Pinari: Dinamo, momenti për të bërë hapin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 8:47

Pinari: Dinamo, momenti për të bërë hapin e madh

Në derbin e 4-t të ka mpionatit ndaj Tiranës, Dinamo ka mundësinë e artë që të shlyejë çdo gabim që ka bërë ndaj këtij rivali në 3 sfidat e mëparshme, ku ka marrë vetëm 1 pikë. Një fitore e mundshme e bluve do të fshinte nga memoria ato zhgënjime të mëdha të humbjeve me përmbysje ndaj bardhebluve, pasi do t’i linte ata 3 pikë prapa dhe për më tepër me një ndeshje më pak.

pinari

Për të shkuar në këtë pikë, 18 herë kampionët e vendit duhet të tregojnë në fushë se janë vërtet në gjendje ta mundin Tiranën dhe t’i hapin rrugën vetes drejt 4-shes së parë. Blutë kanë shfaqur një nivel të mirë loje javët e fundit, por kanë krijuar një shkëputje të vogël me ndeshjet, ndaj dhe mbetet të shihet, nëse e kanë ruajtur formën apo jo. Luan Pinari, ish-kapiteni kampion me Dinamon, por edhe me Tiranën, në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se ky është momenti ideal që “Nëndetësja” të vërtetojë ambiciet e saj për të qenë mes 4 më të mirëve.

SITUATA – Për gjendjen që kanë dy skuadrat në prag të derbit, ish-mbrojtësi shprehet: “Tirana ka pasur atë problematikën e saj javët e fundit, siç e dimë. Dinamo vjen në një formë më të mirë sportive, ka bërë ndeshje të mira para këtij derbi dhe ka moralin e duhur, ka më shumë entuziazëm. Pikët në renditje flasin vetë. Pavarësisht nga gjendja e dy skuadrave, derbi është pak ndryshe. Tirana ka atë traditën që e karikon më shumë një ndeshje derbi”.

DINAMO GATI – Pinari, i cili mban edhe postin e drejtorit të akademisë në klubin blu, është i bindur se Dinamo nuk do të jetë si në derbit e mëparshëm me Tiranën: “Mendimi im është se Dinamo është gati për të bërë atë hapin përpara. Tani është shumë më ndryshe. Nuk është më ajo e dy fazave të para, tani ka edhe eksperiencën e nevojshme për të përballuar me sukses një ndeshje derbi si kjo, që në këtë moment të kampionatit ka shumë rëndësi për objektivin e sezonit. Nëse do që të jetë në “Final 4”, duhet ta tregojë në fushë dhe kam besim se do të ketë sukses”, shprehet Pinari.

ANA FIZIKE – “Nuk besoj se do të ketë ndikim fakti që Dinamo është më e çlodhur se Tirana. Po të ishin ndeshjet shumë afër, po, por kanë kaluar shumë ditë dhe Tirana i ka rikuperuar energjitë. Madje, do të thosha se kjo gjë mund të penalizojë Dinamon, sepse kjo skuadër ishte në formë dhe mund ta ketë humbur pak ritmin ngaqë nuk ka luajtur ndeshje”, shton më tej ish-futbollisti. TIRANA NË PRESION – Pinari pohon se Tirana ka më shumë presion, pasi e vuan të qenit poshtë në renditje: “Patjetër që Tirana e vuan pozicionin e saj në renditje aktualisht. E vuan faktin që rrezikon të jetë jashtë 4-shes së parë dhe mund të ketë më shumë presion në derbi. Këtë gjë Dinamo duhet ta shfrytëzojë. Rëndësi kanë pikët, sepse në fund të ditës janë ato që mbeten, ndaj dhe do të doja të shikoja një Dina sa më pragmatiste”.

KUSH VENDOS – I pyetur në lidhje me lojtarët që mund ta vendosin këtë derbi, Pinari përgjigjet: “Te Dinamo do të veçoja 4-shen e sulmit, pa nënvlerësuar aspak të tjerët. Them se Denison dhe Zabërgja, nëse do të jenë në ditën e tyre më të mirë, do t’i bëjnë keq Tiranës. Por edhe Vila e Kaçorri mund të jenë vendimtarë. Te Tirana do të thosha se Abazaj dhe Patrik janë dy lojtarët më në formë të momentit dhe më të rrezikshëm”.

DERBIT NË MEMORIE – Luan Pinari i ka përjetuar derbit me të dyja fanellat dhe ato që i kanë mbetur në memorie janë: “Kur luaja me Dinamon kujtoj më shumë një derbi të 2002-shit, që kemi barazuar 2- 2 në “Qemal Stafa”, arbitronte një spanjoll. Por edhe derbin e fazës së parë të atij sezoni, ku fituam 3-1. Një sezon më pak kalova te Tirana dhe nga derbit kundër Dinamos kujtoj atë të Superkupës, ku fituam 3-0″.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"