Olimpiada dhe “rithemelimi” i sportit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:55

Olimpiada dhe “rithemelimi” i sportit shqiptar

NGA BESNIK DIZDARI
1. Gazetari i akredituar: Anton Mazreku
Krejt papritmas, këto ditë, kam zbuluar rastin e parë të akreditimit zyrtar të Shqipërisë në Lojërat Olimpike. E zbuloj në botimin e shkëlqyeshëm që gjermanët kanë bërë për organizimin po të shkëlqyeshëm prej tyre të Lojërave Olimpike të Berlinit (1-16 gusht 1936): “The XI Olympic games Berlin, 1936 * Official report Volumi I”. Në shkrimin e sotëm gjeni mbulesën (kopertinën) e këtij botimi fantastik, krejt të rrallë në seriozitetin klasik gjerman të përimtimit të gjithçkaje që ka të bëjë me Olimpiadën.
Dhe do ta nisim këtë cikël të Dossier-it të pashfletuar, kësisoj të Shqipërisë Olimpike, me këtë zbulim sensacional të akreditimit të parë të Shqipërisë në një Olimpiadë. Mandej do të vazhdojmë me temat e tjera, me synimin e mirë për ta mbledhur për herë të parë në një të vetme historinë modeste olimpike shqiptare, për të trajtuar problemet që dalin dhe, në fund të fundit, për të bërë atë që i takon të bëjë çdo gazetari: të tregojë, të tregojë për publikun, sidomos të tregojë ato që nuk dihen… Kjo është historia që rishkruhet. Ndonëse historianët politikë thonë se historia nuk rishkruhet. Rishkruhet, madje fort, sepse gjithnjë zbulohen e dalin fakte të reja. Mirëpo, këta tipa që me një të rënë lapsit vetëquhen historianë, për fakte të reja njohin vetëm faktet e vjetra të tyre ose të Regjimit të tyre.
E tash, pyetja e parë që të lind në gjithë këtë histori tonën, ta do mendja se është kjo: Kur ka qenë për herë të parë zyrtarisht Shqipëria në një Olimpiadë? Me një fjalë, kur është akredituar një përfaqësues i saj për herë të parë në një Olimpiadë?
Kjo paska ndodhur më 1936-ën, Olimpiada e 11-të, çast kur në analet e saj, për herë të parë, është regjistruar zyrtarisht edhe emri shtetëror “Albania” (Shqipëria). Vështroni dokumentin tonë, tash këtë të dytin, mbas mbulesës së sipërpërmendur. Është një faqe e botimit gjerman të mbas-Olimpiadës. Kjo është faqja që tregon gazetarët e akredituar për lojërat (“Press Quotas According to Nations”), siç lexohet, të ndarë sipas shteteve. E shihni që në kolonën e shteteve ka “Albania” që, sipas alfabetit, vjen menjëherë mbas Afganistanit dhe para Argjentinës. E paralel me “Albania” është numri “1”. Që do të thotë se Shqipëria ka akredituar “1” gazetar.
Duket si një fakt i vogël, sidomos kur sheh se ballkanikët e tjerë kanë shumë më tepër se Shqipëria: Bullgaria 11 gazetarë, Greqia 8, Rumania 10, Turqia 12, Jugosllavia 13 gazetarë. E megjithatë, për hir të së vërtetës, për ne ky është një fakt i madh, i cili na zbulon se më 1936-ën një shqiptar ka qenë i akredituar në Lojërat Olimpike. Çka nënkupton se Shqipëria zyrtarisht është përfaqësuar në Olimpiadë. Dhe, nëse është përfaqësuar vetëm me gazetarin dhe gazetarinë, prapë ky është një përfaqësim, ndonëse disi “sui generis”, kur kujton se asnjë sportist shqiptar nuk ka qenë në Berlin!
Po cili është ky njeri që qysh sot, mbas bukur 76 vjetëve, publikisht hyn në historinë tonë si i akredituari i parë nga Shqipëria në Lojërat Olimpike?
