Lutuni për Ançelotin, që të gëzojmë për Rejën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 21:51

Lutuni për Ançelotin, që të gëzojmë për Rejën…

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Sa herë që “perënditë” mendohen apo bëjnë sikur mendohen për të rinovuar me trajnerin e Kombëtares, mbërrijnë zëra nga jashtë se… trajnerin do të na e rrëmbejnë nga stoli.

Ndaj, le të lutemi që Napoli të mos largojë Karlo Ançelotin, sepse Edi Reja qenka një nga tre kandidatët për postin e tij. Ky lajm, i cili është popullarizuar tashmë nga media italiane, na tingëllon si një muzikë e njohur me “pepinot” e stolit kuqezi.

ancelotti reja

Kur Kombëtarja kishte trajner De Biazin, s’mbeti vend në hartë pa lakmuar trajnerin tonë, madje edhe nga Kina kishin synime. Mirë kjo, por edhe në kohën e Panuçit, për të cilin thuhej se kish ardhur më shumë për të mësuar sesa për të na mësuar, prapëseprapë, fantazmat u shfaqën njëlloj. Thonin se Kristianin e donin prapë në Itali dhe këtë herë zërat të çonin në Romë…

Le të lutemi që të jenë vetëm fantazi tregu këto zëra, sepse Kombëtarja me Edi Rejën sapo kanë nisur t’ia marrin dorën njëri-tjetrit. Duket sikur vazhdon të jetë e shkruar dhe në kontratën e trajnerit veteran, ashtu si me paraardhësit, që futbollistët tanë në disa ndeshje ta kenë mendjen në mësim, në disa të tjera… mund të relaksohen pa frena, deri në dezertim, si me Andorrën.

edi reja

Kishim vetëm një hall: do të firmosë Reja apo jo? Tani u bëmë me dy halle: ishalla nuk heqin Ançelotin nga Napoli se… pastaj tundet edhe stoli ynë. Pale të kujtosh një deklaratë “bombë” të presidentit tonë në median italiane, me një frazë që dukej sikur i përkiste më shumë orbitës së basteve: “Më parë do të largohet Ançeloti nga Napoli, sesa mbrojtësi ynë Hysaj…”. Duket sikur do ta fitojmë bastin, si përherë, por edhe frika se mos na marrin Edi Rejën… mbetet në fuqi!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"