Nga Donaruma tek Imobile, heronjtë e Italisë në skaner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2021 | 22:55

Nga Donaruma tek Imobile, heronjtë e Italisë në skaner

Vetëm Meret nuk vendosi këmbë në fushë mes të grumbulluarve të Mançinit. Por, të gjithë dhanë kontributin e tyre për suksesin e madh në “Euro 2020”, nga Donaruma tek Imobile.

iTALIA FESTA NE FINALE

FRANÇESKO AÇERBI – Tri prezenca, dy në grup dhe “maratona” kundër Austrisë në 1/8-at. Pas dyshes Bonuçi-Kielini është zëvendësuesi i parë. Përfundoi turneun me 95% të pasimeve të sakta, 166 nga 174.

NIKOLO BARELA – Një gol Belgjikës, vetëm një ndeshje ku mungoi (kundër Uellsit për të marrë frymë), thuajse 60 kilometra të përshkuar gjatë Europianit. Tani mund të fikë motorin dhe të shijojë festën.

ALESANDRO BASTONI – 90 minuta kundër Uellsit për të shijuar emocionet e fanellës së Italisë. E ardhmja, nëse vazhdon rritjen e treguar gjatë këtij sezoni, është e tija, duke parë moshën e atyre që e paraprijnë në kombëtare.

ANDREA BELOTI – Nuk vendosi këmbë në fushë vetëm kundër Zvicrës, në pjesën e mbetur ka qenë gjithmonë prezent. Penalltia e gabuar në finale kundër Anglisë është harruar, as nuk do ta kujtojë.

DOMENIKO BERARDI – E nisi fort duke shkaktuar autogolin e Demiralit në debutim kundër Turqisë dhe duke i shërbyer Lokatelit asistin e golit të 1-0 kundër Zvicrës. Më pas, pas Austrisë, përfundoi në stol dhe u shndërrua në rezervë. Shënoi penallti kundër Anglisë.

FEDERIKO BERNARDESKI – Vetëm kundër Uellsit këndoi himnin nga fillimi. Më pas shënoi nga penalltia si kundër Spanjës po ashtu edhe Anglisë. Është koncepti i konkretësisë.

LEONARDO BONUÇI – Mungoi 45 minuta kundër Uellsit dhe aq. Goli që dërgoi Italinë në shtesë e më pas në penalltitë kundër Anglisë ka një peshë të veçantë. Në kulmin e karrierës së tij. Është një nga simbolet e kësaj kombëtareje.

GAETANO KASTROVILI – Tri minuta kundër Uellsit dhe më pak se një kilometër i përshkuar. Megjithatë, për dikë të grumbulluar ditën përpara startit të turneut dalja me medaljen në qafë vlen më shumë se çdo statistikë.

XHORXHO KIELINI – Përcaktimi i një mbrojtësi puro. Xhorxho ngriti kupën nën qiellin e një “Wembley” dhe kujtoi të gjithë si arrihet në ato nivele pa pastërtinë teknike. Megjithatë, me personalitetin e një lojtari model. Dy episode thelbësore përtej kupës: zgjedhja e penalltive me Jordi Albën në gjysmëfinale dhe faulli ndaj Sakës disa çaste përpara penalltive.

FEDERIKO KIEZA – Si sprintet e tij, askush në këtë Itali. I shënoi Austrisë dhe Spanjës, përfaqësoi lojtarin driblues të kësaj kombëtareje. Është rritur deri në pikën sa është titullar thuajse i pazëvendësueshëm nga çerekfinalet e më tej.

BRAJAN KRISTANTE – Ndoshta kontributi i tij është nënvlerësuar, por Brajani qëndroi të shihte vetëm kundër Spanjës në gjysmëfinale. Në ndeshjet e tjera Mançini e ka përdorur gjithmonë: asnjëherë si titullar, por si zëvendësuesin e parë në finalen e “Wembley”-t ku me inkursionet e tij u shkaktoi dhimbje koke anglezëve.

XHOVANI DI LORENCO – Në katër vite është ngjitur nga Seria C deri në “Parajsën” e Europës. Edhe për këtë arsye meriton një lëvdatë, pavarësisht lehtësisë në leximin e sulmit anglez te goli i Shout. Solid.

XHANLUIXHI DONARUMA – Lojtari më i mirë i turneut. Do të mjaftonte kjo për të treguar muajin e tij përreth Europës. Mori thuajse i befasuar çmimin nga Ceferini përpara se të ngrinte kupën dhe pasi i priti penalltitë Sanços dhe Sakas.

EMERSON PALMIERI – “Përfitoi” nga dëmtimi i Spinacolës për të marrë krahun e majtë kundër Spanjës dhe Anglisë. Mbuloi zonën e tij me efikasitet.

ALESANDRO FLORENCI – Titullar me Turqinë në debutim, një shqetësim në pulpë e largoi nga fusha deri në shtesën me Anglinë. Kushedi nëse do të kishte goditur një penallti në rast nevoje…

ÇIRO IMOBILE – Dy gola në dy ndeshjet e para (Turqi dhe Zvicër), më pas një seri kritikash nga të cilat është mbrojtur në heshtje dhe pa polemika në fushë. “Këpuca e Artë” dhe titulli kampion Europe janë megjithatë sukseset që flasin për të.

LORENCO INSINJE – Goditja e tij me kthesë funksionoi vërtet vetëm kundër Belgjikës. Megjithatë, mirë kështu, Lorenco shënoi dy gola në rrugëtim dhe numri 10 në shpinë ka pasur kuptim.

ZHORZHINJO – Të kishte shënuar edhe penalltinë kundër Anglisë, do të ishte sot kandidati numër një për “Topin e Artë”. Mbetet një Europian fantastik i tiji: për nga cilësia dhe vazhdimësia. Rrezikon të kuqin në finale pas ndërhyrjes ndaj Grilishit, por nuk do të kujtohet për atë ndërhyrje.

MAUNUEL LOKATELI – Dopietë Zvicrës, një hap i madh. Më pas Mançini vendosi që Verrati ka diçka më shumë se ai për ndeshjet direkte.

ALEKS MERET – I vetmi italian që nuk u aktivizua: portier i tretë, nuk është skandal. Megjithatë, është në kombëtare me meritë.

MATEO PESINA – Katër prezenca dhe dy gola. Inteligjencë mbi mesataren e aplikuar në futboll. Nëse nuk luajti më shpesh, është sepse Italia në mesfushë ka një repart të konsoliduar.

XHAKOMO RASPADORI – Në fund nuk rezultoi Paolo Rosi i 2021-shit. “Flet” vetëm me 15 minuta kundër Uellsit, do të ketë kohë të jetë protagonist.

SALVATORE SIRIGU – Kur Mançini e aktivizoi me Uellsin në shtesë, nuk po e besonte. U emocionua. Ikonë fjalimet e tij për Donarumën përpara penalltive me Spanjën dhe Anglinë.

LEONARDO SPINACOLA – Dëmtimi i pësuar me Belgjikën largoi nga kompeticioni një nga lojtarët më të mirë të të gjithë Europianëve.

RAFAEL TOLOI – Katër prezenca, vetëm një si titullar. Dhe një polivalencë që Mançinit i rezultoi e nevojshme.

MARKO VERRATI – I vetmi nga të dëmtuarit që Mançini priti. Ka një arsye. E nisi duke parë, e përfundoi duke luajtur (titullar 5 herë radhazi). Vendimtar për të luajtur përkrah Zhorzhinjos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"