Albanët fitojnë ndeshjen shtesë dhe vazhdojnë në të Dytën, Albpetroli mbetet inferior

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 19:37

Albanët fitojnë ndeshjen shtesë dhe vazhdojnë në të Dytën, Albpetroli mbetet inferior

 Për Albanët s’kishte rrugë tjetër për mbijetesë, përveçse të jepnin shpirtin në fushë. Skuadra e drejtuar nga Altin Birçe mori një fitore në shifrat 5-2 në ndeshjen e mbijetesës kundër Albpetrolit që vinte nga Kategoria e Tretë.

albanët

Albanët kanë qenë të papërmbajtshëm në 19 minutat e para, teksa shënojnë 3 gola radhazi duke zbehur forcat e patosarakëve. Fillimisht ishte Alushi që zbërtheu Albpetrolin me golin e shënuar nga një goditje e lirë rreth 18 metra në minutën e 4-t. Tetë minuta më pas, Abazi me një gjuajtje tokazi shënon golin e dytë. Të tretin e shënon kapiten Topalli në të 19-ën. Megjithatë, skuadra e Albpetrolit pas dy minutash shënon me Asimetaj, i cili shkurton diferencën e golave në 3-1.

Loja më pas ndizet me sulme nga të dyja skuadrat, por gola nuk ka më. Fraksioni parë do të mbyllet me një episod jo të këndshëm. Çuni i Albanëve dhe Kumanaku i Albpetrolit u përplasën kokë më kokë dhe përfundojnë të dy të fashuar. Skuadra patosarake nuk ka rrugë tjetër veçse të ushtrojë presion dhe të shënojë edhe golin e dytë me anë të Kumanakut, duke rihapur takimin. Loja ndizet, ka  tension, madje trajneri Çuko do të dalë me karton të kuq. Por Albanët nuk dorëzohen. Dermani dhe Alushi u bëjnë “derman” me dy gola mjaft të bukur, duke e mbyllur sfidën 5-2 në favor të Albanëve.

Albi Alushi- Autor i dy golave për Albanët, Albi Alushi, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Hymë në fushë me kurajë e guxim se do ia dilnim shpejt. Që në fillim arritëm të shënonim 3 gola, ku unë realizova një ‘dopietë’. Skuadra jonë kurrsesi nuk meritonte të zbriste një kategori më poshtë. Për këtë u përkushtuam dhe dhamë maksimumin. Dy golat ia dedikoj babait tim që më ka ndjekur në çdo ndeshje, por edhe tifozëve të mrekullueshëm të ekipit Albanët”.  

 

Birçe: Ndeshja e vitit

Skuadra kryeqytetase e Albanëve mbijetojë në Kategorinë e Dytë me ndeshje shtesë. Altin Birçe, trajneri i Albanëve, pas këtij suksesi u shpreh: “Skuadrën e kishim karikuar mësë miri për të fituar ndeshjen. Ishte ndeshja e vitit dhe kurrsesi s’mund të zbrisnim atje nga kishim ardhur. Kështu që lojtarët vunë shpirtin në fushë. Zgjidhëm mirë situatat me tre gola të shpejtë, por u vumë në vështirësi për pak çaste. Shënimi i golit të 4-t dhe të 5-të na dhanë frymëmarrje”.

ABDULLA DUSHKU-  PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"