Emri i tij është Anton Mazreku, futbollisti i dikurshëm i “Studente Shkodra”, por sidomos i Skënderbeut të Korçës, drejtori dhe themelues i gazetës “Sporti Shqiptar” më 28 nëntor 1935, kryetari i Federatës Sportive Shqiptare (1945), botuesi i gazetës “Sporti” (1945), zëvendëskryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar (1958), zëvendëskryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (Mbasluftës), inspektori i FSHF-së, radiokronisti i madh, madje themelues i radiokronikës së parë, qysh më 1938. Sot me nderimin përmes çmimit “Anton Mazreku”, të themeluar prej autorit të këtij shkrimi të sotëm. Kjo pra është fabula: gazetari Anton Mazreku është shqiptari i parë i akredituar në një Olimpiadë. Para çdo zyrtari, para çdo sportisti! Çka do të thotë se Shqipëria e ka filluar edhe në këtë rast me gazetarinë, mû me atë gazetari profesioniste, të sprovuar që na mungoi në Olimpiadën e Londrës 2012. Ky është paradoksi “olimpik” shqiptar i shekullit XXI, i mundur keqas prej shekullit të shkuar XX! Dhe paradokset do ta shoqërojnë tejendanë dhe këtë studim tonin olimpik.
Vite të shkuara kam treguar se një delegacion nga Mbretëria Shqiptare ka qenë në Lojërat Olimpike të Berlinit. Madje, ka qenë në mënyrë disi të bujshme, kur kujton se si dhe nga kush u prit në Berlin. Por, tash, më duhet të përforcoj se ky më tepër ka qenë një delegacion në fushën e arsimit sesa mirëfilli një delegacion sportiv. Por gjithçka, është bërë me një lloj dinakërie, si të thuash, me një të goditur dy qëllime: edhe për arsimin, edhe për Olimpiadën! Delegacioni ka pasur si pjesë të tij tre njerëz, të cilët po aq sa janë të lidhur me arsimin, po aq, madje tansisht, janë të lidhur edhe me sportin. Dhe me të, pjesë e tij ka qenë edhe gazetari Anton Mazreku. Kam shkruar me kohë rreth kësaj ngjarjeje. Por, kurrë, nuk është thënë se Anton Mazreku ka qenë i akredituar si gazetar në Olimpiadën e Berlinit. Sepse nuk e kemi ditur dhe vetëm tash e zbuluam, përmes botimit voluminoz të vitit 1936.
2. Çka përfaqësonte Olimpiada e Berlinit
Viti 1936 është një kulm i forcimit të Gjermanisë Naziste nën udhëheqjen e kancelarit Adolf Hitler. Natyrisht, Olimpiada ishte një rast ideal për ta shpalosur madhështinë e kësaj Gjermanie si forca e botës. Dhe falë disiplinës, seriozitetit dhe mundësive të tyre të pashterueshme, gjermanët ia arrijnë të organizojnë Olimpiadën më të mirë që kishte njohur bota qysh nga e para, ajo e vitit 1896. Nëse sot shikon filmimet nga Olimpiada e Berlinit, sidomos të filmit epokal të regjisores Leni Riefenstahl, idhtarja më e fortë e vetë Adolf Hitlerit, e kupton se Berlini përfaqëson Olimpiadën më moderne të kohës. Ishte pra viti 1936. Lufta dukej ende larg. Ndonëse Italia Fashiste vetëm pak javë më parë kishte pushtuar Etiopinë. Në Francë kishte triumfuar Fronti Popullor me Leon Blumin. Në Spanjë Gjenerali Franko i ishte sulur qeverisë spanjolle të Frontit Popullor të atjeshëm, duke nisur kështu Lufta Civile. Dhe, një vit më parë, Hitleri kishte denoncuar Traktatin e Versajës.
Ndërkaq, në Gjermani spikat shkëlqimi më paqtor që mund të merrej me mend. Ky është dhe paradoksi historik. Gjermania kishte triumfuar unanimisht ndaj kandidaturës së Barcelonës për organizimin e Lojërave dhe presidenti i CIO-s (Komiteti olimpik Ndërkombëtar), belgjiani Henri de Baillet-Latour, kishte firmosur për Gjermaninë.
Dhe ja, organizimi i paparë i Lojërave të 11-ta Olimpike Ajo ishte Olimpiada e rekordeve:
* 3956 sportistë pjesëmarrës – më shumë se asnjëherë tjetër!
* 49 shtete – më shumë se asnjëherë tjetër!
* 328 sportiste femra – më shumë se asnjëherë tjetër!
