Nga Shqarri e Bellova e në çdo cep të Shqipërisë, si transmetohej futbolli i 1997-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2020 | 0:01

Nga Shqarri e Bellova e në çdo cep të Shqipërisë, si transmetohej futbolli i 1997-ës

Rrokopuja e 1997-tës ka qenë një fenomen unikal shqiptar, përkundër situatës së 2020-tës, që është panbotërore. Në atë tatëpjetë shqiptare të atij viti, edhe futbolli shqiptar pati anormalitetet e veta, por ia doli të mbijetojë, pa u zeruar sezoni.

7

Pas gati çerek shekulli prej aso kohe, “Panorama Sport” sjell një forum të veçantë me mbresat dhe opinionet e disa prej “aktorëve” më të shquar të radiokronikës dhe gazetarisë sportive të atij viti, plot 11 emra të spikatur, duke krijuar kësisoj dhe numrin simbolik të “skuadrës së gazetarëve”, të cilët i kanë përjetuar ato emocione dhe vështirësi jo direkt në fushë, por në kabinat e transmetimit dhe studion e punës, në kohën kur në Shqipëri kishte më shumë krisma automatikësh sesa diell…

ISMET BELLOVA, ndër themeltarët e “shkollës” së transmetimit: “I kam kaluar të gjitha ato periudha me pluset dhe minuset e veta, me të mirat dhe të këqijat. Kemi përjetuar një vit të vështirë më 1997, siç po kalojmë edhe sot, por të një natyre tjetër, që sigurisht kanë vendin e tyre në futbollin tonë.

Ismet-Bellova

Në këtë moshë, teksa po u drejtohem të 86-tave, e kam paksa të vështirë të riprodhojë shumë episode nga ’97-ta, por, sidoqoftë, kemi kaluar edhe gjëra të bukura, sepse, kam vënë re që ka një prirje për të evidentuar kahun e problematikës në përgjithësi, kur flasim për periudha të ndërlikuara, por pse të mos shfaqim edhe anën tjetër të ‘medaljes’: të bukurën përmes vështirësive, aq më tepër nga magjia e futbollit. Mjafton t’ju kujtoj që në aspektin ndërkombëtar, Shqipëria ka zhvilluar disa ndeshje në fushë asnjanëse, në Granada të Spanjës kundër Gjermanisë dhe në Zyrih të Zvicrës kundër Irlandës, pasi u cilësua si e pamundur të luhej në Shqipëri, për shkak të situatës së paprecedentë të atij viti.

Për kampionatin kombëtar, nuk e kujtoj saktë, për Kombëtaren, më fal të shoh diçka (shfleton arkivën dhe vijon). Kemi luajtur në Oporto, 0-2 me Portugalinë; më Ukrainën, 0-1, po në transfertë, ku kam parasysh 110 mijë tifozë të ngrirë në stadium, kur rezultati ishte mbërthyer në 0-0, teksa ndeshja po i afrohej fundit e pastaj në të 95’, Rebrovi i famshëm ka shënuar golin e fitores. Kemi luajtur në Armeni, kemi humbur 0-3; na ka mundur edhe Ukraina këtu, kemi humbur në Granada 2-3 me Gjermaninë’ kemi fituar 1-0 me Irlandën në Zyrih dhe kemi humbur 3-4 me Gjermaninë në Hanover.

Kanë qenë periudha të vështira, por, por, përkundër asaj situate tejet të paimagjinueshme në vendin tonë, unë kuadrova atë që kanë bërë djemtë tanë të Kombëtares aso kohe të ‘çmendur’, që me mish e shpirt dhe me shumë sakrifica, janë përpjekur për të qenë dinjitozë në çdo përballje dhe ndaj çdo kundërshtari, edhe ndaj Gjermanisë, kampione e Evropës më 1996, së cilës i shënuam 5 gola në dy ndeshje jashtë Shqipërisë: 2 në Spanjë dhe 3 pikërisht në Hanover, pavarësisht se i kemi humbur të dyja takimet në minutat e fundit. Në të gjithë atë tollovi, atë çmenduri shqiptare të atij viti të mbrapshtë, djemtë tanë të Kombëtares na kanë dhuruar jo pak emocione pozitive, nëse i gjykojmë gjakftohtë të gjithë faktorët e asaj periudhe”.

