Në Shqipëri erdhi si kampion, presidenti i Prishtinës sulmon trajnerin e rikthyer në Superiore: Paga marramendëse, gaboi me transferimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 3, 2022 | 22:16

Në Shqipëri erdhi si kampion, presidenti i Prishtinës sulmon trajnerin e rikthyer në Superiore: Paga marramendëse, gaboi me transferimet

Zekirija Ramadani ka marrë drejtimin e skuadrës së Egnatias me shumë bujë pak javë më parë në Superiore dhe nuk ishte rastësi. Ai ka fituar 3 herë në vitet e fundit titullin kampion në Kosovë me tre klube të ndryshme dhe natyrshëm në Rrogozhinë presin gjëra të mëdha nga ai.

Ramadani

Por Remzi Ejupi, presidenti i Prishtinës, skuadër me të cilën Ramadani fitoi titullin kampion në edicionin e kaluar në Kosovë, nuk e sheh si shumë pozitive punë që ka bërë tekniku dhe ia ka faturuaar atij dështimet dhe krizën aktuale.

Pas emërimit të trajnerit Ibrakoviq, nga radhët e klubit janë larguar emra të njohur si Besart Berisha, Sabien Lilaj, Kristi Vangjeli e Florent Avdyli. Të gjithë blerje të bujshme, por që ishin larg pritshmërisë në këtë edicion.

“Të gjitha përforcimet janë bërë nga drejtori sportiv në koordinim me trajnerin. Kanë marrë çka kanë dashtë. Ne i kemi sjellë të gjithë ata që i kanë kërkuar. Njëra prej arsyeve të formës jo të mirë të Prishtinës janë edhe transferimet që janë bërë e që kanë dalë të dështuara. Sigurisht ka edhe faktorë të tjerë”, tha Ejupi për “Koha Ditore”.

“Janë larguar disa lojtarë, shumica prej tyre me marrëveshje. Sigurisht do të ketë edhe disa largime të tjera. Mendoj që largimet kanë ardhur edhe si rezultat i dështimit që ata kanë pasur. Kemi menduar që do të tregojnë rezultate dhe suksese, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk kanë qenë transferime të qëlluara. Kemi dështuar në këtë pikë. Prishtina ua ka dhënë mundësinë të gjithëve. Kemi gabuar edhe me Besart Berishën. Kemi gabuar dhe duhet ta pranojmë. Pagat e lojtarëve që janë larguar kanë qenë marramendëse. Në futboll gabohet”, ishin fjalët e Ejupit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"