Pikantet e Bylis-Kastrioti/ Ballshiotët mbushin stadiumin për Shensoin, ai del me të kuq: Çfarë është ky bre…?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 22:54

Pikantet e Bylis-Kastrioti/ Ballshiotët mbushin stadiumin për Shensoin, ai del me të kuq: Çfarë është ky bre…?

Bylisi ka fituar për herë të parë në këtë sezon dy ndeshje radhazi dhe “Panorama Sport” ju sjell në vijim pikantet e duelit ndaj Kastriotit.

sbsbs

* Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka mbërritur në orët e vona të mbrëmjes së ditës së shtunë në Ballsh. Ai ka qenë afër skuadrës në prag të kësaj sfide dhe sfidën e djeshme e ka ndjekur nga tribuna VIP.

* Xhonatan Lajthia nuk e ka kaluar dëmtimin që pësoi ndaj Vllaznisë në mesjavë në shpatull dhe për të mos rrezikuar, stafi dje ka vendosur që të mos e ketë as në 20-she. Jashtë 20-shes edhe Beji Antoni, sulmuesi nigerian, që ka qenë jashtë forme javët e fundit.

* Fitorja me Vllazninë ka bërë që në Ballsh të ketë më shumë sportdashës se në sfidat e tjera, kjo edhe për simpatinë që ata kanë për trajnerin Naxhi Shensoi.

* Në minutën e 23-të ka një incident mes Hasanit dhe Eskuerdinjës, përfshihen lojtarët e të dyja ekipeve, Myrtja thërret Hasanin e Eskuerdinjën dhe gjithçka kalon me këshillim nga kryesori nga Shkodra.

* Në minutën e 33-të, në një goditje që është dhënë në favor të krutanëve, trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, ka kërkuar llogari te gjyqtari i katërt, Maletaj, e më pas te kryesori Myrtja, i cili e ka ndëshkuar me të verdhë. Shensoi ka vijuar me protesta, duke hyrë edhe në fushë, por Myrtja e ka ndëshkuar me të kuq, ndërsa edhe administratori Arbër Sino ka kërkuar shpjegime, ndërsa Shensoi më pas është drejtuar nga zyrtarët e ndeshjes, teksa u kërkonte: “Ku është ‘fair play’, çfarë është ky bre?” Më pas ndeshjen e ka drejtuar nga tribuna duke komunikuar edhe me ndihmësin e tij, Arvit Bregasi dhe Arbër Sinon. Ndërkohë, veprimet e kryesorit Myrtja kanë indinjuar tifozët ballshiotë në ballore dhe tribunën kryesore…

* Si asnjëherë këtë sezon, tifozët ballshiotë gjatë pjesës së parë janë dëgjuar që të mbështesin idhujt e tyre, madje edhe duke përmendur lojtarët me emra. Tifogrupi “Ultras Bylinët” kanë qenë aktivë me ngjyrat bardhekuqe në tribunën ballore.

* Mungoi dje edhe mesfushori titullar te Bylisi dhe një nga më të rëndësishmit, Flamur Ruçi, për shkak se dje ka përcjellë për në banesën e fundit vëllain e tij, i cili humbi jetën tragjikisht në Angli.

* 6 minuta shtesë dha gjyqtari i katërt, por loja ka vijuar e madje ka pasur edhe 1 minutë shtesë mbi shtesë!!!

* Në fund të sfidës, festë në tribunën kryesore dhe atë ballore, madje skuadra ka shkuar të festojë bashkë me tifozët në tribunën ballore të stadiumit.

* Për herë të parë këtë sezon që Bylisi bën dy fitore radhazi në ndeshjet e kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"