Partizani, “kampion” i dekadës. Pikët e mbledhura në 10 vite, të kuqtë i “lënë targën” të gjithëve, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 15:55

Partizani, “kampion” i dekadës. Pikët e mbledhura në 10 vite, të kuqtë i “lënë targën” të gjithëve, por…

Pas disa sezonesh shumë të vështira e të errëta në ligat më të ulëta të futbollit shqiptar, Partizani u kthye në sezonin 2013-2014 në Kategorinë Superiore. Tashmë në krye të klubit ishte presidenti Gazment Demi, i cili duket se e ka pasur një plan të qartë, që ka është rritur me kalimin e viteve.

partizani kampion

Pas një rritjeje konstante, Partizani tashmë është një klub që shkëlqen në fushë, por edhe sa i përket infrastrukturës dhe hallkave të tij. Dekada e fundit është padyshim periudha më e suksesshme e klubit në pak më shumë se 33 vite sistem demokratik në Shqipëri. Me nisjen e këtij viti mund të bëjmë edhe disa bilance dhe rezulton se sa i përket pikëve, Partizani është kampioni i dekadës. Në plot 376 ndeshje të luajtura, të kuqtë kanë arritur të grumbullojnë plot 673 pikë, më shumë se askush. Gjatë këtij dhjetëvjeçari të kuqtë kanë arritur të fitojnë 188 ndeshje dhe të barazojnë 109, kundrejt vetëm 79 humbjeve.

Në vendin e dytë renditet Kukësi, që ka luajtur po aq ndeshje sa kampionët në fuqi, por ka grumbulluar 51 pikë më pak. I treti është Laçi, në kuotën e 562 pikëve. Një pikë më pak ka Skënderbeu, që një sezon e ka kaluar në të parën gjatë kësaj periudhe. Njëjtë ka ndodhur edhe me Tiranën, që pozicionohet vetëm e pesta në këtë renditje, larg rivalëve të qytetit. Dhjetëshen e plotësojnë Teuta, Vllaznia, Flamurtari, Kastrioti dhe Bylisi.

PIKET

SHPËRNDARJA E TITUJVE

Pavarësisht se Partizani ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se të gjithë, nuk ka arritur të dominojë sa i përket titujve kampion. Të kuqtë e kanë fituar dy herë gjatë kësaj periudhe kampionatin, teksa njëjtë ka bërë edhe Tirana. Nga një herë kanë triumfuar edhe Teuta e Kukësi. Por rekordin e mban Skënderbeu, që gjatë kësaj periudhe ka dalë plot katër herë kampion i Shqipërisë.

TIRUJ

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"