Ajo do të ishte Olimpiada e parë në historinë e njerëzimit që do të transmetohej në televizion! 25 ekrane u vendosen në Berlin dhe rrethinat e tij, që njerëzit të shihnin Olimpiadën. Ndërkohë që filmi i famshëm i Leni Riefenstahl- it “Olympia” që, përveç të tjerave, i thurte lavde regjimit nazist, do të ishte në qendër të vëmendjes në mbarë botën, duke mbetur sot e kësaj dite një nga krijimet më profesionale dhe artistike të filmave sportivë dokumentarë të këtij zhanri. Pa harruar rastin e paprecedentë të shtypjes çdo ditë të buletinit të Lojërave “Olympia Zeitung” në 300.000 kopje dhe në 14 gjuhë! Dhe ndoshta, ky është rekordi i rekordeve të Olimpiadës së Berlinit, i pathyer sot e kësaj dite! Olimpiada ka shtëpinë e shtypit, ka sallat moderne për gazetarët, ka tribunën gjigande të shtypit në “Olympia Stadion”, ka teknikën e transmetimit të menjëhershëm të shkrimeve redaksive anë e kënd botës, mbi të gjitha ka teknikën e përsosur për kohën e transmetimeve radiotelevizive. Në atë tribunë shtypi, në këto salla shtypi, pamje të të cilave shoqërojnë shkrimin tonë, natyrisht ka punuar ato ditë të gushtit të vitit 1936, edhe i vetmi shqiptar, Anton Mazreku, i cili falë zotërimit të shkëlqyeshëm të gjuhës gjermane, kulturë e fituar në Austri, kur u shkollua qysh krejt i ri, do ta ketë ndjerë veten krejt lirshëm. Me një pengesë të madhe, megjithatë: nuk kishte sportistë të atdheut të tij për t’i përshkruar. E prapëseprapë, falë mjeshtërisë letrare-gazetareske që zotëronte, mjeshtri ynë do të dinte ta kalonte këtë “pengesë” të rrallë për një profesionist të rangut të tij…
Ndërkaq, në gjithë këtë organizim gjigand të paparë gjerman, mbi gjithçka spikasin ekzaltimet klasike teutonike, po dhe të miteve klasike me shqiponjat që mbushin gjithë Berlinin. Me kohë qe thënë se Adolf Hitleri nuk e dëshironte këtë Olimpiadë në Gjermani, duke e përcaktuar publikisht si “një festival i padêjë i sunduar nga hebrenjtë”. Por, në kohë, ka ndërhyrë ministri i propagandës, Joseph Göbbels, i cili arrin ta bindë Fyhrerin se, përkundrazi, Olimpiada do të ishte “një rast i mrekullueshëm për të shpalosur para botës imazhin e Gjermanisë dhe të regjimit me këmishë ngjyrë kafe, duke e shndërruar Olimpiadën në një makinë gjigande të propagandës”. Në librin e sipërpërmendur, madje pranë fotos së madh të Dr.Göbbels-t, gjejmë këtë citat emblematik të tij:
“Lojërat e Njëmbëdhjeta Olimpike zunë vendin kryesor në publicitetin ndërkombëtar më 1936-ën. Gjermanisë iu caktua detyra e nderuar e paraqitjes së festivalit më të gjerë sportiv që bota ka parë ndonjëherë. Organizimi gjerman, mikpritja gjermane dhe entuziazmi gjerman për idealet olimpike krijuan kontekstin për një shembull të pakrahasueshëm të një gare të vërtetë olimpike. Kombi gjerman në këtë mënyrë i ofroi botës një tjetër provë të aftësive të veta dhe të gatishmërisë së vet për të bashkëpunuar në projekte të gjera ndërkombëtare të projektuara për të çuar më tej paqen universale”.
Kështu do të ishte, madje kjo dëshirë bën që të lihej për më vonë edhe rasti i organizatorit të saj, presidentit të Komitetit Olimpik të Gjermanisë, Dr.Franz Leward, për të cilin befas u tha se kishte origjinë çifute! Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Roosvelt, vë veton kundër bojkotimit të Olimpiadës prej SHBA-së, duke përballuar një fushatë të fuqishme kundërshtuese që prej kohësh kishte plasur e nxitur nga funksionari i lartë i Washingtonit, Henry Morgenthau, me origjinë po çifute. SHBA shkon në Berlin, humb Olimpiadën (33 medalje ari Gjermania, 24 SHBA) dhe presidenti i Komitetit Olimpik të saj, miliarderi i njohur Avery Brundage, njeriu i cili Mbasluftës do të ishte për 20 vjet president i CIO-s, kur kthehet në Washington, deklaron me bujë: “Kemi shumë për të mësuar nga gjermanët”.