AHMET SHQARRI, ideator dhe drejtues i emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”: “Është fjala për një ’97-të, që turbulloi gjithë shqiptarët dhe, meqë po pyet për sportin dhe meqë unë, si të thuash (pa mungesë modestie) jam personifikim i atij brezi dhe kam pasur një rol pak a shumë të rëndësishëm për transmetimet, them që i vetmi emision apo mjet mediatik që mbeti ‘gjallë’ më 1997, ka qenë ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’.

Ahmet Shqarri

Ishte koha kur asnjë gazetë nuk dilte në atë përditshmëri plumbash, kampionati u kompromentua dhe u ndërpre qysh me djegien e zyrave dhe dokumentacionit, e nisur qysh në janar të atij viti në Lushnjë, një skuadër që vetëm 2-3 ditë më parë kishte luajtur nën drejtimin e ish-kampionati të Botës, Mario Kempes. Dhe më tej ajo çmenduri u shpërnda në Vlorë, Berat etj. dhe kapi thuajse gjitha atë anë të jugut, ku u bë hataja brenda 2 muajve, ku as që bëhej më fjalë për futboll.

Dy ditë përpara se të digjej zyra e dokumentacionit, unë kam transmetuar emisionin. I ndjeri drejtori im i radios së brendshme, Agim Papaproko, më thotë: ‘Çfarë halli kemi ne e çfarë kërkon ti! Ik, ore, se nuk kemi hallin tat!’. Unë çoj Maqo berberin me makinë, të shkojë në ‘Selman Stërmasi’, të transmetonte. Kura i kthehet prej andej, bashkë me I.Taren, shoferin e furgonit, që kishte aparaturën, më thotë se në stadium ndodhej policia dhe se atje pritej të zhvillohej miting. Atë vit titullin e fitoi Tirana, teksa doli në finale me Flamurtarin.

Pat’ ardhur edhe Moisi Dalipi nga Vlora dhe më sollën një plumb mua, duke më thënë: ‘Ja, këta gjen rrugëve në Vlorë’ – një ‘emblemë’ e asaj që ndodhte jo vetëm në Vlorë atij viti dhe ma lanë mbi tavolinë. Një episod tjetër i veçantë, e kam evidentuar edhe herë të tjera, ka qenë një situate e një lufte të vërtetë në transmetim direkt. E kaloj linjën në Burrel, skuadër që drejtohej nga ish-sulmuesi i mrekullueshëm i Partizanit dhe Kombëtares, Robert Jashari. I jap linjën Avni Kërtukës, një punonjës poste që e shfrytëzova si radiokronist, në kuptimin e mirë të fjalës. Pa hapur gojën Avniu, dëgjohet breshëria e automatikut në transmetim.

Dhe, në mbrëmje, spikerja e një televizioni privat, e nis edicionin e lajmeve me bataren e Burrelit dhe me komentin: ‘Po japim lajmet. Këto krisma janë shënuar sot në stadiumin e Burrelit. Të ndjekim kronikën’ dhe në sfond që dëgjohej edhe zëri im nga transmetimi. Unë kështu e kam përjetuar. Kemi transmetuar edhe kur gjithçka qe gati në kufijtë e së pamundurës.

Në librin tim, mes të tjerash, kujtoj avionët ‘hapash’ të NATO-s mbi kokat tona në stadium, kur njerëzit me thasë në kurriz vraponin drejt shtëpisë për të siguruar bukën, ndërsa unë dhe ne, bashkë me kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi, transmetonim. Dhe kjo ka qenë si një episod me reales dhe surreales shqiptare, sa sot na duket një hyrje tipike përralleske: ‘Ishim dikur’ dhe çapëlojmë sytë duke pyetur veten: ‘Ne e kemi bërë, vërtet?’. Ishte lufta e mbijetesës sportive, jo për emision, por për mision”.

