Mungojnë Liço dhe Moraesh, Gvozdenoviç: Nuk e ndalim hovin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2023 | 12:06

Mungojnë Liço dhe Moraesh, Gvozdenoviç: Nuk e ndalim hovin

Skënderbeu nuk e ka luksin që të ndalë “hovin”, të cilin ka nisur. Me luftën që ka filluar për dy biletat, të cilat të çojnë në elitë, çdo ndalesë mund të kushtonte.

skenderbeu

Nisur nga kjo, në Korçë po projektojnë që të mbyllin javën e tetë radhazi pa humbje. Presin Luzin 2008 dhe llogaritë bëhen vetëm e vetëm me fitore. E megjithatë, stafi teknik po përballet me halle para këtij 90- minutëshi.

Bardhekuqtë kanë dy mungesa tejet të rëndësishme, që do të mund të ndikojnë në performancën e ekipit në fushën e lojës. I pari dhe ndoshta ndër më të rëndësishmit është Dean Liço.

Me kartonin e marrë kundër Orikut, fantazisti humb të drejtën për të qenë në fushë sot.

Skualifikimi i tij detyron trajnerin që të gjejë një zëvendësues të denjë, kur dihet që korçari po tregon nivel të lartë në ndeshjet e fundit. Por jo më pak e rëndësishme është edhe mungesa e brazilianit Agnaldo Moraesh.

Një lider në mesfushë, do të humbasë edhe këtë takim për arsye dëmtimi.

Koha nuk premton për rikuperimin e tij, që mbartet nga ndeshja me Dinamon dhe shpresat mbeten të gjitha te sfida e javës së ardhshme. Por e sigurt mbetet mungesa e tij sot ndaj Luzit.

Për këtë arsye në formacionin fillestar do të ketë disa ndryshime, ku bie në sy rikthimi i Oltion Rapës që me shumë mundësi e nis nga minuta e parë, së bashku me Rei Pecanin, i cili do të mbushë vendin e lënë bosh nga Dean Liço.

GVOZDENOVIÇ – Me mungesa dhe presionin që krijon misioni “Superiore”, Ivan Gvozdenoviç kërkon angazhim maksimal të të tijve, duke mos lënë asnjë shkas për nënvlerësim të kundërshtarit.

gvozdenovic

Për 44- vjeçarin e stolit të Skënderbeut kjo ndeshje është tejet delikate edhe për faktin se Luzi është një ekip që ka treguar futboll të mirë dhe ka cilësi në vetvete. Ndaj, trajneri kërkon respekt për kundërshtarin, por mbi të gjitha për fanellën që lojtarët mbajnë të veshur.

“Do të jetë një ndeshje delikate dhe e vështirë dhe diçka të tillë e dimë shumë mirë. E kemi parë Luzin dhe e kemi studiuar në ndeshjet që ka luajtur duke dalë në konkluzionin se është një ekip i mirëndërtuar dhe, mbi të gjitha, me cilësi brenda grupit. Kjo na bën që të jemi të përqendruar dhe të respektojmë maksimalisht kundërshtarin, të cilin do të kemi përballë nesër (sot). Por ajo që unë dua është që të kemi më shumë respekt për veten dhe të shkojmë të bindur drejt rezultatit maksimal. Kërkesat tona nuk ndryshojnë në vartësi të kundërshtarit. Prandaj i qëndrojmë objektivit të përcaktuar që kur unë jam në krye të Skënderbeut. Do të shkojmë kudo dhe ndaj çdokujt për të kërkuar vetëm fitoren”, përfundoi serbi i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"