120.000 shikues kishin pritur dukjen e Fyhrerit në “Olimpia Stadion”, nën tingujt e himnit gjerman, marshit të nderit të Wagnerit, dhe himnit të Olimpiadës sipas muzikës të Richard Strauss, ndërsa në qiell fluturonin 100.000 pëllumba të paqes – një ide befasuese e shtetit, i cili mbas 2-3 vjetëve do të shpallte Luftën e Dytë Botërore! Një biondin me emrin Fritz Schilgen i jep jetë disaditore flakës olimpike, që del nga tubat e çelikta të Krupit, prodhuesi i madh i topave të luftës! Dhe fjalët sublime të çeljes që dalin nga goja e Fyhrerit, atij që mbas 40 muajve në gjithë botën do të njihet si simbol i së keqes:
“Popuj. Qofshi miqtë e vendit tonë. Juve po iu çelim dyert, fjala jonë qoftë paqja. Olimpiada, festë e Paqes!” Mandej shfaqet Kampioni Olimpik legjendë i 1896-ës, greku Spiridon Louis, maratonisti që ka ardhur posaçërisht nga Athina për t’i dhuruar Fyhrerit degën e pemës së ullirit, ajo që mbas plot 68 vjetëve iu rivu si kurorë në krye, medalistëve të Lojërave Olimpike të Athinës 2004! Ajo ishte Olimpiada e 4.5 milionë spektatorëve nga e gjithë Gjermania, në dispozicion të të cilëve ishin vënë 1000 trena! Ishte dhe Olimpiada e zezakut fenomenal, Jasmes “Jesse” Owens – katër medalje ari (100, 200, 4×100 dhe së gjati) – sfidë kundër epërsisë së racës së bardhë ariane! Dhe Adolf Hitleri, që e braktis katër herë tribunën për të mos qenë i pranishëm në fitoret e racës së zezë mbi atë të bardhë! Dhe tre shqiptarët e parë “të strukur” në mizërinë e 120.000 shikuesve të “Olympia Stadion” të Berlinit, të cilët për herë të parë përfaqësonin Shqipërinë në një Olimpiadë: Dr.Nush Bushati – ministri Arsimit i Mbretërisë Shqiptare, Prof.Gaqo Gogo dhe drejtori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku – i vetmi prej të treve që kishte një kartë akreditimi, e kësisoj nuk ndodhej pranë tyre, por pak më tej, në tribunën e shtypit. Po, në të vërtetë, nuk ishin vetëm këta të tre. Ishte edhe i katërti… 3. Është DHE Prof. Irfan Tërshana Ky ishte njeriu, të cilin më 1934-ën Mbretëria e kishte dërguar për një muaj në Berlin, për të ndjekur hap mbas hapi ndërtimet mrekulluese paraprake të stadiumeve, pishinave dhe palestrave të Olimpiadës së Berlinit që do të zhvillohej mbas dy vjetëve, më 1936. Dhe është prapë i pranishëm, teksa i bashkohet treshes së mësipërme. Gjen inxhinierin drejtues gjerman, i cili i dhuron librin e ndërtimeve të tij olimpike të Berlinit, të cilin Irfan Tërshana e ka mbajtur fshehur për gati pesëdhjetë vjet – me këtë mbishkrim:
“Ia dhuroi z.Prof. Irfan Tërshanës për punimet e ndërtimeve olimpike nga 15 korriku deri 15 gusht 1934, në këtë kohë të ndërtimeve të kompleksit të stadiumeve sportive për Lojërat Olimpike gushtshtator 1936. * Berlin, nëntor 1937”. Njeriut të parë që ia ka treguar këtë ka qenë autori i këtij shkrimi, më 2005.
Historia e Irfan Tërshanës (1905- 2006) është e pamatë, e pangjashme në krejt historinë e sportit tonë kombëtar.
Më parë, në 1932-33, e kishin thirrur papritmas në Romë për të ndihmuar për ndërtimin e Kampit të Rinisë “Dux”. Mandej, kishte qenë i pranishëm në Kampionatin Italian të Skermës në kinema “Barberini” dhe i takon të jetë pranë Musolinit, tejet popullor siç shfaqej në këso takimesh Duçja. Ndërkaq, Hitlerin do ta shohë krejt nga afër në Berlin, në tribunën e ceremonisë së Lojërave Olimpike. Por, në jetën e tij, ndër më mbresëlënësit mbetet takimi me Mbretin Ahmet Zogu në 1930 kur qe student. Ka qenë takimi i Mbretit me studentët që ishin jashtë vendit. Ajo që nuk i shlyhet është takimi një për një i Mbretit me secilin, duke i pyetur radhazi se nga ishin dhe ku studionin. “Të mirat që merrni atje i sillni këtu, të këqijat i leni, se kemi mjaft të këqija këtu”, – iu thotë Mbreti Zog, dhe këto fjalë Irfan Tërshanës i kanë mbetur të pashlyeshme. Së bashku me këtë: “Jo katolikë e myslimanë, jo toskë e gegë, por ilirë, pellazgë, shqiptarë”.
