Hipokrizia e urimeve për medaljet e kosovarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2021 | 22:44

Hipokrizia e urimeve për medaljet e kosovarëve

ARTAN SHYTI

Kosova ia doli përsëri. Në dy olimpiada që ka marrë pjesë ka siguruar deri tani tri medalje të arta. Pa dyshim një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm sportive, por shumëdimensionale dhe patjetër që të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre nëpër botë janë gëzuar e lumturuar nga kjo arritje epokale. Nuk kanë munguar edhe urimet.

nora gjakova 2

Në radhën e tyre, politika e Shqipërisë është ndër të parat që ka dërguar urime. Natyrshëm që na takon t’i urojmë sportistët kosovarë për këto medalje. Por, a nuk duhet që bashkë me urimet të dëgjojmë edhe “meaculpa”-n e këtyre shtetarëve tanë?

A nuk duhet që bashkë me urimet të dalin dhe të thonë: “Na falni që kemi 9 olimpiada që nuk marrim medalje. Na falni ju qytetarët e Shqipërisë që nuk jemi të zotët të menaxhojmë sportin e Shqipërisë ashtu siç duhet, por e kemi lënë duke dhënë shpirt. Na falni që e kemi degdisur sportin e Shqipërisë që të jetë më i dobët se ai kosovar, megjithëse ata janë një shtet më i ri, janë më të varfër e më hallexhinj se ne. Na falni që nuk e pranuam Majlinda Kelmendin kur kërkoi të vinte të garonte për Shqipërinë, sepse nuk kishim 30 mijë euro që i donte për trajnim dhe gara”.

Nëse nuk dëgjojmë edhe këto kërkesa faljeje, atëherë urimet për sportin e Kosovës janë një hipokrizi që nuk e meritojmë. Ndaj, ju shtetarët tanë urojeni Kosovën që ngjitet lart, ndërkohë që sporti ynë ka marrë rrokullimën. Bashkë me këto urime shtrëngoni fort edhe karriget që keni uzurpuar… Ti gëzosh medaljet Kosova e Artë! Ndërsa ne i gëzofshin shtetarët tanë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"