatin 4-2.

bylis

Bylisi ka dy takime mjaft të forta, pasi krahas vorakëve do të ndeshen me verdheblutë e Elbasanit. Megjithatë, skuadra është e qetë në aspektin psikologjik, pasi objektivi Superiore është realizuar tri javë më parë. Në këto 180-të minuta të mbetura, trajneri Arian Bellai do të kërkojë nga të tijtë të marrë maksimumin. Prej javësh është parë që ballshiotët po u japin dorën disa lojtarëve të rinj. Krahas portierit 19-vjeçar, Renato Beqaj, janë promovuar edhe Buraneli, Përndreca dhe Akibu.

Ky i fundit, ka spikatur si shënuesi më i mirë me U-19 dhe U-21, si dhe shënoi golin e parë me Bylisin kundër Flamurtarit. Gjithsesi, në një duel transferte kaq të rëndësishëm siç është ai me Vorën në fundjavë, Bylisi do të jetë me shumë mundësi i plotë, pasi nuk ka të pezulluar, por as lojtar të dëmtuar. Madje, dhe portieri titullar Renato Beqaj po shkon drejt rikuperimit. Nga lojtarët kontingjent të skuadrës së parë, janë jashtë grupit vetëm Ndreu dhe Marku, si dhe i riu vendës Skënderaj, që kanë dëmtime prej disa javësh dhe janë në fazë riaftësimi. Gjithsesi, me shumë gjasa, dy të parët do të jenë gati vetëm për sezonin e ardhshëm në Superiore.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"