Nojer: Po të luanim ne si Franca, do na vërshëllenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2016 | 17:56

Nojer: Po të luanim ne si Franca, do na vërshëllenin

Një ditë pas eliminimit të hidhur që pësoi Gjermania në Marsejë, Manuel Nojer dha një intervistë për “Kicker” ku shpjegoi një sërë episodesh të takimit, të cilat sipas tij nuk kishin fundin e duhur.

Manuel Nojer

Manuel Nojer

Manuel, si e vlerëson ndeshjen me Francën?

Luajtëm shumë mirë pasi kontrolluam topin në gjysmëfushën e rivalëve. Krijuam shumë aksione goli, por nuk patëm fat. Nuk do të thosha se ishte një dështim.

Por çfarë ishte?

Ishim të pafat. Francezët gjithmonë na shqetësonin në çastet e fundit të aksioneve, por them se e meritonim të paktën një gol që të dërgonim në shtesë këtë ndeshje.

Si e përjetove momentin që rivalët shënuan me penallti?

Morëm një gol në fundin e pjesës së parë dhe nuk patëm mundësi që të reagonim. Gjithsesi, duhet që të kishim bërë më shumë në pjesën e dytë. Siç e thashë, ishim të pafat pasi krijuam shumë shanse.

A t’u duk i drejtë vendimi i arbitrit?

Nuk mund të them shumë në këtë aspekt pasi topi u prek me dorë dhe arbitri kishte të gjithë të drejtën që të akordonte penallti. Por, nga ana tjetër, nuk jam në gjendje që të them nëse ajo prekje i mohoi Francës një aksion të pastër shënimi. Dy arsyetimet i ndan një vijë e hollë.

Penalltinë e shikoni si çast kyç.

Siç e thashë edhe më lart nuk kishim kohë për të reaguar pasi u mbyll pjesa e parë. Gjithsesi, një kombëtare gjermane nuk ka shumë probleme në këtë aspekt, pasi gjithmonë është mësuar të përmbysë rezultate në disfavor. Por kësaj herë ishim me të vërtetë të pafat.

Çfarë i mbetet Gjermanisë pas këtij turneu?

Mund të ngushëllohemi me faktin se u eliminuam megjithëse bëmë një ndeshje të madhe. Nëse do të më duhej të zgjidhja mes humbjes që pësuam në Varshavë përballë Italisë dhe asaj që pësuam dje (dy ditë më parë) kundër Francës, preferoj atë kundër trikolorëve. E them këtë, pasi shumë sportdashës jo vetëm gjermanët, donin që të ishim ne në finale.

A mendon se Gjermanisë i duhet që të stërvitet veçanërisht në ndonjë aspekt?

Them se na mungon diçka në finalizimin e aksioneve. Siç e patë në organizimin e lojës nuk na mungon asgjë. Ne luajtëm kundër vendësve dhe i dominuam në çdo aspekt. Nëse ne do të ishim në vend të Francës pra, nëse Europiani do të zhvillohej në Gjermani dhe ne do të silleshim në fushë siç bëri Franca, atëherë ju siguroj se publiku ynë do të na vërshëllente.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"