“Partizani do bëjë mirë me idetë e Dajës”, Bardhi: Objektivat e sezonit? I zbulojmë gjatë rrugës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2020 | 22:20

“Partizani do bëjë mirë me idetë e Dajës”, Bardhi: Objektivat e sezonit? I zbulojmë gjatë rrugës

Me bllokimin e merkatos, ku Partizanit nuk i lejohet të bëjë përforcime, pesha e skuadrës bie te lojtarët aktualë dhe te veteranët e saj, të cilët duhet të realizojnë objektivat e të kuqve. Edhe pse ende në një moshë të re, te grupi i “veteranëve” për vetë vitet që luan në ekip, është edhe Jurgen Bardhi, i cili në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” flet rreth përgatitjeve për sezonin e ri dhe stërvitjet me modulin që kërkon trajneri Ilir Daja. Bardhi pohon se trajneri kërkon shpejtësi, lëvizshmëri në lojën me top. Sipas tij, është ende herët për të folur rreth objektivave, por vetëm pasi të nisë kampionati do të mësohen edhe ambiciet e të kuqve për këtë sezon.
jurgen bardhi1
Sezoni i ri pritet të nisë me vonesë. A është problem kjo zgjatje për lojtarët?
Për ne është diçka plus, sepse sezoni i ri na kapi pak keq, sepse na është bllokuar merkatoja. Kemi shumë djem të rinj, me talent dhe kualitet, por duhet pak kohë që të ambientohen me modulin që do edhe profesori. Besoj se kjo na ka dhënë një plus, edhe pse  nga ana tjetër është paksa keq për ne që kemi luajtur gjatë gjithë kohës dhe jemi mërzitur, duam të jemi në fushë. Ndryshe është stërvitja dhe ndryshe ndeshja.

Jeni gati për të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij sezoni në fazën ofensive?
Normal, të gjithë ne “veteranët” e ekipit kemi një peshë më të madhe se vitet e tjera. Partizani me këtë bllokimin e merkatos ka shumë djem të rinj dhe ne duhet t’i japim një dorë që të arrijmë atje ku duam. Besoj se të gjithë do të japim maksimumin tonë.
Partizani Daja
Jeni përshtatur me Dajën, pasi fillimisht patët edhe probleme me golin në miqësore?
Kemi pasur shumë vështirësi në fillim, sepse profesori do një modul loje që ne nuk e kemi përdorur këto vitet e fundit. Ai kërkon sa më shumë lëvizje me topin dhe patëm disa vështirësi. Por, jemi përshtatur mjaft mirë dhe besoj që do të bëjmë mirë me këtë ide që po na injekton profesori.

Ambiciet e Partizanit, te titulli apo Europa?
Unë them ta shohim në javët e para dhe ndeshje pas ndeshjeje. Të shohim sa mirë do të jemi dhe atëherë mund të jap një përgjigje. Tani nuk mund ta jap këtë përgjigje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"