Ofertë e çmendur nga Anglia, presidenti Gjici kërkon 1 milion paund për Gurin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 22:59

Ofertë e çmendur nga Anglia, presidenti Gjici kërkon 1 milion paund për Gurin

Përfaqësuesit e skuadrës së Grasshoperit kanë qenë në stadiumin “Zeqir Ymeri” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku Kukësi luajti ndaj Laçit, për të ndjekur nga afër sulmuesin kryesor të verilindorëve, Sindrit Guri. Ata kanë pasur edhe një bisedë me presidentin Gjici, duke i ofruar fillimisht 200 mijë euro për të marrë kartonin e autorit të 15-të golave.

Guri

Por burime pranë klubit kanë bërë me dije se refuzimi i Gjicit ka qenë i menjëhershëm dhe u ka kërkuar përfaqësuesve të klubit zviceran që të japin ofertën e tyre të fundit. Ata i kanë bërë me dije se mund të paguajnë maksimumi 300 mijë euro, shumë e cila gjithashtu është refuzuar nga kreu i verilindorëve.

OFERTA – Të njëjtat burime kanë konfirmuar se gjatë bisedës që ka pasur me skautët e Grasshoperit, Gjici, për të treguar vlerën e kartonit të sulmuesit, ka zbuluar edhe një prapaskenë merkatoje. Anglezët e Shefild Uensdej që luajnë në Championship, janë gati që të paguajnë plot 600 mijë euro për të siguruar shërbimet e Sindrit Gurit, por presidenti Gjici i ka kërkuar 1 milion paund.

Guri

Ndërlidhës në bisedime është Shefki Kuqi, i cili ka luajtur më parë me këtë skuadër dhe kohët e fundit ka drejtuar disa skuadra në Finlandë. Me sa duket, Kuqi ka nisur të bëjë edhe menaxherin dhe klubi anglez ka kontaktuar pikërisht atë për të komunikuar me drejtuesit e Kukësit, për të nisur edhe bisedimet për transferimin e futbollistit. Gjithsesi, ende nuk mund të flitet për një akord mes palëve.

Guri4

PASAPORTA – Një avantazh i madh në transferimin e Gurit është pasaporta italiane që ai disponon. Një gjë e tillë i jep mundësinë e aktivizimit si komunitar në të gjithë kampionatet e europiane, çka do të thotë më shumë shanse për transferimin e tij jashtë vendit, pasi në fushë nuk do të zërë një nga vendet e ekstrakomunitarëve.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"