Muzaka: Skënderbeu më dha motivin për të qëndruar në futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2017 | 18:37

Muzaka: Skënderbeu më dha motivin për të qëndruar në futboll

Gjergji Muzaka ka menduar seriozisht largimin nga futbolli i luajtur dhe po të mos vinte oferta nga Skënderbeu, ndoshta mesfushori do t’i drejtohej asaj rruge. Para stërvitjes së parë me skuadrën tij të re, lojtari i cili vetëm një javë më parë u shkëput përfundimisht nga Tirana, pranon se përveç korçarëve, do ta kishte të vështirë të gjente motivim për të vazhduar në ndonjë ekip tjetër.

muzaka

“Pjesa më e madhe e lojtarëve janë ato të herës së fundit kur isha këtu, trajneri është ai që kam punuar te Tirana, presidenti është ai që ka qenë. Pas kësaj që ndodhi, Skënderbeu ishte e vetmja skuadër ku unë mund të gjeja motivim për të luajtur futboll. Gjej rastin të falënderoj shokët, trajnerin dhe presidentin për pritjen. Skënderbeu mund të ketë pasur lëvizje lojtarësh dhe në organikë, por fryma mbetet e njëjta”, deklaroi Muzaka për “SuperSport.

Futbollisti pranoi me keqardhje se në mendjen e tij kishte planifikuar të mbyllte karrierën te Tirana, dhe përsërit se nuk duhet cilësuar fajtor për ndarjen nga bardheblutë. “Para dy viteve, kur nënshkrova kontratën, mendoja se do të dëshiroja ta mbyllja karrierën te Tirana, ma kishte qejfi ta mbyllja aty. Por siç rrodhën ngjarjet, divorci ishte i pashmangshëm. Më erdhi keq siç shkoi situata, por nuk ishte faji im”, tha ai.

Për ata që dyshojnë se Muzaka do të gjejë pak hapësirë te korçarët, trajneri Daja ka sqaruar se për të, mesfushori mund të aktivizohej rregullisht nëse ishte në formën më të mirë fizike, siç kishte ndodhur te Tirana.

“Minutazhi i reduktuar që ka pas te Tirana ishte se në një periudhë ishte jashtë se ishte i dëmtuar në klavikul. Kur ishte në formën optimale, ishte prezent dhe në pjesën më të madhe të ndeshjeve ishte titullar. Mendoj se ka qenë prezent kur ka pasur formën optimale, nuk mund të them që nuk ishte i preferuar, por ishin dëmtimet që e penalizuan për shumë kohë”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"