Ngoo “arratiset” në Amerikë, sulmi i Tiranës pezull…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 13:08

Ngoo “arratiset” në Amerikë, sulmi i Tiranës pezull…

Tirana ka nisur zyrtarisht që të mendojë për Kategorinë Superiore. Pasi blinduan trajnerin Ze Maria, drejtuesit kanë projektuar në letër edhe ekipin që do të përfaqësojë bardheblutë për sezonin 2018-2019. Veç afrimeve, prioritet për klubin janë rinovimet. Në krye të kësaj liste është Majkëll Ngoo. Anglezi do të jetë pikë referimi për sulmin, ndaj edhe drejtuesit prej kohësh kanë nisur që të diskutojnë me të zgjatjen e marrëveshjes.

ngoo

Kur erdhi në korrikun e 2017-ës, ai nënshkroi një kontratë 1+1, por tashmë që erdhi koha e rinovimit, klubi kërkon që ta blindojnë për dy vite. Parimisht ka dakordësi. Vetë shtatlarti e ka ndarë mendjen për të qenë bardheblu, por firma nuk ka ardhur ende. Lojtarit i është dërguar kontrata e re, por mësohet se nuk ka filluar as ta studiojë për shkak të… pushimeve. Ai është zhvendosur për disa ditë në plazhet e Majamit, ndaj vetëm kur të shkojë në Angli do të mendojë zyrtarisht për të ardhmen e tij te Tirana. Megjithatë, vend për dyshime nuk ka: ai do ta hedhë “të zezën mbi të bardhë”.

Ngoo zhvilloi një sezon realisht të mirë me kryeqytetasit, ndërsa në 19 ndeshje e gjeti 11 herë rrugën e rrjetës. Futbollisti 25-vjeçar u penalizua ndjeshëm nga dëmtimi që e detyroi edhe të operohej, ndaj humbi gati dy faza të Kategorisë së Parë.

Ngoo

Procesi i riaftësimit ka shkuar më shumë se mirë, megjithatë vetëm kur të nisë stërvitjen me grupin, do të konfirmohet gjendja e tij. Por, në klub janë më shumë se të sigurt që me një sulmues të tillë në elitë, golat do të jenë një garanci më vete. Edhe Dorian Kërçiku me Asion Dajën janë dy futbollistë të tjerë që duhet të rinovojnë.

Ashtu si me Ngoonë, edhe me mbrojtësin dhe mesfushorin, drejtuesit kanë folur, madje kanë gjetur edhe akordin për të vijuar bashkëpunimin. Megjithatë, ka mbetur që të zhvillohet edhe një bisedë finale për termat financiarë dhe më pas do të kalohet te nënshkrimi.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"