Mungojnë tre titullarë, File ndërton një “Elbasan të ri”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2012 | 13:33

Mungojnë tre titullarë, File ndërton një “Elbasan të ri”

Elbasani nuk do të jetë i plotë në përballjen e rëndësishme që do të ketë ditën e sotme ndaj Pogradecit në “Ruzhdi Bizhuta”, pasi do të jetë i privuar nga mungesa e tre titullarëve, të cilët pritet t’i hapin jo pak punë Ilirjan Files në bërjen e formacionit. Nëse mungesën e Olatunjit, tekniku është i detyruar ta pranojë, pasi nigeriani duhet të vuajë dënimin me pesë javë, verdheblutë edhe për këtë sfidë do të kenë mungesën e Hilës për shkak të një dëmtimi, nga i cili nuk është rikuperuar dot. Por, mungesa më e rëndësishme pritet të jetë ajo e kapitenit Erjon Merxha, që ka pësuar një dëmtim në stërvitje dhe për rreth 10 ditë nuk do mund të jetë i gatshëm për teknikun File. Kapiteni elbasanas është një nga pikat e forta në mesin e fushës dhe në mbrojtjen e skuadrës së Elbasanit, ndaj pritet që verdheblutë ta vuajnë jo pak mungesën e tij në këtë ndeshje të rëndësishme, që vlen një vend në Superiore. Në dyshim është edhe prezenca e mbrojtësit Ilirjan Mërtiri, por me shumë gjasa fieraku do të zbresë sot në fushë. Duke parë situatën në të cilën ndodhen elbasanasit, fitorja është mundësia e vetme për të mos humbur shpresat për një vend të dytë, sepse nëse bëjnë një hap fals në shtëpi, atëherë kampionati do të luhej thjesht sa për të respektuar garën. Ekipi zhvilloi dje edhe seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes së sotme ndaj Pogradecit.
Ardit Senja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"