Pa stadium, Besa ngec në Luz/ Po investohet për ngjitjen në elitë, por edhe këtë vit do degdisen jashtë shtëpisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2021 | 22:00

Pa stadium, Besa ngec në Luz/ Po investohet për ngjitjen në elitë, por edhe këtë vit do degdisen jashtë shtëpisë

Fati i stadiumit “Besa” ka mbetur në nivelin e fjalëve. I premtuar nga çdo kryebashkiak që vjen dhe ikën në Kavajë, në mars apo shtator, por punimet nuk kanë nisur kurrë. Po hyn sezoni i 7-të dhe situata mbetet e njëjta.

Besa stadiumi

Nëse kohë më parë edhe luanin ndonjë takim me të sajuar në shtëpi, prej tri vitesh vazhdojnë enden ku të gjejnë. E thënë ndryshe, stadiumi për verdhezinjtë është vetëm një premtim elektoral. E ndërsa presidenti Nexhat Bizhdili harxhon miliona për të rindërtuar çdo merkato një Besë të re, që nga 2014-ta i kanë shkëputur kontaktet me Kategorinë Superiore dhe kjo është humbje e madhe edhe për futbollin.

Të njëjtin fat ka stadiumi edhe në këtë prag kampionati, kur Bizhdili ka rindërtuar një Besë vërtet cilësore dhe ta ngjisë aty ku e ka vendin. Ka marrë emra vërtet cilësorë, e megjithatë hallet do t’i kenë të njëjta. Do të luajnë jashtë Kavajës dhe ky handikap do të sjellë pasojat e veta. Pavarësisht se fusha e stadiumit “Luzi i Vogël” nuk përmendet, është 100% e sigurt që atje do t’i zhvillojnë përballjet e shtëpisë.

luzi

Po bëhen 3 sezone që Besa është e detyruar të ngec në Luz, në mungesë të stadiumit të saj. Por gjatë stinës së dimrit jo pak herë fusha nga shirat është bërë e papërshtatshme, duke e detyruar ekipin të zhvendoset në Peqin, Lushnjë apo edhe Pezë-Helmës. Presidenti ka renditur këtë fakt si një ndër elementet që ka ndikuar në mosrealizimin e objektivit final. Tani pritet të shihet se ç’ndikim do të ketë fusha e Luzit për sezonin e ri.

Një ekip pretendent me një grup vërtet cilësor, do t’i duhet të shtegtojë përsëri dhe lodhet më shumë se çdo ekip tjetër për të arritur synimet. E, si për ironi të fatit, qyteti fqinj i Rrogozhinës tashmë ka rindërtuar stadiumin e ri, ndërsa Kavaja vazhdon të mbetet peng vetëm i premtimeve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"