Portieri Edmir Sali: Dinamo do t’i bëjë llogaritë në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2024 | 10:41

Portieri Edmir Sali: Dinamo do t’i bëjë llogaritë në fund

Dinamo ka pasur gjithë kohën e nevojshme për të përgatitur ndeshjen me Teutën, e cila luhet ditën e hënë në stadiumin “Niko Dovana”. Do të mungojë Bakari Gudiabi për shkak dëmtimi dhe ky nuk është një lajm i mirë, megjithatë blutë kanë grupin e nevojshëm të lojtarëve për të përballuar çdo sfidë. Me Teutën kryeqytetasit kanë një humbje dhe një fitore deri tani, të hënën duan 3-pikëshin e dytë për të mos humbur kontaktet me “Final 4”, pse jo dhe për të ngjitur menjëherë një shkallë, duke ditur që Skënderbeu ka një duel të vështirë këtë javë me Vllazninë.

SALI

Te Dinamo janë të vetëdijshëm se e kanë fatin në duart e tyre dhe gjithçka varet më së shumti nga çfarë ata do të bëjnë në fushë gjatë këtyre 10 ndeshjeve të mbetura. Portieri titullar i bluve, Edmir Sali, pret një ndeshje të luftuar në Durrës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai pohon se Dinamo nuk e mendon aspak faktin se Teuta mund të jetë e lodhur nga ndeshja e Kupës, apo e goditur psikologjikisht nga eliminimi.

Sali, po hyjmë në një fazë të rëndësishme të kampionatit, duke nisur nga ndeshja me Teutën. Si e pret Dinamo këtë sfidë?

Unë do të thosha se për Dinamon të gjitha fazat e kampionatit kanë qenë të rëndësishme dhe ne jemi munduar të marrim më të mirën. Por, si skuadër e re që ishim, kërkonim pak kohë për t’u konsoliduar, ndaj dhe me kalimin e javëve je rritur në 1 lojë dhe në rezultate. Ndeshja me Teutën besoj se do të jetë e luftuar nga fillimi deri në fund. Gjatë kësaj jave jemi përgatitur çdo ditë me shumë seriozitet dhe synojmë maksimumin e pikëve. Çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal.

Kundërshtarin e njihni mirë tashmë dhe në këtë ndeshje vjen pak më i lodhur nga Kupa. Sa ju ndihmon ky fakt?

Dinamo po ia bën shërbimin ndeshjes si duhet, pavarësisht se çfarë ka bërë kundërshtari. Ne jemi të fokusuar vetëm te skuadra jonë, qëllimi ynë i vetëm është të fitojmë sfidën që kemi përpara, pak rëndësi ka se çfarë bëjnë të tjerët. Nëse ne bëjmë si duhet punën tonë, nëse zbatojmë detyrat me përpikëri, atëherë jemi në rregull, sepse rezultatet do të vijnë, siç kanë ardhur. Por tani shohim përpara për më lart. Dinamo realisht po luan mirë, por ka lënë pikë në javët e fundit, që ndikojnë në renditje. Mos është momenti për të qenë më pragmatistë? Mendimi im është se Dinamo ka zhvilluar ndeshje të forta dhe të mira në nivelin e lojës, pavarësisht rezultatit. Nuk mendoj se është çështje pragmatizmi. Futbolli është i tillë, duhet edhe pak fat ndonjëherë për të fituar, edhe pse mund të kesh dominuar ndeshjen kundër kundërshtarit.

Sa i takon prapavijës, cili është gjykimi juaj?

Mbrojtja po bën shumë mirë aktualisht, por them se është për t’u vlerësuar puna që po bën gjithë grupi i lojtarëve, titullarët dhe ata që hyjnë nga stoli, që të jemi sa më kompaktë në fazën defensive të lojës. Në skuadër ka entuziazëm, i cili vjen nga loja.

A mund të jetë Dinamo protagoniste e fazës së 4-t dhe e “Final 4”?

Entuziazmi ynë vjen nga rritja që kemi treguar, por ne mbetemi gjithmonë të fokusuar te ndeshja e radhës. Nuk shohim për “Final 4”, kampionati ka edhe shumë rrugë për të bërë dhe nëse gabon tani, është e vështirë të rikuperosh. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë dhe garën e fortë. Duke i marrë ndeshjet një e nga një, mbetet për t’u parë ku mund të arrijmë në fund. Atëherë do të bëhen llogaritë, por di të them me bindje se Dinamo është një skuadër me vlera, që po i tregon në fushë javë pas jave.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"