Flamurtari me “flamurin” në gjysmështizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 15:04

Flamurtari me “flamurin” në gjysmështizë

MOISI DALIPI

Kur pyet ndonjë vlonjat për vlerat e qytetit të Vlorës, me të cilat krenohet, shpejt merr përgjigjen, se ato janë: “Monumenti i Pavarësisë, bregdeti, folklori lab dhe skuadra e futbollit Flamurtari”. Kaq e vërtetë është kjo, sa që shumë tifozë vlonjatë, të mërkurën në mbrëmje, duke lënë stadiumin, nuk munguan të thoshin:

Dalipi

“Nuk na vjen keq se humbën me Skënderbeun dhe nuk shkuan deri në finalen e Kupës, por nuk ndihemi mirë sepse ka disa muaj që Flamurtari po humbet shumë nga vlerat dhe tradita e tij”. E thënë më qartë, opinioni sportiv vlonjat nuk ndihet mirë me këtë skuadër futbolli, që në këto dy muajt e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar me futbollin që ka prodhuar.

Dhe nuk është pak, që nga një skuadër e vendit dytë në klasifikim për kampionat, sot ndodhet në vendin e gjashtë me aq pikë, sa me të cilat je i detyruar t’i mbash llogarit deri në ndeshjen e fundit për të siguruar mbijetesën në kategorinë e më të mirëve. Si të mos mjaftonte ky fakt, së fundi, Flamurtari është larguar që në gjysmëfinale edhe nga Kupa e Shqipërisë.

flamurtari

Ky ishte një trofe i lakuar këto javët e fundit në kampin vlonjat, si një mundësi e mirë që skuadra të siguronte pjesë- marrjen në Kupat e Europës për të harruar në një farë mënyre shumë gjëra nga ky sezon zhgënjyes i radhës. Por llogaritë ishin bërë përsëri gabim. Flamurtarit jo vetëm që nuk i mjaftoi ajo fitore 0-1, e marrë përpara dy javëve në Korçë, me golin e shënuar nga Danilo Alvesh në minutën e 82-të të ndeshjes, por as fakti dhe premtimi i bërë nga skuadra, trajnerët dhe vetë administratori Idrizi, se: “Flamurtari do përsërisë sezonin 2013-2014, duke kërkuar të fitojë Kupën dhe të sigurojë mbijetesën në Kategorinë Superiore”.

Skenderbeu Soue

Të gjithë kishin gabuar në hipotezën e tyre, por dhe në faktin tjetër se Skënderbeu, pas asaj humbjeje me vlonjatët, në një ndeshje Kupe (ku duhet praruar se korçarët kishin shumë mungesa), mbi ta do linte gjurmë edhe goditja morale që iu dha kësaj skuadre në formë paradhënie nga UEFA. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë gjë e vërtetoi ndeshja e javës së 28-të për kampionat, ku skuadra korçare testoi dhe vetveten në atë ndeshje, teksa fitonte më një rezultat të pastër 0-3, ku në mënyrë të veçantë do veçohej goli shënuar nga Ali Soue, pa kaluar as 30 sekonda nga fillimi i takimit.

Ai do të mbahet mend mirë, ndoshta si goli më shpejtë i shënuar në ndeshje të këtij kampionati. Por, për më tej… Kjo humbje në kampionat me rezultatin 0-3 në Vlorë është e rëndë, pasi Skënderbeu thuajse e kishte harruar ta fitonte me këto shifra në Vlorë që nga viti 1934, kur Skënderbeu i atyre viteve fitonte me rezultatin 4-0, përballë djemve të një lagjeje vlonjate. Të gjitha këto nuk u morën parasysh nga kampi vlonjat (pa futbollistë vlonjatë brenda) duke bërë që të jetojmë me ëndrrën dhe dëshirën se “do të shkojmë patjetër në Europë”. Por, e pësuar dhe në këtë ndeshje me përmbysje të shifrave, duke fiksuar rezultatin 0-2, bëri që vlonjatët të zgjohen nga “gjumi me ëndrra europiane” dhe të pranojnë dështimin.

fla sken

E thënë më qartë, Flamurtari tani e ka ulur flamurin në gjysmë shtizë! Në ritualin e pasndeshjeve, trajneri Duro do jepte për herë të dytë dorëheqjen (më parë e kishte shprehur nën zë këtë gjë pas humbjes për kampionat, pak ditë më parë në Vlorë ndaj Skënderbeut 0-3, por që nuk është pranuar nga administratori Idrizi). Këtë radhë, trajneri Duro e kishte menduar mirë dorëheqjen, ndaj dhe u kishte shtuar fjalëve të tij togfjalëshin se: “ky vendim është i parevokueshëm”. E pra, për Flamurtarin, si për kampionat, edhe për Kupë, ky sezon, me të drejtë, vlerësohet si projekt i dështuar, ku trajneri Duro ka pjesën e tij të punës dhe përgjegjësisë për këtë gjendje.

