Përvjetori jubilar/ 70 vjet Partizan, tifozët presin titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2016 | 9:42

Përvjetori jubilar/ 70 vjet Partizan, tifozët presin titullin

Partizani ka mbushur dje 70 vjet, sipas do kumenteve të regjistrimit, por edhe festave të kremtuara më herët. Ky jubile i të kuqve të kryeqytetit ka kaluar pa zhurmë nga ana e klubit, i cili është mjaftuar me postimin e disa fotove dhe videove të Partizanëve të lavdishëm në vite dhe dekada të ndryshme.paaa Gjithsesi, ky përvjetor i themelimit të Partizanit nuk do të kalojë “pa u lagur” nga klubi, pasi po punohet për mbajtjen e një feste madhështore. Pritet të mbahet një ceremoni, ku do të kujtohen të gjithë figurat, që kanë kontribuar për legjendën e futbollit shqiptar.

Partizani është i regjistruar në çdo institucion futbolli me datëlindjen: 4 shkurt 1946. Por, drejtuesit e kuq u janë drejtuar arkivave, pasi në kuadër të ristrukturimit të klubit, kërkojnë që të jenë të qartë dhe të saktë për datën e themelimit, në mënyrë që të shuhen të gjitha datat që aludohen.

13 janar 1946 është një nga datat që pretendohet, pasi në këtë datë është zhvilluar një ndeshje mes përfaqësueses së Ushtrisë, që mendohet si zanafilla e të kuqve të kryeqytetit, që barazoi 0-0 me Vllazninë.

Datë tjetër e lakuar është 23 shkurti i 1946-ës, por flitet edhe për 7 prillin e 1946-ës, kur për herë të parë skuadra me emrin Partizani ka luajtur ndaj Tiranës duke e fituar miqë- soren me rezultatin 2-0. Përpos kërkimeve dhe gërmimeve të drejtuesve të kuq, tifozët gjithnjë janë mësuar që ta festojnë ditëlindjen e Partizanit më 4 shkurt.

Jo më kot në postimet e djeshme të kryera nga klubi në faqen zyrtare në “Facebook” mbizotëronte një urim: “Festa më e mirë për rastin e 70-vjetorit është fitimi i titullit kampion nga Partizani”. Titulli është i shumëpritur për ultrasit dhe dashamirësit e kuq, që i gjen anembanë Shqipërisë, pasi për herë të fundit është fituar në sezonin 1992-1993.

Partizani është një nga klubet më të suksesshëm në Shqipëri dhe në palmaresin e tij regjistron: 15 tituj kampionë, 15 Kupa të Shqipërisë, një Kupë Ballkanike dhe një Superkupë të Shqipërisë. Ditëlindja e 70- të e Partizanit, me letra, ka kaluar më shumë me urime në rrjetet sociale, pa ndonjë aktivitet përkujtimor apo festiv. Gjithsesi, pritet që në ndeshjen e së shtunës me Flamurtarin, ultrasit e kuq të rezervojnë ndonjë surprizë të bukur në stadium për ekipin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"