Nuk firmosi ndërprerjen e kontratës, Milinkoviç refuzon gjobën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2017 | 17:15

Nuk firmosi ndërprerjen e kontratës, Milinkoviç refuzon gjobën

Mlladen Milinkoviç nuk do të jetë më trajner i skuadrës së Kukësit që nga mbrëmja e së premtes, por që dje është zyrtarizuar edhe nga ana e drejtuesve. Pas ndeshjes së humbur me Luftëtarin, menjëherë sapo skuadra ka mbërritur në kryeqytet, trajneri Milinkoviç së bashku me ndihmësin e tij Papa kanë pasur një takim me presidentin Gjici, ku është folur për situatën e ekipit, por edhe të tyren personalisht.

Milinkovic

Presidenti u ka bërë me dije se ai nuk është i kënaqur me performancën e tyre, se iu ka dhënë shans disa herë, por sërish ekipi nuk ndryshoi dhe se tashmë është koha që bashkëpunimi të mbyllet. Nga ana e tij, trajneri serb ka pranuar dështimin dhe largimin nga skuadra.

Por, paraditen e djeshme, palët kanë pasur një tjetër takim për të zgjidhur çështjen e kontratës, ku klubi ka kërkuar që paga e fundit e trajnerit të mos paguhet, pasi është gjobë për të gjithë. Një gjë të tillë, trajneri dhe ndihmësit e tij nuk e kanë pranuar dhe rrjedhimisht nuk ka firmosur zyrtarisht largimin dhe do të jetë avokati i tyre që do bëjë mbylljen e kontratës, pasi pretendohet për detyrime të prapambetura.

DEKLARATA

Klubi i Kukësit ka dalë dje me një deklaratë për mediat, ku ka bërë me dije edhe zhvillimet më të fundit rreth largimit të trajnerit Milinkoviç dhe zëvendësimit të tij, por në versionin e tij. Klubi thekson se stafi teknik ka dhënë dorëheqjen. “Duke nisur që nga sot (dje), në drejtimin e Kukësit nuk do jetë më trajneri Mlladen Milinkoviç dhe ndihmësit e tij. Sot ky staf, me në krye Milinkoviçin, ka paraqitur dorëheqjen pranë presidentit te klubit.

Presidenti Safet Gjici ka miratuar dorëheqjen e tyre dhe i ka falënderuar për punën e bërë, edhe pse ajo nuk ishte në pritshmërinë e duhur dhe në objektivat e marra në fillim të sezonit nga Milinkoviç. Kjo dorëheqje vjen pas rezultateve të dobëta dhe pikëve të pakta që stafi dhe ekipi morën. Theksojmë se presidenti i ka dhënë mbështetje maksimale stafit që po largohet dhe disa herë, edhe pse rezultatet ishin të dobëta, ku u ka dhënë shansin Milikoviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Pozicioni aktual i ekipit është larg objektivave që mori Milinkoviç duke mos harruar dhe katër humbje në fushën e Kukësit, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Klubi është në tratativë për gjetjen e emrit të ri që do drejtojë pankinën e Kukësit dhe mes shumë kandidaturave do të përzgjedhë më të mirin që të vijojë punë për arritjen e objektivave për titull kampion, pasi asgjë ende nuk ka mbaruar dhe ka kohë që dhe me merkaton e dimrit të kapet vendi i parë”, lexohet në deklaratën e klubit, ndërkohë që nuk bëhen me dije mosmarrëveshjet që palët kanë pasur për shkak të kontratës. Gjithsesi, fakt është që Kukësi për momentin është pa trajner dhe pritet me interes të madh ai që do të zëvendësojë Milinkoviçin.

SKERDILAID SULOZEQ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"