Lushnja ia del mes tensionit, por vuan me Ilirinë. Trajneri Magani kërkon një projekt të ri e ambicioz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 18:52

Lushnja ia del mes tensionit, por vuan me Ilirinë. Trajneri Magani kërkon një projekt të ri e ambicioz

Lushnja ia ka dal të mbijetojë në Kategorinë e Parë duke iu falur fazës “play out”. Lagunarët kanë mposhtur Ilirinë në “Arena Egnatia” me rezultatin 2-0 në një ndeshje të luftuar përgjatë 90 minutave. Në Rrogozhinë sfida nisi me gol.

LUSHNJA

Kasmollari në përpjekje për të krosuar, topi merr një trajektore të vështirë për t’u mbërritur nga portieri Lika dhe përfundon në rrjetë, 1-0 për Lushnjën. Goli i dha qetësi verdhejeshilëve, të cilët falë kundërsulmeve arritën të zbrisnin rrezikshëm nga krahët. Skuadra e Ilirisë u kundërpërgjigj në minutën e 31-të me Santiago Selmanin, i cili godet me kokë, por portieri Alimuçaj “fluturoi” duke evituar një gol të sigurt. Skuadra e Agim Canajt u vendos më mirë në fushën e lojës në fundin e pjesës së parë dhe provoi sërish në minutën e 42-të. Sulmuesi Oltunbosun, brenda zonës, lëshoi të djathtën e tij potente, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Me rezultatin 1-0 për Lushnjën u mbyllën 45 minutat e para të sfidës.

Pjesa e dytë- Fraksioni i dytë nisi me një zëvendësim për Lushnjën. Ruço mbetet në dhomat e zhveshjes dhe Tabaku merr vendin e tij. Iliria e Fushë-Krujës u fut e mobilizuar në fushën e lojës, duke u hedhur në sulm për të barazuar shifrat. Në minutën e 53-të, Okonko në pozicion një për një me portierin Alimuçaj, nuk koordinohet siç duhet duke humbur një shans “të artë”. Lushnja reagon pas disa minutash me Dragojn, që me portën e boshatisur nuk arrin t’i japë udhë topit drejt rrjetës. Pas këtij momenti, trajnerët Canaj dhe Magani u munduan të rifreskonin skuadrat e tyre për të përmbushur objektivat. Shpesh herë, ndërhyrjet e ashpra shoqëroheshin me konfrontime fizike mes lojtarëve, ku arbitrit Jorgji iu desh të vendoste shpesh herë normalitet në fushën e lojës.

Në limitet e sfidës, pikërisht në minutën e 92-të, Lushnja shënon golin e dytë. Andoni pason mjaft mirë për Dragojn, i cili “djeg” me shpejtësi mbrojtjen e Ilirisë dhe brenda zonës ndëshkon portierin Lika. E ndërsa lagunarët festonin, lojtarët fushëkrujas shpërthyen në protesta ndaj gjyqtarit anësor Koçiaj, pasi pretendonin për pozicion jashtë loje. Në këtë moment, të dy ekipet filluan konfrontimin fizik dhe në fushë zbarkuan të dy stafet e ekipeve. U deshën 2 minuta që arbitri Jorgji të rivendoste normalitetin për të rivijuar lojën dhe nuk munguan as ndëshkimet e disa lojtarëve. Pas 98 minutave lojë, mbyllet gjithçka në Rrogozhinë, me Lushnjën që falë suksesit 2-0 arrin të qëndrojnë në Kategorinë e Parë. Iliria i duhet të tentojë sërish sezonin e ri për të shpresuar të largohet nga Kategoria e Dytë.

 

ruco magani lushnja

Trajneri

Magani kërkon një projekt të ri e ambicioz te Lushnja

 

Lushnja ia doli mes vështirësive të qëndronte në Kategorinë e Parë, pas suksesit kundër Ilirisë me rezultatin 2-0. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, u shpreh i kënaqur për arritjen e objektivit, por jo për lojën e zhvilluar nga skuadra e tij.

Magani, shumë tension, por Lushnja ia doli të qëndroj në Kategorinë e Parë. Si ndihesh pas këtij rezultati?

Ka qenë një ndeshje e fortë, pasi të dy ekipet përcaktonin fatin e sezonit. Nuk jam aspak i kënaqur për mënyrën se si luajtëm dhe që fatin e sezonit duhet ta përcaktonim në këtë mënyrë. Më lumturon fakti që mbijetuam edhe pse kemi pasur objektiva të tjera në fillim të sezonit. Por, kemi gabuar shumë gjatë gjithë këtij rrugëtimi. E patëm përgatitur në detaje këtë duel pasi e dinim që Iliria është një ekip që ka lojtar të spikatur. Ia dolëm duke shfrytëzuar mundësitë tona në përpikëri. Futbollistët e mi, dhanë maksimumin në fushën e lojës dhe dua t’i përgëzoj pasi kanë pasur edhe shumë presion për këtë duel vendimtar.

U patë i nervozuar dhe në fund të sfidës përfundove në fushën e blertë për të qetësuar gjakrat, pse kaq shumë tension? 

Kjo është natyra ime, punoj dhe mendoj të jap gjithçka kudo ku kam qenë. Në fund e pashë të udhës për të qetësuar lojtarët e mi pas konfrontimit me kundërshtarët. Në futboll, shpesh emocionet të pushtojnë dhe unë i kuptoj edhe kundërshtarët tanë, që pas golit të dytë nuk kishin çfarë të bënin dhe u mundua të shfrynin me konfrontim fizik. Unë kam respekt për ekipin e Fushë-Krujës dhe për atë që ata kanë treguar këtë sezon. Na kanë dominuar në pjesën më të madhe në pjesën e dytë, por ne u treguam të kujdesshëm.

A do të vijoni të jeni në krye të Lushnjës për të vijuar një projekt të ri në sezonin 2024-2025?

Unë kam edhe 1 vit kontratë me drejtuesit e klubit. Normalisht që do të ulem të flas mbi projektin e ri në sezonin që na pret. Natyrisht edhe unë kam kërkesat e mia dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë. Tifozët tanë meritojnë që ne të jemi më kompetitiv dhe pse jo të tentojmë arritjen në Superiore. Për këtë duhet punë dhe përgjegjësi nga gjithsecili, pasi e dimë që gara në Kategorinë e Parë është shumë e fortë.

ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"