MOISI DALIPI, radiokronist i Vlorës: “Jam një ndër radiokronistët që kam mbijetuar dhe i kam jetuar nga afër ato situata. Atë vit Flamurtari drejtohej nga Leonidha Çurri dhe i paharruari Petro Ruci. U krijua një ekip shumë pretendent dhe krijoi distancë +7 pikë nga vendi i dytë. Për shkak të trazirave, u ndërpre kampionati dhe u zhvillua me sistem grumbullimi, ku 6 skuadrat e kreut luanin në kryeqytet.

Moisi-Dalipi-1

Para se të fillonte moduli i ri i kampionatit, është zhvilluar një ndeshje miqësore mes politikanëve dhe gazetarëve sportivë. Ndeshje pajtimi, kundër situatës dhe stadiumi ‘Qemal Stafa’ ka qenë plot. Unë kam luajtur në atë ndeshje, kam pasur kundërshtarë politikanë të tillë, si: Bashkim Finon, Ndre Legisin, Fatmir Mehdiun etj. Vija nga Vlora, me fanellë kuqezi dhe me këpucët po kuqezi që ia mora sulmuesit Romeo Haxhiaj në Fier dhe me një degë ulliri në dorë kam bërë një xhiro rreth stadiumit. Ishte sporti që bëri rolin e ambasadorit të paqes.

Nëse Vranicki përpiqej për paqe dhe stabilitet mes palëve në Shqipëri, futbolli që e bëri në fushë, në një aktivitet të iniciuar nga i paharruari i shtangës shqiptare, Mirjan Hakani. Flamurtari e humbi atë kampionat, pa meritë, sepse u zhvillua në Tiranë dhe u ndërruan gjyqtarët gjatë gjithë natës, vetëm që të fitonte Tirana. Flamurtari (drejtohej nga Latif Gjondeda në atë pjesë të fundit të kampionatit) ka hyrë i shoqëruar nga tanket. Për të mos harruar edhe kompeticionin tjetër. Para finales së Kupës së Shqipërisë me Partizanin, forcat special kanë ndaluar Daniel Xhafën, Shpëtim Imerajn dhe Arnold Çipin, duke krijuar pështjellim, kaos dhe trysni të jashtëzakonshme psikologjike, një presion i padiskutueshëm që Flamurtari të mos fitonte asnjë trofe”.

FATMIR EFICA, radiokronist i Kavajës: “Them që FSHF-ja e asaj kohe mori masa evidente për të mos e dëmtuar garën dhe gjithçka u zhvillua brenda normës së aftësisë së ekipeve, për të luajtur sipas ndarjes që u bë në 3 grupe. Të paktën kujtoj të gjitha ndeshjet e Besës, nuk pati asnjë incident dhe u kaluan me shumë qetësi.

efica

Situata civile nuk depërtoi me anët e errëta në terminologjinë sportive, edhe si koncept, por edhe si pjesë e ekzekutivit në fushat ku u zhvilluan ndeshjet. Faza e tretë u bë në muajin gusht dhe shumica e njerëzve, pavarësisht halleve të atij viti, bënin pushime, ndaj dhe nuk u krijuan probleme, shtuar edhe faktin që u zgjodhën 3 qytete: Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ku trysnia dhe presioni ishte më i buti i mundshëm.

Sa i përket sezonit të sivjetshëm, le të kujtojmë që ka një rregullore, sipas së cilës, nëse gara ka zhvilluar treçerekun e saj, pra, pot ë ishin zhvilluar edhe dy javë, mund të quhet e përfunduar në situata të pamundësisë së zhvillimit të mëtejshëm dhe quhej e mirëqenë renditja e 75 % të garës së zhvilluar. Gjithsesi, unë kam bindjen se faktori sportive ka qenë gjithmonë i paqshëm dhe gara do të përfundojë duke u luajtur në fushë, diku gjer nga mesi i korrikut, edhe pse mund të ketë ngjeshje të kalendarit”.

