Nga portieri Romeo Harizaj te sulmuesit, Apolonia “vitrinë” e merkatos së verës së 2024-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 15:51

Nga portieri Romeo Harizaj te sulmuesit, Apolonia “vitrinë” e merkatos së verës së 2024-ës

Në kampin fierak janë duke monitoruar nga afër dhe me kujdes lojtarët që kanë në organikë, kryesisht ata që dhe po lënë shenjë këtë sezon dhe janë bërë pjesë e vëzhgimeve të ekipeve të tjera. Edhe në këto momente, në zyrat e klubit fierak ka interesime të vazhdueshme për disa lojtarë që rrezikojnë t’i thonë lamtumirë Apolonisë në fund të këtij sezoni.

apolonia

I pari në këtë listë është Romeo Harizaj. Portieri dhe njëkohësisht kapiteni fierak vijon të jetë një prej lojtarëve kyç të Apolonisë këtë sezon, që i dha edhe shiritin e kapitenit në pjesën e dytë të sezonit. Burime të sigurta në klub bëjnë me dije se në drejtim të “gardianit” fierak janë konkrete interesimet që vijnë nga disa klube të njohura të Superiores. Pista të hapura këto, që për presidentin Koço Kokëdhima kërkojnë kohë studimi dhe mbi të gjitha vlerësim për të përmbushur kriteret e klubit, në lidhje me kërkesën se çfarë do të përfitojë Apolonia nga “xhevahiri” fierak.

I sigurt mbetet fakti se me shumë mundësi, në fund të sezonit, portieri Romeo Harizaj do të ndryshojë ambient duke provuar një tjetër aventurë jashtë Fierit, me shpresën për të lënë më shumë shenjë, por edhe për t’u rritur akoma më tepër. Por nuk është vetëm kapiteni i fierakëve ai që ka kërkesa sa u përket ekipeve të njohura të Superiores për të pasur shërbimet e këtyre lojtarëve. Në listën e dëshirave kanë përfunduar edhe futbollistë të tjerë të fierakëve.

“Panorama Sport” mëson nga burime shumë të sigurta pranë klubit, se në këtë listë janë përfshirë edhe mesfushorët Mateo Shanaj dhe Abjel Bejzade, sulmuesit Erald Maksuti, Xhovalin Trifoni dhe Umejiego Antoni, si edhe dy mbrojtësit Serjan Repaj dhe Ersildjo Asllanaj. Klubi po tregohet mjaft hermetik sa i përket zbulimit të ekipeve që interesohen. Nga ana tjetër, janë duke kërkuar kohë që të vlerësojnë me kujdes çdo mundësi për të përfituar financa të sigurta, në mënyrë që të mbajnë ekipin në nivele të larta edhe në edicionin pasardhës.

Përgatitjet për sfidën me beratasit

Me dy seancat nga 60 minuta secila, të shtunën dhe të dielën, Apolonia ka vijuar përgatitjet anti-Tomor. Trajneri Artan Mërgjyshi punoi me ritëm të lartë, me synim të përgatitjes sa më të mirë të ekipit, në kuadër të ndeshjes së radhës në kampionat. Aspekti tekniko–taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprimet ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit. Fierakët shpresojnë që pauza t’i ketë bërë mirë dhe ta rinisin kampionatin në mënyrë pozitive.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"