Portieri Selimaj: Luftëtari e tregoi veten në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:45

Portieri Selimaj: Luftëtari e tregoi veten në Vlorë

Erind Selimaj, mbrojtësi ekstrem i Luftëtarit, është optimist për të ardhmen e kësaj skuadre në sezonin e ri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai u shpreh në lidhje me paraqitjen e gjirokastritëve në transfertën miqësore të Vlorës, si dhe prurjet e fundit në radhët e gjirokastritëve. “Bëmë një ndeshje të mirë, ku me pak fat mund të kishim arritur ndoshta dhe një rezultat më të mirë. Në Vlorë skuadra tregoi grintë në lojë, harmoni në veprime, e për më tepër u treguam të matur taktikisht. Megjithatë, gjatë ditëve të mbetura deri në start të kampionatit duhet të jemi më të angazhuar në çdo seancë stërvitore, pasi duhet të përmirësohemi në çdo aspekt, duke filluar që nga faza mbrojtëse e deri në sulm. Meritë për rezultatin e arritur kanë të gjithë lojtarët e skuadrës, pasi bazë e saj është i gjithë grupi i sezonit të kaluar, si dhe përforcimet e fundit. Nëse drejtuesit e Luftëtarit do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët financiare me lojtarët e ardhur dy ditët e fundit, atëherë grupi ynë do të jetë ai i duhuri për ta përballuar denjësisht Superioren. Mendoj se mesi i artë i tabelës do të ishte një objektiv i arritshëm për të gjithë ne. Mirëpo, një gjë e tillë bëhet e prekshme vetëm atëherë kur të gjithë të tregojnë në fushën e lojës grintë dhe karakter”, – tha Selimaj.
Merkatoja – Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i merkatos, burime të besueshme brenda kampit bluzi kanë bërë të ditur se do të bëhen edhe dy afrime. Fjala është për një mbrojtës të djathtë dhe një sulmues. Deri më tani, pjesë e Luftëtarit janë bërë lojtarë si: Shameti, Shenaj, Miliç, Beqiri, Liçaj, Sorra, Thano dhe së fundi serbi Nikoliç. Gjithsesi, sipas burimeve të besueshme, tratativat e drejtuesve të Luftëtarit për të afruar në skuadër dhe dy futbollistë të tjerë priten të realizohen brenda kësaj jave, ku pa dyshim testi miqësor ndaj Bylisit si dhe fundi i javës aktuale do të konfirmojë edhe dy prurjet. Ajo çka përbën shqetësim është nëse sulmuesi kamerunas Fanka do të nënshkruajë për gjirokastritët apo jo, ndërsa vlonjati Liçaj do të jetë pa dyshim pjesë e gjirokastritëve sezonin e ri. Nëse Fanka do të bindë përfundimisht trajnerin Dede, atëherë u takon Bimes dhe donatorit Muho, të cilët do të vendosin për të ardhmen e këtij sulmuesi si pjesë apo jo e Luftëtarit.
Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"