Pogradeci-Luftëtari përplasin “brirët”, trajneri Nikaj: Rivali nuk na tremb, i mposhtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 11:04

Pogradeci-Luftëtari përplasin “brirët”, trajneri Nikaj: Rivali nuk na tremb, i mposhtim

Pogradeci-Luftëtari është kryendeshja e javës së 10-të në Kategorinë e Dytë, teksa do të zhvillohet sot në orën 13:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.

nikaj

Një ndeshje që pritet me shumë interes në qytetin liqenor, jo vetëm për emrin e madh që kanë këto dy klube, por edhe rivalitetin që i ka shoqëruar në vitet e kaluara. Dy skuadrat janë pjesë e Grupit B dhe luftojnë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, ndërsa deri më tani gjirokastritët janë treguar më rezultativë, duke kryesuar renditjen me dy pikë më tepër se liqenorët. Në prag të kësaj ndeshjeje, për “Panorama Sport” ka folur trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj. Ai beson shumë te cilësitë që ka skuadra e tij, edhe pse vlerëson kundërshtarin. Pogradeci vjen pas një fitoreje të thellë 0-6 në transfertë kundër Devollit dhe skuadra është e karikuar për të dhënë më të mirën ndaj Luftëtarit. Një fitore e mundshme ndaj gjirokastritëve do t’i ngjiste në vendin e parë liqenorët.

DEKLARATA – “Mundësitë i kemi që të dalim me tri pikë në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Gjithsesi, na duhet edhe pak fat. Kundërshtarin e respektojmë, por nuk i druhemi kurrsesi. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të përligjim interesimin e tifozëve”, ka thënë fillimisht Nikaj, i cili drejton Pogradecin për të dytin sezon radhazi.

I pyetur për moralin e lartë që ka skuadra pas ndeshjes me Devollin, trajneri paralajmëroi se ndeshjet kanë histori të ndryshme.

“Ndeshjet nuk i ngjajnë njëratjetrës, por skuadra ka përvojën e duhur dhe e di rëndësinë e kësaj sfide me Luftëtarin. Besoj se kemi moralin e duhur për të marrë maksimumin nga ky takim”, përfundoi Nikaj.

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"