Pogradeci prezanton Jurgen Peqinin, trajneri Nikaj konfirmon 3 largime: Klubi do të bëjë dy goditje në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 16:58

Pogradeci prezanton Jurgen Peqinin, trajneri Nikaj konfirmon 3 largime: Klubi do të bëjë dy goditje në merkato

Pogradeci ka zbritur në fushë që më 3 janar, ndërsa deri më tani janë konfirmuar tri largime.  Gjatë ditës së sotme pogradecarët kanë zyrtarizuar afrimin e futbollistit Jurgen Peqini. Trajneri Samuel Nikaj në një intervistë për “Panorama Sport” të dhënë gjatë ditës së djeshme, tregon për planin e merkatos dhe atë që pret nga faza e dytë e kampionatit. Pogradeci kryeson renditjen në grupin B të Kategorisë së Dytë me një pikë më tepër se Luftëtari rival.

jurgen peqini

Vendi i parë të jep një biletë për në Kategorinë e Parë dhe shkodrani që drejton liqenorët për të dytin sezon radhazi, beson se këtë herë do të jenë ata që do të ngjiten.

Samuel, ekipi po stërvitet që prej 3 janarit, në një kohë që kampionati rinis më 11 shkurt…

I kemi filluar herët seancat. Kemi kohë të mjaftueshme deri që skuadra të jetë në 100 % të formës. Jam i kënaqur me gjendjen e lojtarëve pas pushimeve, pasi kishin zbatuar programin individual. Kemi bërë një plan stërvitor që 10-15 seancat e para të jenë të karakterit fizik. Më pas do të vazhdojmë në aspektin tekniko-taktik, duke bërë edhe ndeshje miqësore këtë periudhë.

Sa ndeshje miqësore keni programuar?

Kemi programuar tri ndeshje miqësore deri në fillim të kampionatit. Pozita jonë gjeografike është pak problem për të gjetur skuadra për të zhvilluar miqësore që na duhen. Unë kam grup lojtarësh sa për dy skuadra dhe duhet t’i rregulloj minutat që të mos kenë mbingarkesë.

A mund të na konfirmoni afrimet dhe largimet e deritanishme?

Për momentin është larguar Alillari te Burreli për arsye familjare, pasi ka vendosur të jetojë në Tiranë. Po ashtu edhe Blacëri është huazuar te Maliqi, ku mund të marrë minutazh dhe të na shërbejë për të ardhmen. Ndërsa edhe sulmuesi Adebayo me 99 % do të jetë pjesë e Maliqit. Do të kemi dy afrime, që do të na mundësojnë të jemi më të fortë për fazën e dytë. Shpresoj që me ndihmën e Zotit, në sezonin që vjen të jemi në Kategorinë e Parë.

Ju kemi parë duke ndjekur ekipin U-19, do të afroni ndonjë të ri?

Po punoj me një plan afatgjatë, që në të ardhmen Pogradecit t’i lë një grup lojtarësh të rinj me cilësi. Më kanë rënë në sy disa lojtarë të mirë tek U-19, por edhe tek U-17. Kam evidentuar lojtarë si Maxhari, Mertkola dhe Sallo, të cilët i kam afruar pranë ekipit të parë. Gjithashtu edhe tek U-17 ka 3-4 lojtarë që do t’i shoh në vazhdimësi. Lipon, Torollarin dhe Pilinçin jemi duke i angazhuar, pasi ndërrimi i brezave është pak i vështirë.

nikaj

REDI DANDALKAKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"