Portieri Shehi: Skënderbeu im, sërish skuadra për t’u mundur në Superiore…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:04

Portieri Shehi: Skënderbeu im, sërish skuadra për t’u mundur në Superiore…

“Do jemi sërish ekipi për t’u mundur”. Është kjo bindja e liderit të Skënderbeut, Orges Shehi. Portieri durrsak, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të skuadrës në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, në një intervistë për “Panorama Sport” flet rreth ndryshimeve të fundit në klub. Ai komenton lëvizjet në merkato, ndeshjen e Superkupës, si dhe synimet e klubit për sezonin e ri.
Orges, gjatë merkatos janë larguar lojtarë si Allmuça, Muzaka, Bratiç, Xhafaj dhe Biskup, ndërkohë që janë afruar Kuli, Pejiç, Lilaj dhe Çipi. Është më i dobët, apo më i fortë ky Skënderbe?
Unë mendoj se është ruajtur grupi në pjesën më të madhe të tij dhe janë bërë disa ndërhyrje në merkato, të cilat kanë plotësuar disi largimet. Do të jemi sërish ne pretendentët për të fituar kampionatin, pasi kemi në përbërje lojtarë cilësorë, por mbi të gjitha një presidencë të përkushtuar ndaj ekipit. Tashmë presim rikthimin e Shkëmbit, që është një nga pikat kyçe të ekipit. Më pas do e kemi grupin e plotësuar. Duhet të mendojmë seriozisht për të mbrojtur titullin sezonin që vjen.
Cili mendoni se është reparti që ka më shumë nevojë për afrime?
Shikoni, blerjet janë të domosdoshme për çdo ekip, jo vetëm për Skënderbeun, pasi asnjëherë në futboll nuk ka perfeksion. Unë nuk mund të flas për repartet, por mendoj se do të vijnë përforcimet e duhura aty ku trajneri e shikon të nevojshme. E rëndësishme është që kur merkatoja të mbyllet, Skënderbeu të ketë marrë formë të plotë. Unë jam i bindur se do të jemi sërish ekipi për t’u mundur.
Më 19 gusht do të luani ndeshjen e Superkupës me Tiranën. Bardheblutë janë skuadra që ju ka mundur në finalen e kupës, si e parashikoni këtë herë?
Sigurisht që një ekipi kampion i ka hije të dalë gjithmonë fitues në çdo sfidë. Tiranës ia dimë vlerat dhe historinë që ka, por ne do të shkojmë për të fituar, pasi jemi kampionët e Shqipërisë. Për të fituar trofeun duhet të jemi shumë të përqendruar. Kam besim se ekipi do ta sjellë trofeun në Korçë.
Duke u bazuar në grupin aktual, mendoni se sezoni i ri do të jetë shumë më i vështirë për Skënderbeun?
Duke qenë se jemi kampionë për të dytin vit radhazi, do të thotë se ekipi ka fituar mentalitetin e duhur. Tashmë kemi mentalitetin e fituesit dhe do të mundohemi të fitojmë gjithçka sezonin e ardhshëm. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë, por për Skënderbeun asgjë nuk është e pamundur.
Cilës prej rivaleve u druheni më shumë?
Këtë vit mendoj se do të shohim një kampionat më të fortë se zakonisht, kjo është e sigurt. Listës së pretendenteve si Tirana dhe Flamurtari, do t’i shtoja edhe Teutën apo Vllazninë. Normalisht që ekipet janë forcuar së tepërmi, por sërish mbetemi ne ekipi për t’u mundur dhe pretendenti kryesor për fitimin e titullit. Pjesën më të madhe të grupit e kemi ruajtur dhe, për më tepër, njihemi mjaft mirë me njëri-tjetrin, pasi kemi dy vite që luajmë bashkë. Në letër jemi ne pretendentët kryesorë.
Është larguar Levi dhe ka ardhur Josa në krye të skuadrës. Keni ndonjë koment?
Me Levin kemi kaluar një sezon të shkëlqyer dhe e falënderojmë për gjithçka që i dha ekipit. Tani ka ardhur një trajner si Josa, i cili është me mentalitet fituesi. Çdo trajner ka filozofitë e veta në aspektin e ndërtimit të lojës. Kanë mënyra të ndryshme të organizimit të ekipit, por mendoj se për nga cilësia ekipi nuk ka humbur asgjë, përkundrazi ka fituar eksperiencë. Tani ekipit i është bashkuar edhe përgatitësi i portierëve, Ilir Bozhiqi, që është një nga më të mirët në rolin e tij. Besoj se stafi do të bëjë një punë të shkëlqyer në drejtimin e skuadrës.

Ilirjan Çaushaj, blerja e radhës për klubin korçar
Mesfushori përmetar, Ilirjan Çaushaj, është blerja e radhës e Skënderbeut. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta pranë lojtarit, por gjithashtu edhe në klubin korçar. Sot pritet që Çaushaj të hedhë firmën në kontratë dhe të zhvillojë stërvitjen e parë me Skënderbeun. Deri më tani lojtari ka kryer fazën përgatitore me Apoloninë. Pasi drejtuesit e klubit korçar mësuan se Çaushaj nuk e ka zyrtarizuar kontratën e tij tek Apolonia, menjëherë u hodhën në sulm për të marrë shërbimet e tij. Drejtuesit e klubit janë konsultuar me trajnerin Mirel Josa dhe ky i fundit ka dhënë menjëherë OK-in. Negociatat me lojtarin kanë zgjatur pak, teksa i joshur nga fakti se do të luajë për kampionët, Çaushaj nuk është menduar dy herë, por ka pranuar direkt ofertën. Burime pranë skuadrës fierake bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se trajneri Ernest Gjoka ka mbetur shumë i zhgënjyer nga sjellja e lojtarit. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi, është se Çaushaj do të luajë për Skënderbeun në sezonin e ri.

Drejtuesit fokusohen te pista sllave
Skënderbeu është hedhur në sulm për të afruar dy lojtarë cilësorë, të cilët do t’i shërbejnë skuadrës në repartin e mesfushës. Më konkretisht, bëhet fjalë për dy futbollistë që luajnë nga krahët. Në skenë ka dalë emri i malazezit Balsa Bozoviç, që aktivizohet me Zetën. Ndërkohë, drejtuesit duket se janë fokusuar më shumë te pista sllave për të gjetur lojtarë. Gjithsesi, për të kompensuar largimet, që veçanërisht prekën repartin e mesfushës, klubi ka ofruar së fundmi edhe Çipin e Çaushajn. I pari mund të luajë në rolin e një mesfushori shkatërrues, ndërsa i dyti në krahun e majtë. Gjithsesi, presidenti Takaj synon dy goditje cilësore.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"