Ndryshime në stolin e Besëlidhjes, Elvis Plori drejt marrjes së drejtimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2017 | 16:32

Ndryshime në stolin e Besëlidhjes, Elvis Plori drejt marrjes së drejtimit

Në një kohë që e gjithë skuadra e Besëlidhjes është duke shijuar pushimet, zërat rreth saj për afrime dhe largime janë të shumta. Madje, ditët e fundit është folur edhe për një ndryshim në stol, ku në vend të trajnerit Alban Bruka, i cili mbylli sezonin e shkuar, të jetë shkodrani Elvis Plori. Ky i fundit, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, nuk e mohon mundësinë që të marrë drejtimin e Besëlidhjes.

elvis plori

“Të jesh trajner i Besëlidhjes është një plus i madh për çdo trajner, pasi është një skuadër me histori. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e marrjes së drejtimit teknik të Besëlidhjes, por ende nuk kam asnjë kontakt me presidentin Gjok Noka”, ka thënë shkurtimisht Plori.

NDRYSHIMET

Nën presidencën e Gjok Nokës, trajnerët shkodranë kanë qenë dy. I pari ishte trajneri Kreshnik Krepi, që e ka marrë drejtimin teknik të Besëlidhjes në fillim të sezonit 2015-2016 dhe është larguar në pushimet dimërore të atij sezoni, duke e lënë Besëlidhjen në krye të grupit A. Vendin e tij e zuri bashkëqytetari i tij Samuel Nikaj, deri në mbyllje të atij sezoni dhe këtu mbyllet edhe historia me trajnerët shkodranë.

Por, natyrisht emrat e atyre, që kanë drejtuar ekipin gjatë kohës që në presidencë ka qenë Noka, janë të shumtë. Fillimisht ai e ka nisur punën me Alban Brukën, i cili sapo kishte lënë futbollin në atë kohë, pas tij ka ardhur lezhjani Ridvan Kulli që e ka mbajtur drejtimin e ekipit për gati dy vite, deri në fund të sezonit 2011-2012, kur Besëlidhja u skualifikua nga Tomori me penallti në ndeshjen e “Play-Off”-it, duke i mohuar shansin për të qenë në Superiore.

Pas largimit të Kullit në pankinë u ul Sokol Meta, por që u largua pas katër ndeshjeve dhe deri në merkaton e janarit skuadrën e drejtoi zv.trajneri Gledis Lani. Në merkaton e janarit të sezonit 2012-2013, drejtimin teknik të Besëlidhjes e zuri lushnjari Saimir Malko, por edhe ky nuk e mbylli kampionatin, pasi u vetëlargua nga drejtimi i skuadrës.

Pas tij erdhi Sinan Bardhi, por nuk arriti ta shpëtonte Besëlidhjen nga rënia në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, në kampionatin 2013-2014, ai arriti ta rikthente ekipin në Kategorinë e Parë. Në gjysmën e parë të sezonit 2014-2015 u largua Sinan Bardhi dhe në vend të tij u rikthye lezhjani Ridvan Kulli, që e drejtoi skuadrën deri në mbyllje të sezonit, por pa ia dalë dot që ta rikthente në Superiore.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"