Mziu: Arbitrat po na provokojnë që të shpërthejmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2017 | 10:48

Mziu: Arbitrat po na provokojnë që të shpërthejmë

Skuadra e Korabit nuk po vuan vetëm presionin e renditjes dhe mungesës së pikëve, por edhe atë të gjykimeve tendencioze, që e kanë penalizuar jo pak. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë paraqitur edhe provat e tyre në FSHF dhe kanë kërkuar marrjen e masave për arbitrat dhe veprimeve që ata kanë bërë.

mziu

“Përpara se të fillonte faza e tretë, ne bëmë një takim me arbitrat, ku ishin të gjithë gjyqtarët e Superiores si dhe kapitenët e skuadrave. U bisedua se arbitrat do të kenë seriozitet, korrektesë dhe paanshmëri gjatë gjykimeve dhe në heshtje e pranuam se ne jemi ata që e pësojmë më shumë nga gjykimet e arbitrave. Por me sa duket asgjë nuk është marrë seriozisht nga ana e tyre.

Me çfarë po shohim, skuadrës sonë po i hahet haku prej gjykimeve të tilla skandaloze. Para se të luajmë çdo ndeshje do të kemi një anë psikologjike se do të ndëshkohemi nga arbitrat edhe pse mundohemi që gjithnjë të luajmë drejt, duke dhënë maksimumin, për të marrë atë që na takon.

Nuk kërkojmë lëmoshë, por vetëm drejtësi, të mos na hahet haku i djersës sonë që derdhim në fushën e lojës. Rastet e përsëritura mund të sjellin edhe shpërthimin tonë një ditë, edhe pse drejtuesit na kanë bërë me dije se duhet të jemi të përmbajtur”, ka thënë në një prononcim për mediat kapiteni Sokol Mziu.

Ndeshja

Krahas problemeve me gjykimet, te Korabi janë duke menduar edhe për takimin ndaj Luftëtarit që do të luhet të dielën. “Skuadra jonë shkon të zhvillojë një takim të vështirë, duke ditur se ekipi gjirokastrit ka një skuadër mjaft të mirë dhe që luan bukur sidomos në fushën e vet. Do të jetë e vështirë për ne që të dalim me pikë nga kjo sfidë. Megjithatë do të japim maksimumin dhe objektivi mbetet fitorja. Shpresoj që të shënojmë në atë stadium, pasi kemi pasur një javë shumë intensive stërvitore”, ka mbyllur Mziu.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"