Ka qenë 1930. 82 vjet më parë. Kur kërkohej të bëhej Shqipëria… Enver Hoxhën e ka takuar në vitet ’70, gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kur diktatorit të pamëshirshëm i qe mbushë mendja me i dhënë stadiumin qytetit të tij të lindjes. I ishte tiposur, që stadiumi të ndërtohej diku në mes të qytetit. Dhe i kujtohet Irfan Tërshana, të cilin e thërrasin me urgjencë në Gjirokastër. Prof. Tërshana nuk i njeh emocionet në këto lloj takimesh. Kishte “takuar” Hitlerin, kishte folur me Duçen, kishte ndenjur me Ahmet Zogun. Dhe ishte tri vjet më i moshuar se Enver Hoxha. Kur përshkohej në çështje profesioni, ai harronte se kë kishte përpara: “Jo, shoku Enver. Stadiumi i Gjirokastrës duhet ndërtuar atje poshtë…”. Enver Hoxha nuk kundërshtoi…
Irfan Tërshana kishte vënë dorë kësisoj edhe në stadiumin e Gjirokastrës, i fundit i tij. 18 stadiume, 4 hiprodrome, 3 pishina, 375 objekte të ndryshme sportive. Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, Krujë, Kavajë… Të gjitha këto punë të tija të Mbasluftës. E kishte filluar për çudi në Shkodër me ndërtimin nga themelet të stadiumit të Parë, mbas vitit 1944 në Shqipëri, atij të Shkodrës, ashtu si më 1936 me kompleksin e gjimnazit të Shkodrës.
Më 1936-ën CONI (Komiteti Olimpik Italian) e kishte nderuar me diplomën e shoqëruar me statujën e Jul Qezarit, si të donte t’ia përuronte në këtë mënyre origjinale të riut shqiptar fillimin e jetës së tij të gjatë 101-vjeçare, që do të përshkohej te 375 objekte të ndryshme sportive deri në pleqërinë e thellë, në vitet e së cilës për çudi ai do t’i merrte të gjitha të tjerat. Të gjitha në moshën e të njëqindave: CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) i jep trofeun e tij “Sporti dhe Ambienti” më 1993, Shqipëria e tij e shpall 90 vjeç “Mësues të popullit” më 1995, “Nderi i Sportit Shqiptar” më 1999, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” më 2000 e deri tek Urdhri Olimpik nga KOKSH-i në 100-vjetorin e lindjes më 2005. Rrallë njeh historia e njerëzimit që një njeri të nderohet kësisoj në dekadën e dhjetë të jetës së tij! Irfan Tërshana ka qenë tri vjet më i madh se Anton Mazreku. Kishin një miqësi të fortë dhe Olimpiada e Berlinit i lidhi edhe më fort…
I dashur lexues, ky ishte “studimi” ynë i parë, pjesë e temës sonë që nuk e kemi trajtuar kurrë më parë: “Olimpiada dhe ‘rithemelimi’ i sportit shqiptar”. Na e merr mendja se u bindët që Shqipëria e sotme shkoi në Olimpiadën e Londrës, pa dashur të dijë për gjithë këtë histori dhe për gjithë këta njerëz, të cilët ishin shqiptarët e parë që shkuan në një Olimpiadë dhe me sensacionin e sensacioneve: që një gazetar ishte i akredituari i parë në Lojërat Olimpike në historinë e sportit shqiptar: i paharrueshmi Anton Mazreku.
Do të takohemi përsëri, me befasi të tjera olimpike shqiptare, në shkrimet e ardhshme, që gazetaria e sotme shqiptare ia arrin të shpalosë, edhe pse Shqipëria ende nuk ka dhe nuk pati as në Londër medaljen e saj të parë olimpike. Dhe nuk do të dalim nga tema jonë “Olimpiada dhe ‘rithemelimi’ i sportit shqiptar”, i cili vërtet është në çastin që mund të rithemelohet. Do të jetë një rithemelim mbi themelimin. Sepse dihet, e këtë e patë edhe në këtë tregim të parë tonin, që ai është themeluar qysh në dhjetëvjetëshat e tij të parë të 100 vjetëve të Shqipërisë shtetërore…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"