Muzikë maestro Silvinjo, misioni i Shqipërisë… kualifikimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 9:23

Muzikë maestro Silvinjo, misioni i Shqipërisë… kualifikimi

Presioni edhe sot është mbi Shqipërinë. Kështu ka qenë që në fillim, sepse teorikisht ne ishim sfiduesit e Polonisë dhe Çekisë. Pakkush e kishte thënë me zë të lartë që mund ta mbyllnim të parët. Por tani kemi shansin e artë ta bëjmë këtë.

SILVINJO (1)

Natyrisht, mund të kualifikohemi edhe pa asnjë pikë në këto dy ndeshje, por duhet të vazhdojmë rrugën me ritmin që kemi nisur. Jo vetëm sepse kemi një skuadër që ka entuziazmuar gjithë shqiptarinë, as sepse kemi një trajner që me thjeshtësi dhe përkushtim po i merr maksimumin këtij grupi. Por sepse duhet të tregojmë se nuk i lëmë asgjë rastësisë, se kur e ka fatin në dorën e saj Kombëtarja shqiptare jep gjithçka. Rruga u shtrua 7 vite më parë dhe nuk ishte e lehtë, sepse kurrë Shqipërisë nuk i kanë falur ndonjë gjë. Madje edhe kur dhunoheshim barbarisht në Beograd në sytë e të gjithë botës, UEFA rreshtohej krah serbëve. Tjetër punë pastaj se në fund u vendos drejtësia. Tani është ndryshe, por misioni është i njëjtë: KUALIFIKIMI.

Vetëm Kombëtarja i përmbush shqiptarët. Vetëm ajo i ka “anëtarësuar” në BE. Vetëm ajo ka magjinë të zhdukë ndasitë politike, të na bëjë të harrojmë problemet ekonomike dhe të na bëjë të festojmë si komb sa herë që i bën gjërat siç duhet. Koha ka treguar dekadat e fundit se asgjë tjetër nuk i bën shqiptarët të festojnë të gjithë bashkë, në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, me të njëjtën muzikë. Është “muzika” e bashkimit, e kapërcimit të kufijëve, është muzika e shpirtit kuqezi. Ne vërtetë e kemi “maestron” brazilian, por “orkestra” është gati për festën e madhe. Thjesht sot duhet një sforco e fundit për ëndrrën kuqezi…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"