Por, nga ana tjetër, trajneri Ilir Daja e thoshte qartë: “Kush na ka paragjykuar pa u zhvilluar ndeshja, të na kërkojë falje publike”. Gjithsesi, pas plotë 416 ditëve (kur ka marrë drejtimin e Flamurtarit më 16.02.2017), trajneri Duro do linte qytetin e Vlorës, duke marrë me vete 52 ndeshjet që ka drejtuar Flamurtarin, me bilancin: 21 fitore, 15 barazime dhe 16 humbje. Me vete ka marrë dhe “projektin e parealizuar te Flamurtari”. Me të drejtë, shtrohet pyetja: Përse nuk u realizua projekti Duro te Flamurtari? Le të shpjegojmë diçka më qartë: Trajneri tiranas e mori drejtimin e Flamurtarit në sezonin e kaluar, pas largimit të trajnerit Mezani për arsye të eliminimit nga Kupa e Shqipërisë në turin çerekfinal, nga Besëlidhja e Kategorisë së Parë, me rezultatet 1-2 në Vlorë dhe 0-0 në Lezhë.

Skenderbeu-Flamurtari

Shpejt, skuadra u përqendrua fort në kampionat duke shtrydhur energjitë e saj e duke bërë që në fund të sezonit të jetë vetëm pak hapa larg realizimit të ëndrrës evropiane, edhe pse skuadrës i ishin hequr 6 pikë, për shkak të mosshlyerjes së borxheve financiare. Përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2017-2018 filluan me premtimin “për një Flamurtar ndryshe”, ku administratori Sinan Idrizi i la dorë të lirë trajnerit Duro të krijonte skuadrën që dëshironte, duke i premtuar mbështetjen e duhur financiare. Përzgjedhjet në skuadër bëhen sipas “planit Duro”, duke afruar në skuadër më shumë futbollistë të njohur mirë nga trajneri, në periudhën kur ka drejtuar vitet e kaluara Shkëndijën e Tetovës.

Por, nga ana tjetër, nga skuadra e një sezoni më parë kanë mbetur shumë pak titullarë si: Alvesh, Bushiç, Veliu, Hyseni dhe ndonjë tjetër që nuk ngrinte shumë peshë në skuadër. Kjo mbushje e skuadrës në këtë mënyrë solli jo pak reagim në opinionin sportiv vlonjat, sepse po largoheshin nga skuadra futbollistët vlonjatë, që kishin kontribuar më parë te Flamurtari. Gjithsesi, fillimi i sezonit e “zbuti” disi këtë pretendim, teksa skuadra në kampionatin e ri 2017-2018, pas humbjes në ndeshjen e parë në Korçë ndaj rivalit Skënderbeu, për 17 ndeshje rresht, në dy frontet kampionatKupë, nuk njeh humbje.

Por kur po afronin zgjedhjet për presidentin e FSHF-së, pozicionimi ndryshe i “të pabindurit” Sinan Idrizi solli hakmarrjen ndaj Flamurtarit. Skuadrilja e “gjyqtarëve mëkatarë”, me në krye Metën, Xhajën dhe Hamitin, fillojnë ta ndëshkojnë dhe dëmtojnë hapur edhe brenda në Vlorë Flamurtarin. Ndërkohë, për çdo ndeshje të zhvilluar në Vlorë, reagimet e tifozërisë do të shoqëroheshin me gjoba të njëpasnjëshme ndaj klubit vlonjat.

Teuta-Flamurtari

Të gjitha këto sollën “rënien e lirë” të Flamurtarit. Por jo pak ndikim negativ në këtë situatë ka pasur dhe merkatoja e dështuar e muajit janar, ku “talentet” e trumbetuara nga menaxherët, si Muarem dhe Tunkara e Zuka, jo vetëm që nuk mbushën largimin nga ekipi të Jakovleviç, Liçaj e Mersinit, por treguan qartë se besimi më i mirë është ai që prodhohet nga futbollisti në fushën e lojës. Faza e tretë dhe fillimi i fazës së katërt është periudha më e keqe për Flamurtarin, ku të gjitha bëhen bashkë, duke nisur kështu rrëshqitjen në klasifikim dhe demoralizimin e futbollistëve.

Në shumë ndeshje, futbollistët titullarë prezantohen të zvogëluar në fushën e lojës. Trajneri Duro kërkon mbledhjen e forcave, por dëmtimet e detyrojnë të “kompozojë” dhe në formacionin e parë, duke i besuar vend titullari dhe ndonjë futbollisti, që s’kishte marrë minuta lojë në ndeshje kampionati. Nga ana tjetër, presioni i opinionit sportiv vlonjat, për një reagim dhe reflektim të shpejtë të skuadrës, rritej shumë.

Dukej qartë se Flamurtari do shpagonte diçka që nuk kishte ecur si duhet edhe këtë kampionat. Në ndeshjet e fazës së tretë, shumë skuadra s’e kanë pasur problem të fitojnë në Vlorë, edhe pse më parë nuk e mendonin të tillë. Kështu, në harkun e shtatë muajve, Flamurtari shkroi “shkëlqimin dhe rënien e tij”, të shoqëruar me ëndrrën e tij katërvjeçare nën administrimin e Sinan Idrizit, se një ditë Flamurtari do shkojë në Europë.

skenderbeuflamurtari

Vlonjatët e dëshirojnë fort këtë gjë, por kur do të ndodhë dhe si do të realizohet? Kjo hipotezë e dëshirë e zjarrtë nuk ka shumë përgjigje. Shpresat se mund të ndodhë kjo në sezonet e ardhshme janë aq të pakta, sepse besimi është vrarë keq në futbollin vlonjat, sa me drejtë, me një zë, të gjithë thonë: “Flamurtari e ka ulur ‘flamurin’ në gjysmë shtizë!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"