Pikantet Kukësi-Partizani/ “Lumë” batutash të Devollit, Felipe ngatërron… tutat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 20:16

Pikantet Kukësi-Partizani/ “Lumë” batutash të Devollit, Felipe ngatërron… tutat

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Kukësi-Partizani, e luajtur në “Kukës Arena” dhe e mbyllur 0-1 për miqtë.

Kukesi-Partizani

* Numri i tifozëve që kanë ndjekur nga afër këtë ndeshje ka qenë i paktë. Thuajse stadiumi ishte i boshatisur, me numrin e të pranishmëve që nuk shkonte më shumë se 400. E vetmja gjë pozitive ishte prania e konsiderueshme e fëmijëve, që në vitet e fundit nuk e kanë mes argëtimeve të tyre të shkuarin në stadium.

* Bledar Devolli ka qenë shumë aktiv në këtë ndeshje, duke dhënë këshilla dhe direktiva për të tijtë. Tekniku është përpjekur që grintën e tij ta injektojë edhe te lojtarët në fushë, me të cilët ka dialoguar gjithë 90 minutëshin.

“Mos ma humb aty topin se të griva”, u dëgjua trajneri teksa i drejtohej në një moment Zenunajt. “O shpirt, po dili para mbrojtësit, mos i bëj faull”, iu drejtua në një tjetër moment Beshirajt. Sulmuesi i tha se e pengoi dielli, teksa Devolli ia ktheu: “Epo s’kam ca t’i bëj diellin unë”.

* Ka ankth tek ekipi i Partizanit në mesin e pjesës së parë, kur Xhuliano Skuka rrëzohet në tokë dhe shihet të vuajë një problem në kofshë. Sulmuesi nuk ecte dot as në këmbë dhe iu desh të linte fushën me barelë.

* Pas këtij momenti, Shehi dëgjohet t’i drejtohet përgatitësit atletik që të përgatisë Mensahun. “O Vullnet, shpejt, shpejt! Mensahun”, shprehet trajneri durrsak.

* Felipe bëhet gati të zërë vendin e Da Motës, që mbetet i dëmtuar, por zëvendësimi nuk kryhet menjëherë, pasi lojtari kishte ngatërruar tutat, të cilat nuk përkonin me fanellën e tij. Ndihmëstrajneri Kërnaja e tërheq dhe e ndihmon me shpejtësi të ndërrojë uniformën.

* Gjelbrim Taipi zgjedh të mos festojë pas shënimit të golit në nder të ish-skuadrës së tij, ku ka qenë edhe kapiten i saj. Ai ka kaluar tre sezone në Kukës.

* “Xixa” mes Carës dhe Salamit në fundin e pjesës së parë për shkak të një ndërhyrjeje të sulmuesit të kuq ndaj lojtarit të Kukësit. Arbitri i këshillon të dy, ndërsa për pak sherri agravoi edhe me lojtarët e tjerë.

* Lojtari i Kukësit, Zenunaj, interesohet tek anësori rreth minutave që kanë mbetur, me shpresën se ka ende kohë për të kthyer ndeshjen në favor të tyre. Në atë moment ishte e 62-ta.

* Në një moment të lojës shiritin e kapitenit e merr Arinaldo Rrapaj, i cili rezulton kapiteni i pestë në hierarki. Në fushën e lojës nuk ishin Hoxha, Murataj, Cara dhe Hadroj, që e kanë mbajtur njëri pas tjetrit.

* Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, kishte marrë rrugën drejt Kukësit dhe ishte në stadium për të ndjekur këtë sfidë. Si gjithnjë, ai ishte i shoqëruar nga njerëz të afërm të tij, mes tyre edhe Pano Xhixho, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe këshilltar në formë jozyrtare i presidentit të kuq.

* Ashtu si në ndeshjen ndaj Apolonisë në Kupë, Orges Shehi kishte zgjedhur të vishte kapele edhe në këtë betejë. Mund të jetë rastësi, por edhe një gjest supersticioz i trajnerit të kampionëve në fuqi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"