VLADIMIR NGJELA, radiokronist i Korçës: “Eh, 1997! Koha më e vështirë e mbetur pas në kujtesën e kujtdo. Në aspektin sportiv, si në çdo sferë tjetër, ka pasur jo pak episode të pakëndshme, gjer në marrëzi. Më kujtohet teksa luanim në Berat kundër Tomorit, ku transmetonte kolegu dhe miku im, Agron Kaja.

skenderbe-1

Goditet qendërmbrojtësi i Skënderbeut Xheka dhe transportohet në spital, ndërsa kolegu Kaja e përcillte ndeshjen si diçka normale, pa e përmendur fare faktin e dëmtimit të rëndë të futbollistit tonë. Pas një jave, transmetoja në Korçë, një ndeshje kundër Vllaznisë a Elbasanit, nuk më kujtohet mirë.

Po transmetoja për dëgjuesit atë që shfaqej në fushë, duke u përpjekur të isha sa më afër objektives, pavarësisht se isha tifoz i Skënderbeut. Ndërkohë, më vjen te kabina e transmetimit një ‘kapo’, që ishte tifoz nga tanët, nga ata ‘të fortët’ dhe të kamurit, më vendos pistoletën në kokë dhe më thotë: ‘Po ti je me Skënderbeun apo me ata? Se po mburr më shumë kundërshtarët!’.

Pastaj u detyrova të them diçka zbutëse dhe përmirësuese: ‘Lojë tepër korrekte dhe skuadra jonë po luan shumë mirë’. Më pas, kur gjykoja në heshtje atë që ndodhi, kuptoja se çfarë trysnie mund të kishte kaluar edhe kolegu im Kaja në berat, që nuk e përcolli për dëgjuesin dëmtimin e futbollistit tonë, Xheka. Ka qenë një sezon tejet i vështirë, një periudhë e tmerrshme”.

GASPËR MARKU, radiokronist i Shkodrës: “Në atë kohë i kam përcjellë ndeshjet e Vllaznisë brenda dhe jashtë Shkodrës, sepse transmetoja edhe për disa medie lokale. E veçanta është se ne ktheheshim vonë nga udhëtimet jashtë, përmidis orëve 20, 21 apo edhe 22, ndaj frika e plaçkitjeve gjatë udhëtimit është e kuptueshme, pa harruar vështirësitë e tjera që kalonim nëpër stadiume.

gasper marku

Ka qenë rruga e vjetër, i binim nga Balldreni, dilnim në Torovicë, një zonë shumë e frikshme nga grabitjet, pastaj në Bushat dhe dilnim në Shkodër. Kemi pasur 2-3 raste ku jemi kërcënuar, me tendencën e rrëmbimit të automjeteve apo të kamerave. Një episod tipik na ka ndodhur në Lushnjë, mes tytave të automatikut. Ka qenë një ndeshje për kupë, ku Vllaznia pati fituar 3-0 takimin e parë në Shkodër.

Në Lushnjë nuk na lejonin as të filmonim e as të transmetonim. I ndjeri Myftar Çela, president i Vllaznisë në atë kohë, ka këmbëngulur fort; tërhoqi skuadrën, njoftoi FSHF-në dhe policinë, derisa na lejuan të filmonim dhe të transmetonim.

Në tribunë, mes automatikëve, mes turmës së shfrenuar të tifozëve dhe armëve kërcënuese. Na u desh të bënim lajka dhe artificialitet në fjalët që thosha në transmetim, pasi duhej përshtatur me atë ambient. Isha tifoz i Vllaznisë, por po aq i detyruar të përcillja me entuziazëm, madje më të zjarrtë se të ekipit tonë, edhe lojën apo aksionet e Lushnjës. Fatmirësisht, ndeshja shkoi në favor të Lushnjës, pasi nën atë presion të jashtëzakonshëm, lojtarët tanë qenë të trysnuar. Dhe Lushnja u kualifikua, u realizua ajo që na thoshin përpara ndeshjes në këtë qytet: ‘Pa u kualifikuar Lushnja, asnjë nuk del i gjallë nga fusha”.

