Të (mos) bësh sport me shpërblime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 18:34

Të (mos) bësh sport me shpërblime

Shpërblimet për rezultatet sportive trumbetohen si një arritje madhore e sportit. Aq sa pohohet se “shpërblimet tona janë më të mëdha edhe se sa ato të vendeve të zhvilluara europiane”.

artan shyti

Por, a është realisht kështu? A janë këto shpërblime mjeti për të rritur cilësinë dhe garantuar rezultate sportive elitare? Mos ndoshta shtetet e tjera janë të paaftë të bëjnë sportin dhe këta drejtuesit tanë kanë shpikur rrotën duke dhënë shpërblime më tepër se ata?

E vërteta është që sot sportistët elitarë kanë një mbështetje financiare “mizërie” për t’u përgatitur e marrë pjesë në gara. Ata mund të mbahen vetëm me paratë që marrin nga shpërblimet e rezultateve që kanë arritur. Luiza Gega ankohet se duhet të stërvitet duke harxhuar paratë që merr nga shpërblimet. Po kështu edhe ata pak të tjerë që kanë pasur mundësinë të arrijnë rezultate që shpërblehen.

Paradoksi shqiptar është që sportistët mbështeten kur arrijnë rezultate ndërsa për të arritur rezultate nuk kanë asnjë mbështetje dinjitoze.

Kjo teoria që “arrij ti rezultatin dhe pastaj unë të shpërblej” është një mentalitet injorantësh që kujtojnë se dinë të bëjnë sportin, ndërkohë që po e degdisin në mediokritetin që reflektohet në formimin e tyre drejtues dhe menaxhues. Sot Shqipëria harxhon 5 milionë dollar për të bërë basketboll e volejboll kalamajtë e shkollave, ndërkohë që në dispozicion të elitarëve në të gjithë sportin shqiptar të mbi 30 federatave nuk ka as 500,000 dollarë. Pra fëmijët bëjnë sport të pasur ndërsa Luiza Gega e të tjerë elitarë duhet të gërmojnë xhepat për të mbuluar shpenzimet e pafund të përgatitjes së tyre. Federata Shqiptare e Atletikës merr një buxhet prej gati 100,000 eurosh për gjithë aktivitetin e saj kombëtar e ndërkombëtar vjetor, kur vetëm Luiza do dyfishin e këtij buxheti për të bërë një vit stërvitor e garues dinjitoz përpara Olimpiadës së Parisit 2024.

Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Basketbollit marrin së bashku gati 300,000 dollarë për gjithë aktivitetin e tyre vjetor kombëtar e ndërkombëtar, ndërkohë që fëmijët që luajnë basketboll e volejboll të një projekti idiot “djegin” 5 milionë dollar në vit!?

Këto janë absurditetet e sportit shqiptar ku Luiza nuk ka para për t’u stërvitur për në Olimpiadë ndërkohë që KOKSH, që duhet të merret me Luizën që mos ti mungojë asgjë për Lojërat Olimpike bredh nëpër Shqipëri duke bërë rrush e kumbulla lekët e shqiptarëve!?

Duhet të jesh jo vetëm injorant, por edhe dallkauk që, në këto kushte, të thuash: Po bëjmë sport…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"