Operohet futbollisti i Egnatias, Tetova do thjeshtësi me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 22:22

Operohet futbollisti i Egnatias, Tetova do thjeshtësi me Vllazninë

Egnatia ka shtuar dozën e intensitetit duke kryer 2 seanca stërvitore ditën e djeshme. Rrogozhinasit po mundohen t’i marrin maksimumin përgatitjeve për të menaxhuar me sukses sfidën e nesërme me shkodranët.

EGNATIA-VLLAZNIA

Në “Loro Boriçi” do të vihen përballë dy ekipet më në formë të momentit që janë projektuar për të synuar titullin në fund të sezonit. Në këtë këndvështrim përballja Vllaznia-Egnatia nuk do të jetë thjesht ndeshja e radhës, por një provë zjarri ku do të matet “pulsi” i dy ekipeve me aspirata në këtë edicion sportiv në Superiore.

STËRVITJA- Ditën e djeshme, trajneri Edlir Tetova u mundua të “karikojë” fizikisht ekipin e tij me ushtrime atletiko-fizike. Timonieri i bardhëjeshilëve fillimisht me anë të një video-projektori analizoi kundërshtarin dhe i dha udhëzimet futbollistëve të tij sesi të reagojnë në situata të ndryshme përgjatë 90 minutave.

Analiza anti-Vllazni zgjati 30 minuta, më tej futbollistët e Egnatias dolën në fushën stërvitore për të vijuar me ushtrimet atletike. Më tej 22 futbollistët u udhëhoqën nga Edlir Tetova i cili i ndau lojtarët në 2 grupe me qëllim për të provuar goditjet në drejtim të portës në kufijtë e 16 metrave.

Finalizimi në tërësi ishte i kënaqshëm ku Ndreca, Fangaj por edhe Xhemaljli spikatën me tentativat e tyre. Me pas ekipi bëri një ndeshje kontrolli, mes titullarëve dhe lojtarëve të stolit. Tetova udhëzoi lojtarët që të qarkullojnë topin me 2-3 prekje për të dal gradualisht drejt sulmit.

Durrsaku u pa shpesh herë i irrituar me të tijët në momente kur shikonte që futbollistët po çedonin në përpjekje për të vendosur në praktikë idetë e tij. Në një moment Tetova u dëgjua ti thoshte futbollistëve, “luani thjesht, pse i ndërlikoni punën vetes dhe harxhoni kot energji”.

MUNGESAT- Përveç Mario Gjatës i cili kreu ushtrime nën kujdesin e fizioterapistit Kapllani, ekipit i mungoi mesfushori Muhamed Lemine që ka patur probleme me pubalgjitë, teksa është operuar dhe pritet të mungojë 2 muaj. Lemine edhe pse ka luajtur me pikatore ka shënuar 1 gol këtë sezon në barazimin 2-2 kundër Teutës.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"