Erbim Fagu nuk dorëzohet: Tirana e derbit më e mira, e kapim “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 9:21

Erbim Fagu nuk dorëzohet: Tirana e derbit më e mira, e kapim “Final 4”

Erbim Fagu mendon se faji i humbjes në derbi i faturohet fatit dhe kartonit të kuq. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Fagu tha se skuadra nuk gaboi, por gjyqtari bëri të pamundurën të jepte kartonë. Trajneri i Tiranës garantoi se skuadra do të shkojë në “Final 4”, ndërkohë që tha se në Laç kërkohet me ngulm fitorja.

fagu erbim

Fagu, humbët një derbi që po shkonte në barazim. Si e pe ti këtë ndeshje me Partizanin?

Derbet dihet që duhet të fitohen gjithmonë. Më vjen keq për lojtarët pasi të dielën dhanë gjithçka në fushë. Ta humbisnim këtë takim realisht nuk e meritonim. Si shkoi takimi, kartoni i kuq, kartonat e verdhë që na ka dhënë arbitri na kondicionuan pak në pjesën e dytë, duke qenë më të tërhequr në dyluftime apo vendimmarrje kur kundërshtari kishte topin.

Tani jeni të gjashtët dhe një pikë larg vendit të katërt. Do të jeni në “Final 4”?

Shpresat për “Final 4” nuk na janë shuar. Këtë e them duke parë atë që japim në fushën e lojës. Unë kam shumë besim se këta lojtarë do të bëjnë gjithçka për të arritur “Final 4”. E vështirë do të jetë, pasi do të kemi tre takime shumë të vështira, por e besojmë këtë arritje.

Ju më parë u ankuat për gjyqtarin dhe kartonët e verdhë dhe të kuq. Ju mendoni dhe besoni se arbitri vendosi derbin?

Nuk mund të them plotësisht, por ai ishte një shkak, pasi në çdo ndërhyrje dhe situata që mund t’i kalonte pa të verdhë, ai të ndëshkonte. Gjithsesi, ai e ka menduar kështu dhe është e drejta e tij. Një lëvizje që na kushtëzoi pak edhe me zëvendësimet që bëmë. Kishim plane të tjera dhe pas kartonit të kuq na ndryshoi rrjedha e takimit. Pas të kuqit ishim shumë në vështirësi. Lodhja fizike bëri të vetën, pasi kishim shpenzuar edhe në Kupë. Të gjithë këta faktorë ishin problem për ne.

Kësaj humbje do t’i shtonit edhe fatin kundër pasi goli erdhi në shtesë?

Fati është pjesë e futbollit. Herë kemi ne, herë kundërshtari ka fat. Edhe fati nuk na nderoi.

Do të luani me Laçin, një kundërshtar që nuk e keni mundur dot, por tani nga ju kërkohet fitorja?

Ne kemi tri ndeshje shumë të vështira dhe të rëndësishme për ne. Duke filluar që nga sfida me Laçin, ne do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë takim. Rrugëzgjidhje nuk kemi. Këto tri ndeshje ne do të japim maksimumin në fushën e lojës.

Sipas asaj që keni analizuar, në këtë derbi të humbur skuadra vetë gaboi apo jo?

Nuk mund të them që gaboi. Ne, që kur kam ardhur unë, kemi zhvilluar një nga ndeshjet më të mira, por siç e thashë janë shumë arsye që ndikuan, duke filluar nga kartoni i kuq, e fati.

Zakonisht Tirana e nis derbin në sulm, përse këtë ndeshje qëndroi në pritje?

Ishte diçka normale. Ne e kishim përgatitur ndeshjen gjatë javës. Nuk mund të shkonim në sulm frontal që në fillim. E studiuam edhe mënyrën sesi Partizani ngjitej në sulm, duke bllokuar rrugëdaljet. Ne ishim më produktivë pjesën e parë, kështu që mendoj se ishte problem mungesa e sulmit që në minutat e para të lojës. Duhet të ishim të kujdesshëm. Një gabim të kushton shumë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"