BUJAR QESJA, radiokronist i Durrësit: “Luhej në Durrës ndeshja e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Lushnjën, që drejtohej nga Kempes. Takimin e parë e patëm humbur dhe të dytin barazuam. Mbi kokat tonat fluturonin avionët e NATO-s dhe ishte një situatë aq kaotike dhe e paperceptueshme.

bujar qesja

Në Durrës nuk ka pasur incidente, në aspektin sportiv flas. Sa i përket këtij sezoni, të sivjetshmit, nuk mund t’ju them dot me saktësi se cila do të ishte formula e duhur, sepse nuk di sa do të zgjasë kjo situatë në të cilën ndodhemi. E mira do të ishte që asnjë ekip të mos merrte asgjë në tavolinë, por duke luajtur në fushë”.

PËLLUMB STAROVA, radiokronist i Pogradecit: “Stadiumi ynë u shkatërrua, po ashtu edhe muzeu, që e kishim të veçantë, një nga më të mirët në gjithë Shqipërinë, ku evidentoheshin shume evenimente sportive, qysh nga fillesat e krijimit të grupeve të para futbollistike, që datonin me vitin e largët 1915.

Pogradeci-Butrinti-para-ndeshjes

Ndeshjet i zhvilluam në Librazhd dhe Elbasan, në fushë asnjanëse, dhe nuk patëm ndonjë incident, pasi edhe gjyqtarët ishin vendës dhe kishin ndikim që të mos krijoheshin incidente.

Dua të evidentoj që shkatërrimi i mjediseve të klubit më ka dhembur shumë dhe, duke qenë se në atë kohë isha inspektor në Drejtorinë Arsimore, kam bërë çmos që brenda 20 ditëve të pajisej me bazën materiale të nevojshme, duke kërkuar ndihmë nëpër shkolla, diku një tavolinë e diku tjetër karrige e stola. Situatë nga më të errëtat e historisë sonë në përgjithësi, jo vetëm të futbollit shqiptar”.

MIKEL MBRIÇAJ, radiokronist i Fierit: “Ka qenë një kampionat i vështirë dhe shumë i paqetë, pasi lojtarët, stafet teknike apo edhe gjyqtarët, e kishin mendjen te familjet e tyre, tek të afërmit, për shkak të asaj situate të krijuar. Gjithsesi, brenda atyre mundësive, qe një garë e fortë, edhe pse FSHF-ja ndërhyri dhe e konceptoi formulën e vazhdimësisë me tri grupe, me sistem grumbullimi, një ide për t’u përshëndetur, pasi ndryshe ai sezon mund të shkonte drejt dështimit.

apolonia-laci

Në Fier situata ka qenë përgjithësisht e qetë, edhe pse ka pasur herë pas here edhe element që afroheshin në kabinën e transmetimit, për të dëgjuar se si e përcillnim ndeshjen dhe kjo ishte një trysni jo e vogël për ne, por që u kalua pa incidente. Episodet e ndalimit nëpër rrugë, kur skuadra shkonte apo kthehej nga ndeshjet, kanë qenë diçka e zakonshme.

Ktheheshim nga Tirana dhe në Rrogozhinë na ndalojnë njerëz të armatosur, hyjnë brenda dhe, kur panë se ishim ekip futbolli, zbritën pa asnjë cenim. Autobusi ynë kishte nga jashtë të shkruar logon ‘Apolonia’ por ndoshta ata menduan se ishte një mjet që transportonte udhëtarë. Pavarësisht se u krijua ankth dhe panik, ky rast të lë për të kuptuar se futbolli vërtet qe i pacenueshëm dhe i respektuar edhe nga njerëz që grabitjen e patën kthyer në ‘zanat’ në ato vite”.

FATMIR MËNERI, ish-kryeredaktor i gazetës “Sport Ekspres: “Një situatë gati paradoksale, një kujtim i hidhur. Ngaqë nuk luanim dot në Shqipëri, ndeshjen kundër Irlandës e zhvilluam në Zyrih të Zvicrës. Sigurisht, kishte pak spektatorë, disa kosovarë që banonin në shtetin helvet dhe organizatorët. Rrëmujë paksa, sepse qe fushë asnjanëse dhe kërkuan dikë prej nesh që të lexonte emrat e futbollistëve tanë, siç e donte protokolli.

fatmir mneri

U detyrova dhe e bëra unë, por gjatë kësaj kohe më humbi pjesa tjetër e delegacionit tonë dhe e kam ndjekur ndeshjen atje ku ishin gazetarët vendës, gati në majë të stadiumit. Ajo që më bëri përshtypje, ishte se, në pushim të ndeshjes, gazetarët vendës më pyesnin plot kureshtje, sepse ata nuk arrinin të kuptonin dot se çfarë po ndodhte realisht në Shqipëri. Megjithëse u përpoqa t’u shpjegoja diçka për skemat piramidale, ata nuk e perceptonin dot se si njerëzit mund të armatoseshin dhe kundër kujt.

Një armatosje dhe luftë pa kundërshtar, një situatë absurdi! Në ato kushte, futboll assesi që mund të luhej. Pas periudhës ‘coprifuoco’, rifilluam në gusht, por, edhe pse shkoje për të parë futboll, dëgjoje krisma armësh. Një futboll i sforcuar dhe pa shije. Për sezonin e tanishëm, me ç’dëgjojmë në botë, ka ide për rifillimin e kampionateve përkatëse pa tifozë, si në Itali. Nëse edhe ne ecim në këtë logjikë, mund ta zhvillojmë me sforco dhe me kalendar të ngjeshur, por gara mund të mbyllet gjet në fund të qershorit apo maksimumi në mes të korrikut, sipas meje.

Në mos po, atëherë le të mendohet një modul i ngjashëm me atë të 1997-tës mbase, për të mos shkuar në dy raste ekstreme: fshirjen e gjithë sezonit, që do të ishte humbje e madhe, pasi të gjitha ekipet kanë investuar apo dhe marrja për bazë e renditjes së tanishme, pranuar nga gjithë anëtarët e federatës”.

BASHKIM TUFA, ish-zvendëskryeredaktor i gazetës “Sporti Shqiptar”: “Do t’ia nis nga fundi i asaj çmendurie, sepse ka qenë një ngjarje e veçantë. Gazetarët sportivë organizuan një ndeshje me artistët dhe stadiumi “Qemal Stafa” për herë të parë ndezi dritat e duke shënuar edhe fundin e “coprifuoco’-s. Pas një jave, në mos gaboj, gazetarët kanë luajtur një miqësore kundër politikanëve.

bashkim-tufa

Kuptohet, kanë qenë kushte shumë të vështira dhe në atë kohë, shkrimet për gazetën i kemi bërë në shtëpinë time, pasi i ruheshim gjithçkaje, rrëmbimit të kompjuterave apo dhe rreziqe të tjera. Jemi më 20020, në një situatë tjetër, edhe kjo tejet e vështirë, ku është neutralizuar çdo gjë. Por unë besoj dhe, me këto masa që janë marrë, mbetem optimist që nuk do të rrezikohet sezoni, kampionati do të rifillojë dhe gjitçka do të triumfojë mbi këtë virus.

Sporti dhe futbolli në veçanti, janë një lloj pasurie për kombin tonë dhe unë besoj fort se ky sezon nuk do të dështojë, edhe pse mund të jemi të detyruar të luajmë edhe me 2-3 ndeshje brenda javës. Do të ishte një humbje e madhe nëse kampionati nuk përfundonte dhe nuk jepte verdiktet, nëse ndërpritej dhe nuk do të kishim një kampione. Pavarësisht versioneve të mundshme që ekzistojnë, në varësi të situatës, jam optimist që gjithçka do të përmbyllet pozitivisht dhe me një garë konkrete”.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"